.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaTuneli i Llogarasë, vepra e cila premtua disa herë, por që vijon të mbetet ende projekt

Tuneli i Llogarasë, vepra e cila premtua disa herë, por që vijon të mbetet ende projekt

Qeveria shqiptare, këtë të premte, hapi garën ndërkombëtare për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Kryeministri Edi Rama njoftoi se ky objekt do të ndërtohet me të ardhurat e Buxhetit të Shtetit. Por, tuneli me gjatësi 6 kilometër, prej disa vitesh, ka mbetur vetëm në kuadrin e një premtimi.


Kryeministri Edi Rama, njoftoi të premten hapjen e një gare ndërkombëtare me qëllim ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Jemi në fillim të kurorëzimit të procesit për mbajtjen e këtij zotimi. Bëhet fjalë për një zonë me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe imazhin e Shqipërisë në botë – u shpreh Rama. “Faktoje” bëri një kërkim të premtimeve të bëra për tunelin e Llogarasë, të cilat rezultojnë të pambajtura.


Tuneli i Llogarasë në gjatësi 6 kilometër

Më 18 prill 2020, ish- ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, njoftoi ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Gjatë raportimit para deputetëve të Grupit Parlamentar të PS-së, Gjiknuri u shpreh se ai do të ndërtohej me partneritet publik privat dhe me mbështetje të buxhetit.

Për Llogaranë në planet tona është bërja e një tuneli, për të cilin do të shikojmë një variant të kombinimit me partneritet publik privat dhe me mbështetje nga shteti, sepse aty nuk e justifikon trafikun që gjithçka të bëhet me pagesë. Atje është krejt normale që një rrugë alternative e shkurtër, një tunel, të krijohet mundësia me koncesionim privat -tha Gjiknuri.

Më herët, më 10 nëntor 2018, gjatë prezantimit të buxhetit për bashkinë e Vlorës, kryeministri Edi Rama premtoi nisjen e ndërtimit të këtij tuneli.

Tuneli ka të paktën 30 vite që premtohet. Është koha që premtimin ta bëjmë realitet – u shpreh Rama.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjithashtu njoftoi ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Në një intervistë për Euronews Albania, më 26 dhjetor 2019, njoftoi se ndërtimi I tunelit të Llogarasë do niste në muajin shkurt 2020.

Tuneli i Llogarasë, mendojmë se do nisë në mesin e muajit shkurt. Vepra do ndërtohet me skemën Partenritet Publik Privat – deklaroi Balluku.

Por, qytetarët shqiptarë do të paguajnë një tarifë fikse për të kaluar në Tunelin e Llogarasë.

Ky do të jetë një tunel që pas ndërtimit do të kërkojë mbështetje financiare edhe nga përdoruesit duke aplikuar tarifë minimale. Kjo do të ndihmojë të paguajë sasinë e parave që do të vendosen për ndërtimin e tunelit – u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku.

Tuneli i Llogarasë, si një objekt me rëndësi strategjike për turizmin llogaritet të ndikojë në shkurtimin e distancës në aksin Orikum–Palasë në vetëm 10 minuta.

Deri më sot, përveç premtimeve dhe diskutimit për formën e financimit të projektit, ende nuk ka nisur realizimi i veprës.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img