BallinaPremtimeU investuan 172 milionë lekë, konviktet “peng” i mobilimit

U investuan 172 milionë lekë, konviktet “peng” i mobilimit

ANXHELA RUÇI

Studentët e 3 universiteteve duhej të kishin hyrë në konviktet e rikonstruktuara që në ditët e para të këtij viti, sipas premtimit të ministres Besa Shahini, por një proces prokurimi për mobilim po e shtyn akomodimin në mjediset e reja. Ndërsa studentët qëndrojnë ende në konviktet e vjetra, kryeministri Rama propagandon në rrjetet sociale se mbajti premtimin për studentët.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Në kuadër të “Paktit për Universitetin” u premtuan konvikte të reja për studentët në Vlorë, Korçë dhe Shkodër. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini nuk e mbajti premtimin se konviktet në Vlorë, Korçë dhe Shkodër do të ishin gati brenda dhjetorit 2019.

E pyetur nga “Faktoje” në konferencën për shtyp të mbajtur një muaj më parë, ministrja Shahini dha një afat të ri për përfundimin e investimeve në konvikte.

“Punimet në strukturë janë mbyllur, ka mbetur çështja e mobilimit. Unë besoj që shumë shpejt, fundi i këtij muaji (janar), fillimi i muajit tjetër (shkurt) do të jetë edhe mobilimi i konvikteve i përfunduar,”- tha Besa Shahini .

Ne iu rikthyem edhe një herë këtij premtimi të radhës për rikonstruksionin e konvikteve, por konstatuam se ai është shkelur për herë të dytë.

Edhe pse pas protestave të studentëve, qeveria premtoi përmirësimin e kushteve në konvikte, muajt e dimrit studentët i kaluan në godinat e vjetra, pasi të rejat ende nuk janë gati.

Në një përgjigje zyrtare, ministria e Arsimit tha për “Faktoje” se ka nisur procedurat e prokurimit për blerjen e mallrave dhe kompletimin e brendshëm të Qendrave të Trajtimit të Studentëve dhe mobilimi do të fillojë menjëherë sapo të lidhet kontrata me operatorin ekonomik që do shpallet fitues.

Por ministria thotë se nuk mund të ketë një datë kur konviktet do të jenë funksionale, për shkak të “procesit kompleks”

Edhe pse “Faktoje” ka verifikuar se konviktet ne Vlorë, Korçë e Shkodër ende nuk janë gati të akomodojnë studentët, kryeministri Edi Rama, përmes videove të postuara gjatë muajit janar tregon konviktet para dhe pas ndërhyrjes, duke e konsideruar premtim të mbajtur.

Por përse mund të hyjnë në punë disa godina studentore që janë rikonstruktuar, por që nuk janë të banueshme?

Për herë të dytë, brenda 2020, “Faktoje” do t’i klasifikojë premtimet e ministres Besa Shahini, si të pambajtura, ndërsa deklaratat e kryeministrit Rama, të pavërteta.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img