BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookOKB nuk bllokon paratë nëpërmjet kartës me gjurmën e karbonit

OKB nuk bllokon paratë nëpërmjet kartës me gjurmën e karbonit

Një artikull konspirativ pretendon se OKB do të diktojë mënyrën e jetesës së njerëzve nëpërmjet hedhjes së planifikuar në treg të një karte krediti që monitoron emetimet e karbonit të blerjeve që kryen përdoruesi. “Faktoje” zbuloi se karta në fjalë ekziston tashmë, por nuk funksionon në mënyrën e kobshme të përshkruar nga artikulli.

———————-

Artikulli i portalit Patriotik Media, publikuar në 20 nëntor, paralajmëron se hedhja në treg e një “karte dixhitale energjike me gjurmën e gishtit” sinjalizon një “plan të madh globalist”.

Artikulli pretendon se “MasterCard, në bashkëpunim (siç thotë) me Kombet e Bashkuara, po përgatitet të nxjerrë në treg një kartë të re krediti që do të masë gjurmën e energjisë (kalorisë) së pronarit të saj.”

Në te vërtetë, kjo kartë ekziston tashmë. Ajo është hedhur në treg në 2019, në një bashkëpunim të MasterCard me kompaninë suedeze Doconomy, dhe quhet DO Black. Ndryshe nga ç’pretendon titulli i artikullit, karta nuk ka lidhje me gjurmët e gishtërinjve. Ajo reklamohet si karta e parë e kreditit që monitoron blerjet me anë të emetimeve të tyre të karbonit, për të mbështetur Kornizën e Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimin Klimaterik. Kjo skemë synon përgjysmimin e emetimeve të karbonit deri në vitin 2030.

Karta ka vetëm një veçori dalluese, sipas krijuesve të saj, limitin e karbonit. Çdo blerje mund të përkthehet në një sasi të caktuar emetimi të dioksidit të karbonit. Karta Do Black llogarit emetimin e karbonit për çdo transaksion, pra sa dioksid karboni prodhohet për realizimin e një blerjeje të caktuar që do të kryhet prej mbajtësit të saj. Në të njejtën kohë, përdor limitin e emetimeve të karbonit, që llogaritet me emetimin e karbonit për shtet/numrin e banorëve të shtetit, të përgjysmuar. Në momentin që përdoruesi arrin limitin personal të emetimeve të karbonit, karta bllokon transaksione të tjera me të.

Skema e veprimit të kartës DO Black

Duhet të theksohet se përdorimi i kësaj karte është një zgjedhje personale e konsumatorëve, që duan të luftojnë ndryshimin e klimës. Një nga themeluesit e kompanisë Doconomy tha se “ky është një projekt edukativ më shumë se çdo gjë tjetër.” Deri tani, rreth 9000 qytetarë suedezë janë regjistruar për një kartë DO Black.

Artikulli i Patriotik Media alarmon me pretendimin se nëse limiti i emetimeve të karbonit tejkalohet, karta “automatikisht do të çaktivizohet dhe pronari i kartës nuk do të mund të tërheqë paratë e tij”. Ky duket se është një ngatërresë e kartave të debitit me kartat e kreditit, ose një keqkuptim i mënyrës se si funksionojnë kartat e kreditit. 

Kartat e debitit përdorin vetëm fonde që ekzistojnë tashmë në llogarinë e përdoruesit. Kartat e kreditit funksionojnë me ‘kredi’. Përdoruesi ‘merr borxh’ nga banka për të bërë blerje me anë të kartës, dhe në fund të muajit paguan faturën, ose ‘borxhin’ që i ka marrë bankës. Kështu, një kartë krediti që nuk të lejon të shpenzosh më pasi ke arritur një limit të caktuar, nuk po ‘ndalon’ pronarin e kartës që të tërheqë “paratë e tij”, thjesht po e ndalon së marri më shumë para borxh nga banka.

Kështu, ekzistenca e një karte që ndihmon përdoruesit e saj të kontribuojnë në uljen e tyre personale të emetimeve të karbonit nuk do të thotë se është vënë në veprim “plani i madh i globalistëve” në të cilin “OKB-ja do të përcaktojë se çfarë do të hani dhe sa, ku do të shkoni dhe me çfarë mjetesh, çfarë do të blini, si do të jetoni, përkrah krediteve sociale.”

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img