ANDI BORA
“Vendosja në skemën e sigurimeve shëndetësore e qytetarëve në nevojë, nuk është risi e kësaj qeverie, por praktikë që prej vitit 1993”.
Kjo ishte deklarata që deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu” postoi në profilin e tij në Facebook, pas deklaratës që kryeministri Edi Rama dha gjatë emisionit “Opinion”, në Klan Tv në datë 5 qershor.
“Ne rimbursojmë ilaçet e 600 mijë njerëzvve të pasiguruar. Janë 21 milionë dollarë që janë hequr nga buxheti dhe u shkojnë njerëzve, qoftë për heqjen e TVSH-së mbi ilaçet, qoftë për rimbursimin e ilaçeve të atyre që janë të pasiguruar. Më përpara, për ata 600 mijë njerëz nuk rimbursohej asgjë”, u shpreh Rama.
Për të verifikuar deklaratën e deputetit demokrat, “Faktoje’’ komunikoi me të dhe përgjigja e tij ishte: “Kjo është që në VKM-në e fundit të vitit 1993 e fillimit të 1994-ës, që vendosi krijimin e Institutit të atëhershëm të Sigurimeve Shëndetësore. Kur u vendos lista e medikamenteve të rimbursuara, asokohe, pra me VKM me rreth 200 medikamente, futej dhe ky parim. Atëherë ai institucion (ISKSH) me kontributet 3.4%, futi pikërisht këtë parim”.
Referuar ligjit Nr. 7870, datë 13.10.1994, për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, neni 8, pika 2, thuhet konkretisht:
2. Shteti kontribuon për personat joaktivë si:
….
ç) të papunët
d) personat që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe asistencë sociale.
Bazuar në ligjin e cituar më sipër dhe nga verifikimet e “Faktoje”, deklarata e Tritan Shehut rezulton E VËRTETË.