Vaksinimi i djemve kundër HPV jo vetëm për të mos i zënë kanceri

6

Pretendimi: Janë vaksinuar 3500 djem shqiptarë kundër HPV që mos të zërë kanceri vetëm njërin prej tyre pas 40 vitesh

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————-

Pas nisjes së vaksinimit të djemve shqiptarë të moshës 13 vjeç kundër HPV (papillomavirusi njerëzor), në rrjete sociale vijon të qarkullojë keqinformimi mbi këtë vaksinë. Kështu, pas lajmit se 3400 nga 15 mijë djem të kësaj moshe janë vaksinuar tashmë, në rrjete sociale po pretendohet se ky vaksinim është bërë vetëm që njëri prej këtyre djemve të shpëtojë nga kanceri pas 40 vitesh, duke nënkuptuar se fushata e vaksinimit është e pakuptimtë dhe e panevojshme.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë e ndonjë studimi shkencor.

Një studim francez i vitit 2016 përllogariti se numri i nevojshëm për vaksinim (numri mesatar i individëve që duhet të vaksinohen për të parandaluar një rast të vetëm të një sëmundjeje) me vaksinën kundër HPV Gardasil9 për të parandaluar një rastet kanceri të qafës së mitrës, anal, vaginal dhe vulvar ishin përkatësisht 126, 683, 2744 dhe 3162.

Siç Faktoje ka shpjeguar më parë,  HPV mund të prekë këdo, pavarësisht seksit, dhe të transmetohet nga çdokush, pavarësisht seksit.

Pothuajse 80% e njerëzve infektohen me HPV gjatë jetës së tyre, më shpesh gjatë marrëdhënieve të tyre të para seksuale. Nuk ka trajtim për infeksionet me HPV.

Papillomaviruset njerëzore (HPV) janë një familje virusesh të zakonshëm që transmetohen shumë lehtë, pothuajse ekskluzivisht përmes kontaktit seksual me ose pa penetrim. Si infeksioni më i zakonshëm seksualisht i transmetueshëm, virusi transmetohet përmes kontaktit lëkurë me lëkurë në organet gjenitale.

Më shpesh, infeksioni HPV është asimptomatik dhe zhduket spontanisht falë sistemit tonë imunitar. Në rreth 90% të rasteve, virusi HPV do të jetë zhdukur brenda 2 viteve.

Por te disa njerëz, një infeksion HPV mund të vazhdojë dhe të shkaktojë dëmtime qelizore, të cilat në disa raste mund të zhvillohen në kancer vite më vonë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për kancerin e qafës së mitrës, shkaku kryesor i të cilit është një infeksion i vazhdueshëm me HPV.

Prandaj, vaksinimi rekomandohet për të parandaluar infeksionet HPV dhe për të kufizuar rrezikun e zhvillimit të kancereve të lidhura me virusin.

Ndër kanceret e lidhura me HPV përmendet kanceri i qafës së mitrës, kanceri oral, kanceri anal, kanceri i penisit, kanceri i vulvës dhe ai vaginal. Pothuajse të gjitha kanceret e qafës së mitrës (99.7%) shkaktohen nga infeksioni me një lloj HPV me rrezik të lartë.

Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), rreth 4 nga çdo 10 raste të kancerit të shkaktuar nga HPV ndodhin tek burrat. Çdo vit në Shtetet e Bashkuara, rreth 16,000 burra sëmuren nga kanceri i shkaktuar nga HPV.

Raste kanceri të lidhur me HPV të ndara në lloji i kancerit, raste në gra dhe raste në burra

Vaksinimi kundër HPV, i cili ka disa lloje, rekomandohet për vajzat dhe djemtë, në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe në Francë, sepse parandalon infeksionet që në disa raste mund të shndërrohen në kancer tek gratë dhe burrat. Shoqata Amerikane e Kancerit rekomandon që djemtë dhe vajzat të vaksinohen kundër HPV midis moshës 9 dhe 12 vjeç.

Vaksina është më efektive kur jepet midis moshës 12 dhe 13 vjeç, kur sistemi imunitar është i fortë dhe para se djali ose vajza të bëhen seksualisht aktivë. 

Shkalla e kancerit të qafës së mitrës tek gratë tani në të 20-at, të cilat e kanë bërë vaksinën HPV në moshën 12 ose 13 vjeç, është ulur me 90%.

Vaksina i mbron djemtë nga llojet e HPV që mund të çojnë në kancer të kokës dhe qafës, kancer anal dhe kancer të penisit.

Djemtë që marrin vaksinën do të ndihmojnë gjithashtu në uljen edhe më të madhe të numrit të kancerit të qafës së mitrës tek gratë, pasi burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me gra nuk do t’i transmetojnë disa lloje të virusit.

Vaksinimi i të gjithë të rinjve kundër HPV rrit gjithashtu diçka që quhet “mbrojtje e tufës”. Kjo ndodh kur shumica e njerëzve në popullatë vaksinohen kundër diçkaje, që do të thotë se edhe njerëzit që nuk janë të vaksinuar marrin njëfarë mbrojtjeje.

Midis viteve 2020 dhe 2024, asnjë grua në Angli e moshës 20-24 vjeç nuk vdiq nga kanceri i qafës së mitrës. Kjo ishte hera e parë që nuk është regjistruar asnjë vdekje nga kanceri i qafës së mitrës për këtë grupmoshë. Kjo falë futjes së një vaksine kundër HPV. Në Mbretërinë e Bashkuar, ajo u është ofruar vajzave të moshës 12 ose 13 vjeç që nga viti 2008. U është ofruar djemve që nga viti 2019.