Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, të dielën, më 19 korrik, njoftoi se brenda asaj jave do miratohej edhe lista e dytë me 3,100 përfituesit, banesat e të cilëve ishin dëmtuar në shkallën DS1; DS2; DS3 nga tërmeti i 26 nëntorit. Por pas mbledhjes së këshillit Bashkiak, të kësaj të hëne numri i përfituesve të listës kishte ‘firuar’ në 1556.
Më 19 korrik, gjatë inspektimit në Njësinë Administrative nr.8, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi se brenda asaj jave do miratohej edhe lista e dytë me 3,100 përfituesit, banesat e të cilëve ishin dëmtuar në shkallë DS1; DS2; DS3 nga tërmeti i 26 nëntorit.
Për tërmetin e nëntorit ka më shumë pagesa, sepse dëmi ishte më i madh. Kemi filluar me shpërndarjen e 3000 pagesave të para. Do të vazhdojmë me 3000-shen tjetër këtë javë, e mandej me pjesën e tretë dhe të fundit. Ndërkohë, po këtë javë fillojmë me investimet në banesat individuale, fillimisht në zonën e Farkës, pastaj në Baldushk, Zall-Herr, për të mbyllur gjitha zonat rurale– u shpreh Veliaj.
“Faktoje”, më 5 korrik, pyeti në Drejtorinë e Rindërtimit të Emergjencave në Bashkinë Tiranë lidhur me procesin e dhënies së dëmshpërmblimeve si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.
Më 24 korrik, nga Sektori i Dëmshpërblimeve në Bashkinë Tiranë na u komunikua:
Ju bejmë me dije se në bllokun e parë të procesit DS1-DS3 janë miratuar 3000 përfitues. Nga këta janë paguar 332 dhe të tjerët janë në proces. Ndërkohë po punohet për bllokun e dytë të përfituesve– thuhej në përgjigjen e Drejtorisë së Rindërtimit të Emergjencave në Bashkinë Tiranë.
Të hënën, më 27 korrik, Këshilli Bashkiak Tiranë, miratoi listën e re me familjet që përfitojnë pagesat e tërmetit e që ndryshe nga sa Veliaj kishte deklaruar, ishin vetëm, 1556 dhe jo 3,100.
Pas tre mijë emrave të parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës u mblodh sot online për të miratuar pagesat “cash” për 1566 familje, shtëpitë e të cilave pësuan dëme që mund të riparohen, të kategorisë DS1, DS2, DS3, – thuhej në komunikimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak Tiranë të datës 27 korrik.
“Faktoje”, pyeti në Bashkinë Tiranë nga ku u komunikua se procesi i miratimit të listave të përfituesve për shkak të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit do vijojë në mbledhjet e ardhshme të këshillit.
Më herët nga verifikimi i Faktoje, krybashkiaku Veliaj rezultoi të kishte shkelur afatet e premtuara për dhënien e dëmshpërblimeve personave të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Lexo edhe: Ahmetaj për rindërtimin: 10 marsi do ketë kompanitë e para që do ndërtojnë shtëpitë individuale
Lexo edhe: Vonesat e procesit të rindërtimit vënë në provë zotimet e kryeministrit Rama
Lexo edhe: Fatkeqësia nga tërmeti dhe nga zvarritja e rindërtimit