.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashUshtria izraelite nuk pranoi vrasjen gabimisht të 364 civilëve në koncertin muzikor

Ushtria izraelite nuk pranoi vrasjen gabimisht të 364 civilëve në koncertin muzikor

Ushtria izraelite nuk vrau gabimisht 364 civilë gjatë sulmit të Hamas në festivalin e muzikës “Supernova” në 7 tetor. Një investigim i gazetës izraelite Hareetz është keqinterpretuar nga burime palestineze duke krijuar këtë pretendim të rremë edhe në mediat shqiptare.

Artikuj të shpërndarë në media raportojnë se ushtria e Izraelit ka pranuar se është ajo shkaktarja e viktimave civile gjatë sulmit të armatosur në festivalin e muzikës ‘Supernova’ në 7 tetor.

Gazeta izraelite konfirmon pretendimin e Hamasit se civilët në festivalin e muzikës u qëlluan nga ushtria izraelite”-shkruan portali ‘Shenja’ në 19 nëntor.

Bëhet fjalë për festivalin muzikor Supernova të organizuar në shkretëtirën e Negevit, në një zonë rreth 6 kilometra larg Rripit të Gazës, ku më 7 tetor 2023 mbetën të vrarë rreth 364 civilë për shkak të sulmit të nisur nga grupi palestinez Hamas kundër Izraelit.

Ndër të tjera, në artikullin e publikuar thuhet se: “forcat izraelite e kishin të vështirë të identifikonin militantët e Hamasit, duke shtuar se pilotët e helikopterëve ‘përdorën artileri’ kundër civilëve në festival”.

Si burim të këtij informacioni, portali i referohet një artikulli të gazetës izraelite Haaretz, i cili nga ana e tij citon një “burim policor” anonim. Në videon që shoqëron këtë artikull të portalit Shenja, shkohet edhe më larg kur theksohet që prej sekuencës 0:45, se “sipas hetimeve paraprake një helikopter ushtarak u ngrit nga baza Ram David dhe shënjestroi luftëtarët e Hamasit nga ajri, por në vend të tyre vrau 364 pjesëmarrës të koncertit”. 

Kemi të bëjmë mesa duket me një keqintepretim të shkrimit të gazetës izraelite. Faktoje vendosi të verifikojë më tej këtë informacion dhe rezultoi se nga gazeta Haaretz nuk përmenden izraelitët e vrarë nga ushtria izraelite (IDF), por përkundrazi për “një helikopter luftarak i ushtrisë, i cili mbërriti në vend nga baza Ramat David që qëlloi mbi terroristët, ka shkaktuar viktima edhe në disa nga pjesëmarrësit në festë”. E njëjta gazetë mohoi të ketë pretenduar ndonjëherë se ushtria izraelite ka shkaktuar të gjitha viktimat civile në këtë ngjarje.

Ministria e Jashtme palestineze tërhoqi gjithashtu në 19 nëntor deklaratën e saj ku mohonte përgjegjësinë e Hamasit për masakrën e dhunshme në Izrael. Burimet palestineze thanë se publikimi i deklaratës nuk u miratua nga presidenti palestinez Mahmud Abbas. Në deklaratën e fshirë tashmë nga Ministria e Jashtme palestineze, pretendohej se zjarri nga “helikopterët izraelitë” shkaktoi vdekjen e të gjithë 364 pjesëmarrësve në festë. Ndryshe nga ajo që raportohet në këtë artikull dhe videon shoqëruese të tij, ushtria izraelite nuk ka lëshuar kurrë ndonjë komunikim zyrtar ku pranon se ka vrarë qytetarët e saj në Supernova.

Artikulli është verifikuar edhe nga kolegët italianë, të cilët konfirmuan se ka një pretendim të rremë bazuar mbi artikullin e gazetës Hareetz.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img