BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI keqinterpretuar studimi që provon praninë e oksidit të grafenit në vaksinat Covid

I keqinterpretuar studimi që provon praninë e oksidit të grafenit në vaksinat Covid

Vaksinat kundër Covid-19 nuk përmbajnë oksid grafeni, siç pretendojnë disa postime të shpërndara në rrjetet sociale. Ekspertë të mjekësisë kanë konfirmuar se informacionet e publikuara nuk kanë asnjë bazë shkencore.

Një postim i shpërndarë në Facebook më 20 maj, pretendon se vaksinat e Covid-19 përmbajnë oksid grafeni. Krahas postimit është bashkëngjitur edhe një link, për të mbështetur këtë teori konspirative.

FDA konfirmon që shiringat COVID përmbajnë oksid grafeni‼ Një nga dokumentet më të fundit të publikuar nga FDA, i paraqitur si 125742_S1_M4_4.2.1 vr vtr 10741.pdf, konfirmon përdorimin e oksidit të grafenit në procesin e prodhimit të vaksinës Covid-19 të Pfizer”, shkruajnë përdoruesit e rrjeteve sociale.

Screenshot, postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Nëse do të klikojmë dhe shohim artikullin e publikuar në Gjermani më 15 maj 2023, artikull i cili sillet si provë ku mbështetet postimi, vihet re se që në krye të tij ka një korrigjim, ku shpjegohet: “Korrigjuar më 17.5. 2023: Studimi i zbardhur nga FDA, sipas mendimit tonë dhe pas rishikimeve të shumta, nuk tregon se oksidi i grafenit është i pranishëm në vaksinat e Covid. Studimi thekson vetëm se oksidi i grafenit është përdorur për të analizuar një kampion proteine nën mikroskopin krio-elektronik”.

Gjithashtu, mjafton të bëjmë një kërkim të thjeshtë në internet për të parë përbërjen e vaksinave të Covid, për të cilat ka aludime se përmbajnë këtë substancë. Në faqen e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC mund të gjejmë çdo informacion për sa i përket vaksinave.

Vaksinat nuk përmbajnë oksid grafeni dhe kjo është konfirmuar nga FDA edhe për kolegët e verifikimit të fakteve të “Associated Press”.  Ekspertët kimikë dhe mjekësorë konfirmuan për “Associated Press” se nuk ka asnjë mënyrë që oksidi i grafenit të gjendet në vaksinë.

Nuk është në listën e përbërësve dhe nuk ka asnjë mënyrë që të jetë i pranishëm“, tha Allen Myerson, një profesor i inxhinierisë kimike në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts.

Absolutisht pa sens” tha Dr. Paul Offit, një ekspert vaksinash në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias, duke iu referuar pretendimeve të ngritura.

Gjithashtu, Forbes ka verifikuar se pretendimet e ngritura janë të rreme. Dy vite më parë, edhe verifikues të vakteve të “Vërtetëmatës” kanë konfirmuar se nuk ka asnjë provë që vaksinat përmbajnë oksid grafeni. 

Vaksinat e Covid-19 janë në qendër të debateve dhe kanë ngjallur diskutime të shumta për sa i përket sigurisë dhe efektivitetit të tyre, duke ngritur edhe shumë pikëpyetje, por studime te shumta shkencore kanë provuar se ato janë të sigurta.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img