.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVaksina e Covid që administrohen nga ajri mbetet ende hipotezë, asnjë aprovim nga autoritetet

Vaksina e Covid që administrohen nga ajri mbetet ende hipotezë, asnjë aprovim nga autoritetet

Një vaksinë nazale mRNA e testuar te minjtë, nuk është miratuar për testim njerëzor dhe as nuk është financuar nga Bill Gates, siç pretendohet në postime të shpërndara në mediat sociale. Në verifikimin e Faktoje tregohet se nuk është krijuar asnjë vaksinë që të funksionojë nëpërmjet ajrit.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale në Shqipëri aludojnë se Bill Gates ka krijuar një vaksinë ajrore, për njerëzit, të cilët nuk pranojnë që të vaksinohen.

“Vaksina ajrore mRNA e Bill Gates është miratuar për përdorim te njerëzit që nuk pranojnë. Sipërmarrja e fundit e Bill Gates për të vaksinuar në masë miliarda njerëz në mbarë botën me ‘vaksinën e ajrit’ të tij mRNA, ka marrë miratimet fillestare nga shumë qeveri”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Verifikimet e bëra tregojnë se shkak për qarkullimin e një informacioni të tillë është bërë një faqe në internet që mban emrin “The People’s Voice”, e verifikuar edhe më parë si përhapëse e lajmeve dezinformuese. Kjo faqe i referohet studimit të vitit 2023 të Universitetit ‘Yale’ mbi nanogrimcat polimere që përmbajnë mRNA dhe i referohet formulës si “sipërmarrja e re e Bill Gates”.

Më tej, në artikull pretendohet se formula e zhvilluar për studimin është miratuar për të vaksinuar në masë miliarda njerëz në mbarë globin.

Mirëpo, në lidhje me këto supozime, Mark Saltzman, profesor i Inxhinierisë Biomjekësore të Fondacionit Goizueta në Shkollën e Inxhinierisë dhe Shkencës së Aplikuar në Yale dhe autori i vjetër i studimit tha për “Reuters” se studimi nuk mori asnjë financim nga Bill Gates ose fondacioni i tij.

“Formula e zhvilluar nga ekipi i ‘Yale’ nuk është miratuar as për t’u vlerësuar e gjykuar mbi njerëzit dhe as nuk është në pritje të ndonjë miratimi”, shtoi Saltzman.

“Ky studim bazë shkencor zbuloi se molekulat e mRNA të dorëzuara në mënyrë intranazale në mushkëritë e kafshëve të përfshira në kërkim, mund të përdoret për t’i vaksinuar në mënyrë efektive kundër virusit COVID.

Por, ndryshe nga raportimet në mediat sociale, kjo teknikë nëpërmjet ajrit nuk do të funksiononte te njerëzit dhe në këtë studim nuk janë përfshirë njerëzit. Njerëzit duhet të marrin një dozë të kontrolluar që administrohet direkt në hundë”, tha Saltzman për “Reuters”.

Në asnjë raportim nga mediat e rëndëishme botërore nuk ka lajme që studiuesit të kenë kërkuar ose marrë miratimin për të testuar formulën e tyre te njerëzit.

Gjithashtu, në verifikimin e bërë nga kolegët e “Reuters”, nuk ka asnjë raportim të besueshëm mbi përfshirjen e pretenduar të Bill Gates në studim.

Faqja e internetit e Fondacionit Bill dhe Melinda Gates, e cila dokumenton punën dhe investimet e Gates për zhvillimin e vaksinave, nuk përmend kërkimin e ‘Yale’.

Lista e donatorëve që financuan studimin e ‘Yale’ gjendet në faqen e tyre të internetit, ku përfshihen Biblioteka Kombëtare e Mjekësisë dhe tregon 7 grante të veçanta nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe një nga Instituti Mjekësor privat ‘Howard Hughes’.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img