BallinaPertejNë kërkim të vaksinave të gripit sezonal, as farmacitë nuk kanë

Në kërkim të vaksinave të gripit sezonal, as farmacitë nuk kanë

“Si asnjëherë më parë në Shqipëri vaksinimi i gripit nisi më herët se çdo vit si rezultat i masave të marra nga qeveria”-kështu shkruan kryeministri Edi Rama në rrjetin e Facebook në datën 30 shtator 2020, të njëtën ditë kur Ministrja e shëndetësië Manastirliu njoftoi nisjen e fushatës së vaksinimit. 

 

Faktoje bëri një vëzhgim në Tiranë Durrës, Shkodër dhe Kukës ku mësuam se vaksina e gripit nuk ka mbërritur as nëpër farmacitë private. Ndërsa në qendrat shëndetësore, ose janë mbaruar sasitë e kontigjentit të parë ose numri i vaksinave gjendje është disa herë më i vogël se numri i individëve që duhet të vaksinohen falas.

Ka qytetarë që në mungesë të vaksinës në qendrën shëndetësore kanë rendur në farmaci, pasi edhe mjeku e ka këshilluar që efekti i vaksinës është në këtë sezon.

Jemi në datën 22/10/2020 dhe askush nuk di të na japë një information të saktë se kur do të nisë shpërndarja e  tyre nëpër farmaci. Ne bëmë një vëzhgim për të  parë se çnodh me kërkesën për vaksina në farmacitë e disa qyteteve.

Tiranë

“Fund tetori fillimi i nëntorit kështu na kanë thënë depot, por ne nuk dimë gjë a do vijë apo jo” – i tha Faktojes D.R farmacia e të cilës ndodhet në një prej pikave më të populluara të kryeqytetit.

“Njerzve po u ikën durimi ashtu si edhe neve, por nuk kemi çfarë të bëjmë duhet të presim. Ende nuk e dimë se kur do ta sjellin, na thanë në tetor pastaj nga mesi i tetorit, ndërsa  pardje na lajmëruan që do t’i sjellin në fillim të nëntorit”- shprehet një tjetër farmaciste në Tiranë.

Çfarë thonë qendrat shëndetësore?

Faktoje pyeti në dy qendra shëndetësore të Tiranës dhe mësuam se ka përfunduar kontigjenti i parë i vaksinave të mbërritura, por kërkesat janë të larta.

“Nuk ka ditë që nuk vijnë dhe na pyesin, por as ne nuk kemi një informacion të saktë se kur do të vijë kontigjenti i dytë”-na tregojnë kur pyesim te informacioni i qendrës shëndetësore nr. 1 në kryqytet.

Më tej  na tregojnë se Qendra Shëndetësore Nr 1 ka vendosur edhe numrin e  telefonit të afishuar  për t’ua bërë më të lehtë qytetarëve marrjen e  këtij informacioni.

E njëjta histori përsëritet edhe në qendrën shëndetësore nr 9 ku  mësojmë se ka përfunduar vaksinimi për 700 individë dhe tani është në pritje të vaksinave të tjera.

“Aq të mëdha janë kërkesat saqë në më pak se një javë kemi mbyllur së bëri 100 doza pra diku te 200 persona të vaksinuar”-shprehet vaksinatorja L.M.

Radhët përpara derës ku bëhet vaksinimi nuk mungojnë pasi, jo të gjithë janë në dijeni të përfundimit të kontigjentit të parë.

“Nuk mund të pres sa të vijë nëntori, deri atëherë më ka zënë gripi dy herë”-shprehet e revoltuar një pensioniste 75 vjeçare e cila na  tregon se vjen pothuajse çdo ditë për të pyetur për mbërritjen e vaksinës.

Edhe vitin e  kaluar  qendra nr. 9 është furnizuar vetëm me 760 doza për vaksinën e gripit, ndërkohë që  qendër mbulon  70 000 banorë. *linku i lajmit të vitit të kaluar

 

Kukës

 

Shefja e  vaksinimit

“Procesi i vaksinimit  ka nisur prej dy javësh, kemi marrë vetëm sasinë e parë që është 1200 doza  nga 5600  që duhet të vijnë. Janë  shpërndarë duke u bazuar në popullsinë e çdo njësie administrative. Grupi i parë që është vaksinuar është personeli shëndetësor.”-shpjegon Shefja e vaksinimit  në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Kukës, Denisa Duraku.

Sipas saj, kërkesat më të mëdha  për  kryerjen e kësaj vaksine  kanë ardhur nga të sëmurët  me probleme  kardiovaskulare.

“Kërkesat vazhdojnë, por nuk kemi një informacion se kur do të vijnë dozat e dyta. Vitin e kaluar kemi pasur diku te 5000 kërkesa për kryerjen e kësaj vaksine, por sigurisht nuk kemi mundur ta mbulojmë dhe nuk mund të mbulohet kur bëhet falas”-shton ajo më tej.

 

Faktoje e vazhdoi  vëzhgimin nëpër farmacitë e qytetit të Kuksit ku në asnjërën prej tyre nuk kishte mbëritur vaksina, ndërsa kërkesat kanë qenë të shumta.

“Nuk kemi asnjë informacion, vijnë pyesin çdo ditë sidomos të moshuarit, por nuk dimë çfarë t’u themi” –shprehet një farmaciste.

Shkodra

Gëzim Vejuka, ndihëspidemiolog në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër  na informoi  se nga ky institucion janë shpërndarë 870 doza nëpër qendrat shëndetësore të qytetit, nga 5100  doza të cilat janë caktuar nga ISHP.

“Janë shpërndarë 870 nga të cilat 60 doza I kemi akoma në gjendje “-shprehet Vejuka.

*Vaksinate gripit sezonal në një qendër shëndetësore në Shkodër/foto Aurora Shpataj

Ashtu si në qytetet e tjera në të cilat është bërë vëzhgimi, edhe në farmacitë e Shodrës ende nuk kishte mëbrritur vaksina e gripit.

“Jemi në pritje. Nuk kanë ardhur dhe nuk e dimë se kur do të vijnë, na kanë thënë për fundin e muajit tetor”-shpjegon një farmaciste në qendër të qytetit.

Durrës

“Nuk kemi vaksina dhe nuk kemi asnjë informacion as nga depot se kur do të vijnë. Edhe ne si qytetarët jemi çdo ditë në pritje”-na informuan pasi u interesuam në farmacitë e Durrësit. Edhe në këtë qytet si afat i afërt është lënë fundi I tetorit, por jo një datë e saktë.

Çfarë thonë Depot Farmaceutike për vaksinën e gripit sezonal

Në Tiranë u interesuam në tre depo farmaceutike për të mësuar se kur mbërrijnë vaksinat e gripit, por në dy prej tyre askush nuk kishte një datë të saktë. Sipas informacionit që morëm, nisur nga situata e Covid-19 vaksina e gripit sezonal është vonuar që në prodhim gjë që po reflektohet më pas edhe te furnizuesit.

 

A po skadon afati i vaksinës së gripit sezonal?

Faktoje komunikoi me Erida Nelajn specialiste e vaksinimit pranë ISHP, të cilën e pyeti nëse një vonesë e tillë do të ndikojë në përhapjen e virusit të gripit. Ajo u përgjigj se jemi ende në kohë për të përfituar.

Por Erion Dasho, specialist I shëndetit Publik nuk ndan të njëjtin mendim.

“Si rregull vaksina e gripit duhet të realizohet dy javët e para të muajit shtator dhe ky është kalendari i vaksinimit në Europë. Kjo bëhet në mënyrë që organizmit t’i jepet mundësi të krijojë anti trupa dhe të mbrohet nga epidemitë sezonale të gripit”-thotë ai.

Ardhja e vaksinës në fund të tetorit ose fillim të nëntorit sipas Dr.Dashos është shumë e vonuar dhe flet për një dështim të zinxhirit logjistik, duke filluar  nga blerja e duke vazhduar me shpërndarjen dhe vendosjen në dispozicion të qytetarëve.

“Natyrisht nëse nuk ka vaksina dhe fillon përhapja e epidemisë së gripit, popullata do të preket  lehtë. Simptomat e gripit dhe Covidit janë shumë të ngjashme dhe janë  këmbanat e alarmit që ne kemi ngritur prej kohësh. Do të kemi një mbivendosje të virozave një rritje të të infektuarve.” -thotë Dasho.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img