Urgjenca e QSUT, e cila duhet t’u shërbejë 100 mijë pacientëve ofron shërbim të kufizuar prej më shumë se një muaji. Masa e marrë nga Ministria e Shëndetësisë është zëvendësimi i kreut të qendrës spitalore me të madhe në vend. Çështja është nën hetim nga prokuroria dhe investimi i kryer nga kompania është brenda garancisë, Ende nuk dihet se kur kjo urgjencë do të jetë gati për t’i shërbyer qytetarëve.

Prej 11 shkurtit të këtij viti, urgjenca e spitalit qendror në QSUT është jashtë shërbimit, për shkak të një shkëndije elektrike në dhomën teknike të pajisjeve mjekësore. Pas ngjarjes,  Albana Fico, asokohe drejtoresha e “Qendrës Spitalore Universitare, Nënë Tereza”, tha për mediat:

“Është një dëm, në dijeninë time i kufizuar në vetëm një dhomë teknike. Por kjo nuk ka prekur asnjë gjë tjetër”.

Mirëpo, kur ka kaluar mbi një muaj e gjysmë nga zjarri urgjenca është pjesërisht jo funksionale. Kjo konfirmohet për Faktoje nga QSUT më 26 mars, pas një kërkesë për informacion dërguar në adresë të këtij institucioni.

“Aktualisht në Urgjencën Polivalente afrohet shërbim për urgjencat neurologjike, hemorragjitë gastrointestinale, urgjencat kirurgjikale ditët e shtuna dhe të diela, ugjencat për kardiokirurgjinë, si dhe të gjitha urgjencat ekstreme të cilat kërkojnë trajtim intensiv të menjëhershem.

Urgjencat për kirurgjinë vazale, urologjinë dhe toksikologjinë, menaxhohen në pavionet përkatëse. Pjesa tjetër e të sëmurëve trajtohet në Spitalin Universitar ‘Shefqet Ndroqi’ ose në Spitalin Universitar të Traumës”, bën të ditur QSUT.

Institucioni nuk jep informacion mbi vlerën e dëmit të shkaktuar, kush do ta paguajë këtë dëm dhe kur pritet të rikthehet në funksion urgjenca, me argumentin se çështja po hetohet nga Prokuroria.

“Deri në përfundimin e hetimeve nuk mund të shprehemi për sa kërkohet”, thekson QSUT.

Gjithashtu, zyrtarisht Qendra Spitalore thotë se godina e Spitalit Qendror është marrë përkohësisht në dorëzim nga një grup pune i QSUT më 17 mars 2023 dhe rrjedhimisht, ndërtesa ka qenë në garanci deri në atë datë.

Situata në Urgjencën e QSUT

Më 29 shkurt, Faktoje bëri një verifikim, ku konstuam se shërbimi i urgjencës ishte jashtë funksionit dhe se rastet urgjente niseshin drejt Sanatoriumit ose Spitalit të Traumës.

“Kam ardhur se kam djalin e dajës sëmurë nga zemra. Pardje në orën 11 të natës ka ardhur këtu, e kanë nis te Sanatoriumi se nuk funksiononte ajo aparatura dhe atje i vunë një unazë dhe dje e sollën prapë këtu”, tha për Faktoje një qytetare. Ne bëmë një tjetër verifikim më 27 mars mbi situatën në urgjencën qendrore. Konstatuam se hyrja kryesore e saj ishte ende e mbyllur.

Urgjenca e QSUT, 27 mars 2024

Hyrja për pacientët që mund të merrnin shërbim bëhej nëpërmjet një dere dytësore. Por, sipas pacientëve ofrohen vetëm shërbime bazike, si konsultë me mjekun apo injektimi i qetësuesve. Nuk kishte fluks pacientësh, ndryshe nga çfarë hasim zakonisht në këtë urgjencë.

“Unë kisha alergji, si duket nga ndonjë ushqim dhe erdha në urgjencë. Më bëri mjekja konsultën, më bënë një qetësues dhe më pas më lanë të ikja në shtëpi”, tregon një paciente.

Urgjenca e QSUT, 27 mars 2024

Shpërndarja e urgjencave pas zjarrit

Nëpërmjet një njoftimi më 17 shkurt, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bënte me dije:

“Shërbimi i urgjencës polivalente pranë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ vazhdon të ofrohet sipas një grafiku të mirëpërcaktuar në Spitalin Universitar të Traumës si dhe në Qendrën Spitalore Rajonale e Tiranës ‘Shefqet Ndroqi’.

Qytetarët e Gjirokastrës, Vlorës, Fierit e Beratit do marrin urgjencën kardiologjike, të sëmundjeve të brendshme dhe ortopedike në Spitalin Memorial, ndërsa urgjencat kardiologjike për qarkun Shkodër dhe Lezhë trajtohen në Spitalin Rajonal Shkodër.

Aksidentet vaskulare cerebrale trajtohen në Shërbimin Neurovaskular në QSUT, ndërsa urgjencat e tjera neurologjike në QSR Shefqet Ndroqi”, njoftonte QSUT.

Shkarkimi i Albana Ficos

Më 25 mars u njoftua largimi i drejtoreshës së QSUT, Albana Fico dhe në vend të saj u emërua Alma Cani. Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, në një reagim për mediat sqaroi se shkarkimi i Ficos nuk kishte lidhje me problemin e Urgjencës së QSUT, edhe pse ky vendim erdhi pak javë pas ngjarjes. 

“Lirimi i Albana Ficos nga detyra nuk ka lidhje me urgjencën. Sjellim energji të reja për projektet në vazhdim”, theksoi ministrja.

Urgjenca u përurua një vit më parë

prill 2023 u përurua Urgjenca e Re në QSUT, një investim rreth 17 milionë euro. Gjatë inspektimit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se Urgjenca e QSUT pret rreth 100 mijë pacientë në vit.

“Është vepra më e madhe në shëndetësi, e kemi bërë në kohë reale dhe shpresoj të kemi një cilësi të urgjencës Poliventale. Stafet janë më të motivuar për të bërë një punë të mirë”, u shpreh Manastirliu.