BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorVideo e fëmijëve serbë që stërviten nga ushtarakët rusët daton 5 vite më parë

Video e fëmijëve serbë që stërviten nga ushtarakët rusët daton 5 vite më parë

Mediat në Shqipëri dhe Kosovë publikuan në maj të këtij viti, disa artikuj, ku pretendohej se fëmijët serbë po stërviten nga forcat ruse, nisur nga një video e shpërndarë në Twitter nga eksperti i sigurisë, Agim Musliu. Madje ngjarja e 3 majit ku një 13-vjeçar vrau 8 të mitur në një shkollë në Beograd, pretendohej se vinte për shkak të ndikimit të të mirture nga këto stërvitje. Por një verifikim i Faktoje tregon se videoja i përket 5 viteve më parë. Aktualisht në Serbi nuk operon kompania private ruse E.N.O.T që merrej me trajnimet e fëmijëve në rast lufte.

Në muajin maj të këtij viti, portalet në Shqipëri dhe Kosovë kanë publikuar një artikull referuar një postimi në Twitter nga eksperti i sigurisë dhe drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu. Në këtë video të publikuar thuhet se fëmijët serbë po trajnohen nga ushtarë rusë. Veç kësaj, sipas mediave, kjo është edhe arsyeja përse të miturit në Serbi janë kaq të njohur me armët dhe dhunën, duke e lidhur këtë me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Beograd më 3 maj, ku një 13-vjeçar qëlloi për vdekje 8 nxënës.

Postimi në Twitter nga Agim Musliu

Portalet kanë publikuar masivisht lajmin, pa verifikuar periudhën kohore kur është realizuar videoja dhe çfarë është konkretisht kjo stërvitje. Artikujt e shpërndarë në mediat online theksojnë se ‘Serbia po trajton fëmijët për luftë”.

Burimi: Gazeta Tema

Që në hyrje të lajmit, “Gazeta Tema” ngre shqetësimin se në Serbi të miturit po stërviten nga trupat ruse.

I njëjti artikull është shpërndarë edhe nga media të tjera, ku në shumë raste është bërë lidhja mes masakrës së majit në shkollën në Beograd, ndonëse nuk ka asnjë lidhje mes dy ngjarjeve.

Burimi: Balkanweb

Edhe media online, “Balkanweb” i ka dedikuar një artikull publikimit të zotit Musliu, duke theksuar: “fëmijët po trajnohen nga rusët”.

I njëjti lajm është shpërndarë edhe në mediat në Kosovë, të cilat në shumë raste e kanë pasqyruar me tituj “bombastikë”, si një ngjarje “horror” që po ndodh në këtë shtet ballkanik.

Burimi: Bota Sot

Por, si qëndron e vërteta e kësaj videoje? Faktoje kontaktoi fillimisht zotin Agim Musliu, për ta pyetur në lidhje me origjinën dhe periudhën kohore të videos në fjalë. Eksperti i sigurisë pranon se pamjet i përkasin vitit 2017, ku 30 fëmijë nga Serbia u trajnuan nga rusët.

“Në vitin 2017, tridhjetë fëmijë nga Serbia kaluan në Kampin Ndërkombëtar Ushtarak-Patriotik në Rusi, ku iu nënshtruan trajnimit të ngjashëm me atë të forcave speciale – me përdorimin e armëve të ftohta dhe kopjet e armëve automatike dhe bombave. Organizata ruse E.N.O.T. Korpusi që kryen stërvitje ushtarake për fëmijët nuk e fsheh se po i kthen në ushtarë të ardhshëm”, u shpreh Musliu për Faktoje.

Edhe në një intervistë për “Euronews Albania”, eksperti ka dhënë detaje mbi këtë video.

“E gjithë kjo që po shohim në këtë xhirim, nuk është e datës së re, por është një doktrinë që përsëritet, sepse në shoqërinë serbe, apo në çdo rend qeverisës politik në Serbi është mendësia që të edukohet ose trajnohet një gjeneratë e re për luftë. Ky xhirim është i vjetër, disavjeçar dhe është bërë në një lokacion në Serbi, në brendësi të Serbisë, ku marrin pjesë instruktorët rusë”, tha ai.

Ne bëmë një kërkim të mëtejshëm mbi këto pamje, ku një dokumentar i realizuar në vitin 2018 nga Radio Evropa e Lirë raportonte për stërvitjen ushtarake të fëmijëve nga grupi ‘E.N.O.T”. REL theksonte se shumica e rinjve pjesëmarrës janë fëmijë të veteranëve serbë.

“30 adoleshentë nga Serbia udhëtuan për në Rusi për të marrë pjesë në Kampin Ndërkombëtar të Rinisë Patriotike Ushtarake. Kampi drejtohet nga një grup ultranacionalist i quajtur E.N.O.T. Corp, trajnerët ushtarakë të së cilës i mësojnë fëmijët se si të gjejnë rrugën e tyre në pyll, të mbajnë armët dhe të përgatiten për ndonjë luftë të mundshme”, shkruan REL.

Në bashkëpunim me kolegët e verifikimit të fakteve të “Istinomer” në Serbi arritëm të përkthenim disa video në gjuhën serbe, ku ishin të pranishëm fëmijë që po kryenin stërvitje ushtarake.

Njëri prej reportazheve të REL në gjuhën serbe jep me detaje se çfarë ndodh në kampin e stërvitjes. Në dokumentarin e REL shpjegohet se projekti nuk mbështetet nga shteti serb. 

“Ky është raportim i Radios Evropa e Lirë për pjesëmarrjen e 30 fëmijëve serbë në kampin ndërkombëtar ushtarako-patriotik të organizuar në vitin 2017 në Moskë nga E.N.O.T corp. Pjesëmarrës nga Serbia ishin fëmijët e veteranëve serbë të luftës dhe udhëheqës i rrugës ishte kryetari i kësaj organizate. Ata mësuan se si të përdorin thikat, bombat dhe armët automatike. Valery Shambarov nga ENOT corp shpjegoi se pjesëmarrësit e kampit vijnë nga Rusia, Bjellorusia, Serbia, Kanadaja, Italia dhe mësojnë se si të bëhen ushtarë. Ai shpjegoi se projekti i tyre nuk financohet dhe as mbështetet nga shteti”, sqarojnë kolegët e “Istinomer”.

Një tjetër video që qarkullonte online, ku shfaqen të rinj që stërviten, i përket vitit 2014. Mësohet se në këtë rast stërvitja organizohet nga kisha, ku fëmijët mësohen që të përdorin armë plastike.

“Ky është një reportazh televiziv për kampin e fëmijëve të organizuar nga kisha ortodokse jo kanonike me qendër në Serbinë lindore (afër qytetit Bor). Përfaqësuesit e kishës shpjeguan se fëmijët përdornin armë plastike dhe se kampi ishte i ngjashëm me kampet e skautëve. Ata refuzuan të thonë se cilët ishin mësuesit/edukatorët në kamp”, bëjnë të ditur kolegët e verifikimit të faketeve referuar pamjeve të publikuara.

Por, kush është grupi që stërviste këta të rinj? Sipas kërkimeve në internet, E.N.O.T është një kompani private ruse, e themeluar në vitin 2011 nga Igor Mangushev. Referuar mediave të huaja, veprimet e tyre ishin aq agresive, saqë autoritetet serbe kanë kërkuar largimin e tyre nga vendi verën e vitit 2018.

Në vitin 2021,  financieri i E.N.O.T. Vladimir Morozov u dënua me 10.5 vjet burg për zhvatje, ndërsa një vit më vonë, udhëheqësi i organizatës Roman Telenkevich u dënua me 13 vjet burg për organizim të një komuniteti kriminal, zhvatje dhe kërcënim për të vrarë ose për të shkaktuar lëndime të rënda trupore. Sipas BBC, nacionalisti famëkeq rus Igor Mangushev u qëllua për vdekje në Ukrainë në shkurt të këtij viti.

Aktualisht, nuk ka informacione mbi fatin e kësaj kompanie dhe nëse vazhdon me ndikimin e saj.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img