Ergys Kavaja
Shkodra vijon të përballet me fluks të lartë mbetjesh, duke rënduar buxhetin dhe shërbimin e pastrimit. Bashkia po teston modelin e ekonomisë qarkulluese që synon ngritjen e një qendre ripërdorimi të mobiljeve dhe elektroshtëpiakeve. Nëse funksionon, Shkodra mund të kthehet në shembull kombëtar për reduktimin e mbetjeve dhe uljen e kostove të menaxhimit.
Menaxhimi i mbetjeve urbane mbetet një nga sfidat kryesore të qeverisjes vendore në Shqipëri dhe Shkodra nuk bën përjashtim. Ky shërbim përfaqëson një nga kostot më të larta për Bashkinë Shkodër dhe njëkohësisht një nga treguesit më të rëndësishëm të administrimit vendor dhe menaxhimit të fondeve publike.

Këto janë pamje të zakonshme nga pika të ndryshme të grumbullimit të mbetjeve në Shkodër, nga periferia deri në qendër të qytetit. Pranë kontenierëve shihen mbetje të gjelbra, kartonë, materiale inerte dhe orendi shtëpiake të hedhura jashtë vendeve të përcaktuara.

Situata krijon vështirësi për shërbimin e pastrimit në Bashkinë Shkodër, duke shtuar kostot dhe ndërhyrjet e paparashikuara në terren.
“Aktualisht shërbimi i pastrimit në qytetin e Shkodrës kryhet në dy frekuenca ditore. Deri në orën 10:00 pastrohen të gjithë kontenierët, ndërsa frekuenca e dytë nis nga ora 18:00 deri në orët e vona të mbrëmjes. Për zonat më problematike kemi shtuar edhe ndërhyrje ekstra, me qëllim mbajtjen pastër të qytetit”, shprehet Altin Shabaj, përgjegjës për pastrimin në Ndërmarrjen e Shërbimit dhe Punëve Publike të Bashkisë Shkodër.
Sipas tij, hedhja e mbetjeve jashtë kontenierëve, ambalazhet, mbetjet e gjelbra, degët apo pemët e prera, mbetjet bujqësore dhe orenditë e vjetra shtëpiake krijojnë një problem serioz për shërbimin.

“Ndërhyjmë thuajse çdo ditë në situata të tilla dhe kjo përkthehet jo vetëm në kosto financiare, por edhe në angazhim shtesë të burimeve njerëzore”, shton Shabaj.
Problematika konfirmohet edhe nga qytetarët.
“Nuk vjen njeri t’i pastrojë deri pasdite. Gjysmën e asfaltit e kanë zënë mbeturinat dhe shkurret. Pastrimi këtu bëhet dy herë në ditë, por pak është edhe faji ynë”, thotë një banor i zonës.
Një tjetër qytetar shprehet se situata mbetet shqetësuese sidomos për familjet që jetojnë pranë pikave problematike të grumbullimit.
“Fëmijët luajnë aty pranë dhe prekin mbeturinat. Janë vendosur disa herë gjoba nga bashkia, por ka nevojë për më shumë ndërgjegjësim. Duhet gjetur një zgjidhje afatgjatë”, shprehet ai.
Kosto në rritje dhe mungesë trajtimi të diferencuar
Të dhënat e raportit të performancës 2025 të Bashkisë Shkodër tregojnë se menaxhimi i mbetjeve urbane mbetet një nga shërbimet me ndikimin më të madh financiar dhe operacional.
Sipas të dhënave nga Bashkia Shkodër, depozitohen mesatarisht 90 – 98 ton mbetje në ditë gjatë periudhës normale të vitit. Kjo sasi përfshin jo vetëm mbetjet urbane të grumbulluara nga kontenierët, por edhe mbetjet inerte, mbetjet e gjelbra dhe ndërhyrjet në pika problematike të identifikuara në territor.

Në sezonin veror, sasia e mbetjeve rritet ndjeshëm, duke arritur në 150–160 ton në ditë. Rritja sezonale prej afro 60 për qind lidhet me fluksin turistik, shtimin e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e konsumit gjatë muajve të verës.

Bazuar në Censusin 2023, Bashkia Shkodër ka 102,434 banorë. Në raport me volumin e mbetjeve të depozituara dhe fluksin sezonal, niveli i gjenerimit të mbetjeve konsiderohet i lartë, duke reflektuar presionin që ushtron territori urban dhe aktiviteti turistik mbi sistemin vendor të pastrimit.
Nga ana financiare, të ardhurat nga tarifa e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve për vitin 2024 rezultojnë rreth 180 milionë lekë, ndërsa shpenzimet totale për këtë shërbim arrijnë në mbi 208 milionë lekë. Pavarësisht performancës së mirë në mbledhjen e tarifave, diferenca mes kostove dhe të ardhurave tregon se shërbimi vazhdon të subvencionohet nga buxheti qendror.
Në këtë kontekst, reduktimi i sasisë së mbetjeve që depozitohen në landfill merr rëndësi jo vetëm mjedisore, por edhe financiare. Sa më e madhe sasia e mbetjeve që grumbullohet, transportohet dhe depozitohet, aq më të larta janë kostot për bashkinë. Pikërisht në këtë pikë synojnë të ndërhyjnë modelet e ekonomisë qarkulluese, të cilat fokusohen në ripërdorimin, riciklimin dhe reduktimin e mbetjeve që përfundojnë në landfill.
Raporti i performancës evidenton gjithashtu se mbulimi i popullsisë me shërbimin e menaxhimit të mbetjeve arrin në rreth 73 përqind të popullsisë totale të bashkisë ku një pjesë e zonave të thella malore nuk përfshihet për shkak të mungesës së infrakturës rrugore, ndërsa frekuenca e grumbullimit në zonat urbane dhe turistike arrin deri në 7.7 herë në javë. Në zonat rurale, frekuenca mesatare prej 2.5 herë në javë konsiderohet e mjaftueshme.
Megjithatë, një nga problematikat kryesore mbetet mungesa e trajtimit të diferencuar të mbetjeve, veçanërisht për mbetjet e gjelbra dhe ato voluminoze. Në shumë raste, degë pemësh, mbetje bujqësore apo orendi të vjetra depozitohen pranë kontenierëve urbanë dhe trajtohen si mbetje të zakonshme, duke rritur kostot operative dhe volumin e mbetjeve që përfundojnë në landfill.
Mbetjet si burim dhe jo vetëm si problem
Sipas ekspertit Imeldi Sokoli, Shkodra ka krijuar një eksperiencë të gjatë në menaxhimin e mbetjeve urbane, por sfida mbetet ndryshimi i mënyrës se si shihen mbetjet. “Mbetjet nuk janë thjesht një produkt pa vlerë, por një aset që mund të gjenerojë përfitime ekonomike dhe mjedisore”, thotë ai.
Sipas Sokolit, një nga elementët më të rëndësishëm të menaxhimit modern të mbetjeve është reduktimi i sasisë që përfundon në landfill përmes ndarjes në burim, riciklimit dhe kompostimit. Kjo jo vetëm ul kostot e transportit dhe depozitimit, por krijon edhe mundësi për të ardhura nga materialet e riciklueshme dhe përdorimin e plehut organik në bujqësi e hapësirat e gjelbra.
Eksperti thekson gjithashtu se menaxhimi i mbetjeve duhet të mbetet një shërbim publik në funksion të qytetarëve. Sipas tij, bashkitë duhet të forcojnë gradualisht kapacitetet për ta administruar vetë këtë shërbim, pasi përvoja ka treguar se delegimi i plotë tek operatorët privatë nuk ka dhënë gjithmonë rezultatet e pritshme. “Fuqizimi i rolit të bashkive mund të sjellë një shërbim më efikas, më ekonomik dhe më pranë nevojave të komunitetit”, përfundon Sokoli.

Modeli i ripërdorimit dhe ekonomia qarkulluese
Bashkia Shkodër është bërë pjesë e një projekti që synon të testojë ekonominë qarkulluese. Më konkretisht, falë projektit REUSEFUL, i financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të programit IPA Adriatic-Ionian, Bashkia parashikon ngritjen e një qendre ripërdorimi në Shkodër, me fokus grumbullimin, riparimin dhe rikthimin në përdorim të sendeve që ende kanë vlerë funksionale, si mobilie, pajisje elektro-shtëpiake, biçikleta, libra apo veshje.
“Projekti konsiston në ngritjen e një qendre për grumbullimin dhe magazinimin e mbetjeve që nuk duhet të përfundojnë në landfill, por që mund të ripërdoren dhe të rikthehen në shërbim të qytetarëve apo komuniteteve në nevojë, përmes riparimit dhe rivënies së tyre në përdorim”, shprehet Bekim Mema, Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë Shkodër.
Qendra e ripërdorimit që parashikohet të ngrihet në Shkodër do të ketë një sipërfaqe prej rreth 750 metra katrorë dhe do të funksionojë si një hapësirë grumbullimi dhe shpërndarjeje për sende të përdorura në gjendje të mirë.
Sipas dokumentacionit të projektit, objektivi është që përmes ngritjes së kësaj qendre të reduktohet deri në 30 për qind sasia e mbetjeve që aktualisht përfundojnë në landfill. Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e mobilieve, pajisjeve elektro-shtëpiake, librave, lodrave, biçikletave dhe artikujve të tjerë që sot trajtohen si mbetje mund të riparohen, ripërdoren ose t’u shpërndahen familjeve dhe komuniteteve në nevojë.
Megjithatë, ky mbetet një objektiv i projektit dhe jo një rezultat i arritur, ndaj ndikimi i tij real do të duhet të vlerësohet përmes të dhënave konkrete që do të prodhohen pas vënies në funksion të qendrës. Projekti do te nis zbatimin këtë vit për t’u përmbyllur në vitin 2028.
Një model për të gjithë vendin
Ndërsa Bashkia Shkodër po teston modele të reja të ekonomisë qarkulluese përmes projektit REUSEFUL, sfidat mbeten të lidhura me rritjen e kostove, zgjerimin e mbulimit të shërbimit dhe reduktimin e sasive që përfundojnë në landfill.
Sipas ekspertit Imeldi Sokoli ky projekt është një hap pozitiv drejt ndërtimit të një sistemi të menaxhimi të mbetjeve: “Një nga hapat e parë është krijimi i pikave stacionare për grumbullimin dhe ndarjen e mbetjeve. Më pas duhet të vazhdohet gradualisht, zonë pas zone, me sisteme më të avancuara të grumbullimit dhe riciklimit, përfshirë edhe mbledhjen derë më derë. Kjo është një teknikë që përdoret kryesisht në zona me densitet më të ulët, por që krijon mundësi më të mëdha për ndarjen dhe riciklimin e mbetjeve. Njëkohësisht është e rëndësishme që bashkia të forcojë rolin e saj në ofrimin e drejtpërdrejtë të shërbimit publik, duke krijuar më shumë fleksibilitet dhe mundësi për përmirësimin e vazhdueshëm të menaxhimit të mbetjeve në zonat urbane”, shprehet Sokoli.
Për momentin, REUSEFUL mbetet një nismë që synon të testojë në Shkodër një model të ri të menaxhimit të mbetjeve, të bazuar te ripërdorimi dhe ekonomia qarkulluese. Nëse objektivi për reduktimin deri në 30 përqind të mbetjeve që depozitohen në landfill do të realizohet, kjo mund të sjellë jo vetëm përfitime mjedisore, por edhe ulje të kostove të menaxhimit për bashkine si dhe një model që mund të përsëritet edhe në bashki të tjera të vendit.
Megjithatë, ndikimi real i projektit do të mund të vlerësohet vetëm pas vënies në funksion të qendrës së ripërdorimit dhe publikimit të të dhënave mbi rezultatet e saj. Deri atëherë, sfida për Shkodrën mbetet kalimi gradual nga modeli tradicional i depozitimit drejt një sistemi më të qëndrueshëm, ku mbetjet shihen jo vetëm si problem, por edhe si burim me vlerë ekonomike dhe sociale.
Sipas ekspertëve, suksesi i çdo modeli të ri të menaxhimit të mbetjeve nuk varet vetëm nga infrastruktura apo investimet publike, por edhe nga përfshirja e qytetarëve. Ndarja e mbetjeve në burim, respektimi i pikave të grumbullimit dhe ndërgjegjësimi për ripërdorimin e materialeve konsiderohen elementë kyç për funksionimin e ekonomisë qarkulluese. Pa pjesëmarrjen aktive të komunitetit, edhe projektet më të avancuara të menaxhimit të mbetjeve rrezikojnë të mos japin rezultatet e pritshme.







