Një pamje nga ekrani që tregon kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj me titrën që lajmëron se do të fillojë shembja e pallateve 50 vjeçare është e montuar. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se imazhi është marrë nga një inervistë e Veliajt në emisionin Top Story dhe teksti është mbivendosur.
——————————————-
Pas fitores së kryebashkiakut të Tiranës Veliaj në zgjedhjet vendore të 14 majit, duket se tek qytetarët është ringjallur shqetësimi i ngritur fillimisht në Mars të këtij viti për prishjen e godinave mbi 50 vjeçare.
Kështu, në rrjetet sociale po qarkullon një screenshot i Erion Veliaj në emisionin Top Story të televizionit Top Channel, i cili shoqërohet me titullin në formën e titrave: “Kryebashkiaku Veliaj flet pas fitores së garës për Tiranën. Nesër fillon shembja e pallateve 50 vjeçare”.
Megjithatë, duket se qytetarët mund të rrinë të qetë për momentin, sepse imazhi i sipërm është modifikuar.
Me anë të një kërkimi me motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, “Faktoje” zbuloi se imazhi i mësipërm duket se është marrë nga një shfaqje e Veliajt në Top Story në 16 maj.
Në imazhin origjinal, strisha shkruan “Mandati i tretë, Veliaj: Si do ta qeveris Tiranën”, dhe nuk i referohet aspak godinave 50 vjeçare.
Imazhi origjinal
Teksti për shembjen e pallateve 50 vjeçare i është mbivendosur këtij imazhi.
Imazhi i montuar (sipër) dhe origjinali (poshtë)
Në Mars të këtij viti, u bë publik një projektvendim i qeverisë për auditimin teknik të godinave që ndërtuar mbi 50 vite më parë. Vendimi ende nuk është miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Ky projektvendim u prit me shqetësim nga publiku, duke u parë nga disa si një nga hapat e para të një procesi që ka për synim shembjen e këtyre godinave për të hapur vend për ndërtime të reja duke larguar banorët aktualë nga zonat e preferuara për ndërtuesit.