E gjithë popullsia e vaksinueshme ose rreth 2.2 milionë individë, duhej të ishin vaksinuar kundër Covid-19, deri në fund të shkurtit 2022. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se është vaksinuar vetëm 52% e popullatës, duke pranuar kështu dështimin e zotimit të dhënë gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Ndërkohë ekspertët japin të tjera shifra, sipas të cilave rezulton se më pak se gjysma e tyre ka marrë vaksinën anti-Covid, ndërsa analizojnë arsyet përse fushatat për nxitjen e vaksinimit, nuk arritën pritshmëritë.
—————–
“Garantojmë vaksinimin për të gjithë popullsinë mbi 16 vjeç deri në shkurt 2022”, përcaktohet në programin qeverisës 2021-2025.
Screenshot nga programi qeverisës, 2021-2025
Këtë premtim e artikuloi edhe Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu më 11 mars 2021, e ftuar në emisionin Opinion kur tha që vaksinimi i plotë I popullatës kundër Covid 19, do përfundonte brenda 14 muajve (duke llogaritur që fushata e vaksinimit nisi në janar 2021).
“Plani ynë ambicioz është 14 muaj dhe i qëndrojmë, sepse ne kemi një element shumë të rëndësishëm që nuk duhet ta harrojmë që kemi një sistem kapilar në të gjithë Shqipërinë që na ka dhënë neve mundësinë të vaksinojmë në masë, pra në çdo zonë dhe ky është një sistem i trashëguar.”- tha Manastirliu në 11 mars 2021.
Në lidhje me këtë zotim të qeverisë, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më 7 shkurt 2022.
Kërkesa për informacion dërguar MSH, 7 shkurt 2022
Ne morëm një përgjigje nga ky institucion në lidhje me shifrat e vaksinimit, pas ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit.
Nëpërmjet një shkrese zyrtare që mban datën 3 mars, të mbërritur në zyrat e Faktoje më 4 mars, Ministria e Shëndetësisë sqaron se deri në 7 shkurt 2022 është vaksinuar 52% e popullatës.
“Numri i popullatës target për vaksinim (+15 vjeç) referuar dhe INSTAT është mbi 2.300.000 banorë. Deri në datën 7 shkurt 2022 rezulton se mbi 52% e popullatës target për vaksinim është e vaksinuar me vaksinën anti-Covid. Në popullatën target për vaksinim bazuar edhe në udhëzimin janë aplikuar vaksinat Pfizer/BioNTech, Astrazeneca, CoronaVac dhe Sputnik V” – thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Përgjigjia e Ministrisë së Shëndetësisë për Faktoje
Nga ana tjetër, më 28 shkurt, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se në total janë vaksinuar me dy doza 55% e popullsisë. Gjithashtu ajo sqaroi se 55 mijë shqiptarë e kanë kryer vaksinën jashtë vendit.
“Aktualisht janë kryer më shumë se 2.6 milionë aplikime dhe ndërkohë që kemi vijuar edhe me një proces tjetër për sa i përket grumbullimit të të gjithë dokumentacionit të qytetarëve shqiptarë që janë vaksinuar jashtë vendit, por që rezultojnë të kenë aplikuar vaksinën, të cilët janë mbi 55 mijë qytetarë që kanë kryer vaksinat jashtë vendit dhe janë përllogaritur në totalin e aplikimeve të dozave që shkojnë rreth 2.7 milionë aplikime për qytetarët shqiptarë, duke bërë që të kemi një përqindje të mbulesës vaksinale me një dozë për popullatën target +16 vjeç 59.3 % dhe mbi 55% me dy doza”- njoftoi ministrja Ogerta Manastirliu.
Në lidhje me çështjen e vaksinimit dhe sa është përmbushur objektivi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faktoje bisedoi me ekspertin e Shëndetit Publik, Erion Dasho. Mjeku i njohur jep të tjera shifra vaksinimi të popullatës, duke theksuar se në vendin tonë aktualisht janë vaksinuar me dy doza vetëm 41% e popullsisë. Dasho shton se ka dështuar objektivi i MSH, pasi popullata është masivisht e pavaksinuar.
“Me 44% të vaksinuar me dozën e parë dhe 41% me dozën e dytë, Shqipëria është shumë larg objektivit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe mendoj se tashmë ky objektiv ka dështuar, sepse muaji shkurt ka kaluar dhe e shohim që popullata është masivisht e pavaksinuar.”
Duke bërë një analizë të arsyeve pse dështoi zotimi për vaksinimin e plotë të popullsisë kundër Covid 19, Dasho jep këto argumenta:
“Nuk mund të ndodhte ndryshe në kushtet kur kishim një program vaksinimi të konceptuar keq, i cili filloi me vaksina të sjella në fshehtësi dhe pa u deklaruar origjina. U pasua nga një program blerje vaksinash jo transparent, ku çmimet asnjëherë nuk u deklaruan dhe u desh investigimi i medias që çmimet të bëheshin publike. Një fushatë vaksnimi që u zhvillua paralelisht në fushatat elektorale të partisë në pushtet dhe mbi të gjitha sigurimi i vaksinave me origjinë nga Kina.
Vaksina, të cilat asnjëherë nuk u certfikuan nga EMA europiane ose FDA amerikane, pra vaksina mbi të cilat ekziston një pikëpyetje për vlefshmërinë dhe efektshmërinë e tyre. Në këto kushte, fushata e vaksinimit ishte e paracaktuar të dështonte dhe mund të quhet një dështim i plotë në të gjitha aspektet”- sqaron Dasho.
Më tej ai thekson:
“Blerja e vaksinave të tjera, qoftë nëpërmjet Covax, qoftë nëpërmjet blerjeve direkt më duket e pakuptimtë, në kushtet kur popullata shqiptare ka refuzuar vaksinimin. Sigurisht duhet që të paraprihet çdo ardhje dhe blerje vaksinash me një fushatë të tipit promocioni i shëndetit ku qytetarët të binden për dobinë e vaksinës, e cila nuk vihet në dyshim sot.
Të sillen vaksina të sigurta dhe cilësore dhe të përpiqet që të kapërcehet ai hendek që është krijuar mes besimit të popullatës dhe asaj ç’ka synon të realizojë qeveria. Megjithatë mendimi im personal është që është e pamundur që Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria shqiptare të rifitojnë besimin e popullatës. Ky besim është shkatërruar që në momentin kur qeveria i la në baltë qytetarët, kur vitin e kaluar qytetarët shqiptarë i kthyen shtëpitë e tyre në spitale gjigante dhe kur e gjithë Shqipëria u kthye në një spital gjigand ku me mijëra shqiptarë humbën jetën. Mendoj se vaksinat duhet të vazhdojnë të aplikohen bazuar mbi rekomandimet e institucioneve prestigjoze ndërkombëtare”.
Më datë 8 shkurt, në një intervistë për mediat, ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Iria Preza bëri publike disa shifra mbi ecurinë e vaksinimit në vendin tonë.
“Me dozë të parë kemi mbulesën rreth 56%, ndërkohë që dozë të dytë kanë marrë rreth 51% e popullatës target. 9% e popullatës target kanë kryer vaksinimin me dozë të tretë”.
Më tej ajo sqaroi se grupmosha mbi 60 vjeç është ajo me mbulesën më të madhe të vaksinimit: “18-24 vjeç kemi rreth 33% me dozën e parë, ndërkohë që 28% kanë marrë dozën e dytë. Shikojmë një ecuri të mirë te grupmosha 25-39 vjeç, me dozë të parë janë 47% e kësaj grupmoshe dhe të dytë rreth 43% e kësaj grupmoshe”.
Në gusht të vitit të kaluar, Faktoje analizoi përmes një artikulli se çfarë e kërcënonte përmbushjen e premtimit të qeverisë për vaksimin e gjithë popullësisë kundër Covid 19, në pranverë të vitit 2022. Që në atë periudhë, eksperti Ilir Alimehmeti Ilir Alimehmeti ishte skeptik për afatin e shpallur nga qeveria.
“Kjo varet nga përkufizimi i fjalës përfundim. Pra nëse është përqindje e popullatës, atëhere varet sa është vendosur kjo përqindje. Në Izrael është vërejtur se vaksinimi i 78% të popullatës nuk ka ofruar zhdukje të valës epidemiologjike për shembull, por ka ofruar ulje të rasteve të rënda. Pra, në varësi të përqindjes duhet ta diskutojmë. Kujdes ama një element! Nëse vendoset vaksinimi me detyrim, atëhere shumë persona do të bëjnë vaksinime fiktive. Pra, do të merren vesh me injektuesit e vaksinave dhe do të shënohen si të vaksinuar, por në fakt vaksina është hedhur dhe nuk është injektuar. Ka mjaft raportime që kjo ka ndodhur në verë në Shqipëri, sidomos nga emigrantë dhe nga persona që kanë dashur të udhëtojnë, por nuk dimë sa mund të jetë kjo përqindje. Le të shpresojmë që është e ulët. Por nëse bëhet me detyrim, kjo përqindje do të rritet shumë dhe do të rrezikojmë në periudhë afatmesme shumë situata të pafavorshme.”- theksonte eksperti Alimehmeti për Faktojen në gusht 2021.
Aktualisht, qeveria është ende në pritje të kontigjenteve të tjera me vaksina anti-covid, në kuadër të sistemit Covax, por nga ana tjetër ritmi i vaksinimeve ka ardhur vazhdimisht në rënie. Nëse në muajin tetor 2021 përshembull raportoheshin 6-7 mijë vaksinime në 24 orë, tani ato kanë rënë në rreth 2000 vaksinime në ditë. Data e fundit e përditësimit nga Ministria e Shëndetësisë për numrin e vaksinimit ka qenë në 2 mars.