Foto e një salle të mbushur me çfarë duken si kufoma po qarkullon në rrjet si të jetë foto e viktimave në konfliktin mes Hamasit dhe Izraelit. Verifikimi i Faktoje zbuloi se foto është marrë nga një performancë e mbajtur në 2022 në Bali, Indonezi.

————————————————-

Ndërsa bombardimet izraelite në Gaza kanë lënë mijëra persona të vdekur brenda 3 javëve, në rrjete sociale po qarkullon një foto që pretendohet se tregon trupat e disa prej këtyre viktimave të shtrirë në një dhomë dhe të mbuluar me çarçafë të bardhë. Video e postuar në 20 tetor është ndarë mbi 43 herë nga ndjekës të ndryshëm si dhe ka marrë dhjetëra komente ku theksohet zemërimi ndaj bombardimeve që po kryen ushtria izraelite në Gaza. 

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se foto e mësipërme është shkëputur nga një video e postuar në Youtube një vit më parë, në 31 tetor 2022.

Video nga është shkëputur foto e mësipërme

Duket se video tregon një performancë të mbajtur në Bali rreth një vit më parë. Sipas medias indoneziane “Detik”, performanca e drama-valles tradicionale Calonarang u mbajt në Tabanan, Bali. 

Personat e shtrirë në video, fatmirësisht, nuk janë trupa të vdekur, por ndjekës së organizatës fetare Mandala Suci që po luajnë rolin e 108 kufomave në performancën që mbështetej në teatrin “Katundung Ratna Manggali”.

Një video më e gjatë e kësaj performance mund të gjendet këtu