.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookUrgjenca e QSUT nuk është rikthyer ende në funksion të plotë

Urgjenca e QSUT nuk është rikthyer ende në funksion të plotë

Pretendimi: Urgjenca e QSUT rikthehet në funksion 3 muaj e gjysmë pas zjarrit

Verdikti: Mungon konteksti

Që prej 11 shkurtit të këtij viti, urgjenca e spitalit qendror në QSUT është jashtë shërbimit për shkak të një shkëndije elektrike në dhomën teknike të pajisjeve mjekësore. Kjo situatë krijoi kaos te qytetarët, të cilët nuk kishin informacion mbi situatën dhe ku duhet të drejtoheshin për të marrë shërbim.

Në një artikull të publikuar në mediat online më 31 maj thuhej se urgjenca ishte rikthyer në funksion pas zjarrit.

“Përfundojnë punimet, Urgjenca e QSUT rikthehet në funksion 3 muaj e gjysmë pas zjarrit”-raporton Shqiptarja.com.

Por, si është e vërteta mbi rikthimin në normalitet të urgjencës?

Në kronikën e publikuar krahas artikullit, gazetarja raporton se urgjenca pritet të kthehet në normalitet të plotë në javën e parë të qershorit, ndryshe nga çfarë pretendohet në titullin e shkrimit.

Nëpërmjet një interviste televizive më 4 qershor, drejtoresha e QSUT-së, Alma Cani bënte të ditur se punimet kishin përfunduar, por urgjenca nuk ishte tërësisht funksionale, pasi po kryheshin testimet. Gjithashtu, ajo theksonte se koronarografia nuk ofrohej ende si shërbim në urgjencën qendrore të QSUT-së.

“Punimet kanë mbaruar dhe për sigurinë e qytetarëve po bëjmë rakordimet me aparaturat, me angiografët dhe energjinë elektrike, me qëllim që të jemi të sigurt që të fillojmë me kapacitet të plotë. Përveç koronarografive që bëhet nëpërmjet angiografit, nuk ka punuar dhe pacientët kanë marrë shërbim te spitali ‘Shefqet Ndroqi. E vetmja gjë që nuk bëhet ka qenë koronarografia”-bëri të ditur drejtoresha e QSUT, Alma Cani.

Faktoje bëri një verifikim te ugjenca e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” më 14 qershor, ku vumë re se ofrohej shërbim për qyetarët, por dera kryesore e urgjencës vijonte të ishte e mbylluar, çka tregon që nuk është rikthyer akoma në funksionalitet të plotë.

Urgjenca QSUT, 14 qershor 2024

Në një artikull të publikuar në fund të muajit mars, Faktoje raportonte se urgjenca, një investim prej 17 milionë eurosh, ende nuk ishte funksionale.

Në prill 2023 u përurua Urgjenca e Re në QSUT, një investim rreth 17 milionë euro. Gjatë inspektimit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se Urgjenca e QSUT pret rreth 100 mijë pacientë në vit.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img