Performanca e bashkive, rruga nga të dhënat te impakti 

Roli i medias lokale në interpretimin dhe shpërndarjen të dhënave të raporteve të performancës

15

Qeverisja vendore është një nga shtyllat kryesore të funksionimit të demokracisë. Ajo prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve përmes shërbimeve të përditshme: pastrimit, ndriçimit, ujësjellësit, arsimit parashkollor, shërbimeve sociale dhe shumë të tjerave. 

Për këtë arsye, monitorimi i performancës së bashkive pra si i ushtrojnë detyrat dhe kompetencat e tyre është thelbësor për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe përmirësim të qeverisjes.

Ky ishte fokusi i tryezës me titull ”Nga të dhënat te impakti: forcimi i llogaridhënies dhe transparencës” organizuar ditën e sotme nga Faktoje në bashkëpunim me “Bashki të Forta”, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Qeverisë së Suedisë, i zbatuar nga Helvetas.

“Media në vetvete është instrument shumë i rëndësishëm për t’i afruar dhe ofruar publikut informacion të saktë për shërbimet që ofrohen në nivel vendor. Kur flasim për një qasje analitike që gazetaria duhet të ketë ndaj pushtetin vendor, tashmë është një instrument që vjen si rrjedhojë e matjes së performancës, të të gjithë treguesve që përdoren për të matur performancën në nivel lokal, e cila përbën në vetëvete një databazë shumë të rëndësishme për vetë gazetarët për të kuptuar se çfarë ndodh në nivel vendor”,  u shpreh z. Ervin Demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor

Aktiviteti mblodhi së bashku aktorë kyç që kontribuojnë në qeverisje vendore dhe në rritjen e transparencës.

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe znj. Sabine Piccard nga Ambasada e Zvicrës dhe z. Erik Illes nga Ambasada e Suedisë, të cilët u ndalën për të folur mbi rëndësinë e transparencës, llogaridhënies dhe përdorimit të të dhënave në forcimin e qeverisjes vendore.

“Pushteti vendor ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e punës sonë. Që prej themelimit të Faktoje, ne kemi monitoruar zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit dhe transparencën e bashkive, si dhe mbajtjen e premtimeve të kryetarëve të bashkive ndaj qytetarëve.  Ne mendojmë se raportet e performancës nuk janë thjesht dokumente administrative. Ato janë një pasqyrë e mënyrës se si qeveriset një komunitet, e rezultateve që arrijnë institucionet dhe e përgjegjësisë që kemi të gjithë për të ndërtuar bashki më transparente, më efikase dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve u shpreh Klodiana Kapo, drejtore Ekzekutive e Faktoje.

Në këtë tryezë u theksua roli i medias lokale, në veçanti roli i rëndësishëm që ajo ka, në interpretimin dhe shpërndarjen e këtyre të dhënave, për t’i bërë ato të kuptueshme për komunitetin. 

Gazetarë lokalë të ftuar në event, treguan eksperiencat e tyre në përdorimin e raporteve të performancës vendore për të treguar histori që prekin komunitetet ku jetojnë.

Ky aktivitet synoi që të ndërtojë një kulturë të mirë të dialogut të hapur, që kontribuon në forcimin e transparencës dhe përmirësimin e qeverisjes vendore.