.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëUjësjellësi në Sinaballaj u ndërtua, por uji nuk është i pijshëm

Ujësjellësi në Sinaballaj u ndërtua, por uji nuk është i pijshëm

Gjatë fushatës zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme lokale, kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla premtoi ndërtimin e ujësjellësit në Sinaballaj që do të çonte në furnizim 24 orë me ujë të zonës. Verifikimi në terren i “Faktoje” zbuloi se, megjithëse banorët e zonës pohojnë se ujësjellësi është ndërtuar, uji që vjen prej tij është i papërdorshëm, e si rrjedhojë, ata janë të detyruar ta blejnë ujin nga një autobot.

———————————————

Uji 24 orë vijon të mbetet një premtim në Shqipëri edhe në vitin 2022. Por për banorët e njësisë së Sinaballaj në Rrogozhinë uji 24 orë që u premtua nuk është as i pijshëm as i përdorshëm për gatim. 

Në fillim të këtij viti, gjatë fshatës së zgjedhjeve vendore të pjesshme, kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, postoi foto nga ecuria e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit në njësinë administrative Sinaballaj duke premtuar se kjo zonë do të ketë ujë 24 orë.

Postimi i kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla, më 16 shkurt 2022

Për të verifikuar sa është mbajtur ky premtim, “Faktoje” fillimisht i dërgoi një kërkesë për informacion Bashkisë së Rrogozhinës, më 16 shtator dhe më pas një ankesë tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit pasi nuk mori përgjigje brenda afatit ligjor. Më në fund, më 10 tetor, Bashkia e Rrogozhinës ktheu përgjigje. Sipas këtij institucioni, ujësjellësi i njësisë administrative Sinaballaj ka përfunduar, është funksional dhe kjo njësi furnizohet me ujë 24 orë.

Përgjigja e Bashkisë Rrogozhinë kërkesës për informacion nga Faktoje

“Faktoje” udhëtoi drejt Sinaballajt për një verifikim në terren më 5 tetor.

Banorët e zonës konfirmuan se ujësjellësi ishte ndërtuar dhe shtëpitë e tyre furnizoheshin me ujë 24 orë. 

Megjithatë, ata thanë gjithashtu për “Faktoje” se uji që u vinte nga ujësjellësi i Bashkisë ishte i papërdorshëm. Sipas banorëve, uji ishte i turbullt dhe ata nuk e përdorin për t’u larë apo për gatim. 

“Ujë kemi, por nuk e përdorim për të pirë apo për gatim pasi është shumë i turbullt”- shprehet Sh. banore në Sinaballaj.

Shumë familje në Sinaballaj vazhdojnë të përdorin depozita, 5 tetor 2022

Ajo shton se ujin e blejnë çdo ditë, nga një autobot që vjen në zone gjithashtu shumica e shtëpive në zonë janë të pajisura me depozita ku ruhet ky ujë i blerë.

Shumë familje në Sinaballaj vazhdojnë të përdorin depozita, 5 tetor 2022

Shumë familje në Sinaballaj vazhdojnë të përdorin depozita, 5 tetor 2022

Pas verifikimit në terren të “Faktoje”, rezulton se banorët e Sinaballajt paguajnë dy herë për ujin. Pavarësisht se ujësjellësi quhet i përfunduar nga Bashkia dhe paratë publike janë shpenzuar, ai nuk është në funksion të banorëve. Si rrjedhojë, ky premtim i kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla vlerësohet si i pjesërisht mbajtur.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img