Pretendimi: Vaksinat mARN përmbajnë pllaka oksidi grafeni që bllokon zemrën e njeriut
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————
Më 18 shtator 2024, deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani ndërroi jetë në moshën 44-vjeçare prej një arresti kardiak.
Vdekja e tij tragjike në moshë të re është përdorur së fundi nga konspiracionisti Alfred Cako për të shtjelluar tezat e tij anti-vaksinë në një video të postuar në rrjete sociale.
Në një pjesë të videos 4-minutëshe Cako përsërit pretendimin e përgënjeshtruar se vaksinat mARN përmbajnë oksid grafeni. “Mjeko-ligjorët duhet të thonë nëse ka patur ndonjë çarje të aortës si rezultat i vaksinave dhe i atyre pllakave të oksidit të grafenit, të cilat bëjnë pikërisht këtë punë, çajnë enët e brendshme të gjakut, sidomos aty në vendet ku janë më të ngushta, duke shkaktuar vdekjet nga zemra,” thotë Cako, duke listuar gjithashtu dhe një sërë simptomash, përgjegjësinë për të cilat ia vesh të plotfuqishmit oksid grafeni.
Siç Faktoje ka shpjeguar edhe më parë, vaksinat kundër Covid-19, mARN apo jo, nuk përmbajnë oksid grafeni.
Oksidi i grafenit është një “material me një shtresë një-atomike” i përftuar përmes oksidimit të grafitit. Kur reduktohet kimikisht, oksidi i grafenit mund të krijojë grafen, i cili është përshkruar si “materiali më i fortë, më i hollë dhe më përçues në tokë”.
Ekspertët mjekësorë shpjegojnë se ky përbërës, i cili është studiuar për aplikime të shumta biomjekësore, duke përfshirë biosensorët dhe shpërndarjen e barnave, mund të jetë toksik për njerëzit në sasi të caktuara. Por në rastin e përdorimit të tij në vaksinat e mundshme, hulumtimet aktuale tregojnë se ato do të përmbajnë sasi kaq të vogla sa që nuk do të ishin toksike për qelizat njerëzore.
Megjithtë, asnjë lloj grafeni apo materiali me bazë grafeni (si oksidi i grafenit) nuk përfshihet në listën e përbërësve të vaksinave të miratuara për përdorim në Europë.
“[Grafeni] nuk është në listën e përbërësve dhe nuk ka asnjë mënyrë që të mund të jetë i pranishëm,” tha për Associated Press Allen Myerson, profesor i inxhinierisë kimike në MIT.
Sipas Graphene Flagship, një projekt shkencor hulumtues mbi grafenin i financuar nga Komisioni Europian, megjithëse ka aplikime potenciale premtuese për materialet me bazë grafeni, asnjë produkt me këto materiale nuk është miratuar për përdorim tek njerëzit në Europë.
Pretendimi se vaksinat anti-Covid përmbajnë grafen ose oksid grafeni është përgënjeshtruar në mënyrë konsistente edhe nga faktverifikues ndërkombëtarë.