BallinaFaktometerE PavërtetëVdekje e këngëtarit brazilian një vit e gjysëm pas vaksinimit anti-Covid

Vdekje e këngëtarit brazilian një vit e gjysëm pas vaksinimit anti-Covid

Konspiracionistët anti-vaksinë vazhdojnë të shfrytëzojnë vdekjen e kujtdo për të pretenduar se shkaku është e ashtuquajtura ‘vraksina’ anti-Covid. Viktima më e fundit është këngëtari brazilian Renatinho, i cili ndërroi jetë në 5 janar. Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqiptare tregon këngëtarin duke u vaksinuar, për të theksuar një lidhje mes vaksinimit dhe vdekjes së tij. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video në fjalë është e vitit 2021, dhe shkaku i vdekjes së tij ishte një atak në zemër, i treti i pësuar që nga viti 2016.

————————————————-

Një video e këngëtarit brazilian Renatinho, nga grupi muzikor BokaLoka, ku ai tregohet duke u vaksinuar, po përdoret për të vërtetuar, ngazëllyeshëm, se shkaku i vdekjes së tij, më 5 janar 2023, ka qenë vaksina anti-Covid.

Klipi i vaksinimit pasohet nga ky screenshot i një lajmi për vdekjen e Renatinho

Postimi pretendon se vaksinimi është kryer në 5 janar 2023, ditën që ndërroi jetë këngëtari, por verifikimi ynë zbuloi se video e vaksinimit është postuar në Instagram nga vetë këngëtari më 14 maj 2021, gati një vit e gjysëm më parë. 

Sipas mediave braziliane, Renatinho pësoi një atak kardiak gjatë një shfaqjeje në 4 janar. Ai u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë, duke u deklaruar zyrtarisht i vdekur një ditë më pas. Ky ishte ataku i tretë kardiak që pësoi këngëtari. Më parë, ai kishte patur një atak në zemër në vitin 2016, po gjatë një shfaqjeje, dhe një tjetër në maj 2022 në Paris, pas të cilit, këngëtari vendosi 2 stenda për hapjen e venave të dëmtuara nga një stil jetese dhe dietë ushqimore jo e shëndetshme. 

Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, rreziku (i rrallë) nga miokarditi dhe perikarditi pas marrjes së vaksinës ekziston kryesisht tek meshkujt adoleshentë dhe të rinj. Kur vdiq, Renatinho ishte 48 vjeç.

Për më tepër, rastet e miokarditit/perikarditit që janë raportuar pas vaksinimit zakonisht kanë ndodhur brenda një jave nga vaksinimi. Ataku kardiak i pësuar nga Renatinho në 2022 ndodhi një vit pas vaksinimit të treguar në video, ndërsa ataku kardiak fatal i 2023, ndodhi pas një viti e gjysëm.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img