BallinaFaktometerE vërtetëTritan Shehu: Ndryshon raporti i lindjeve meshkuj/femra, dominojnë abortet selektive

Tritan Shehu: Ndryshon raporti i lindjeve meshkuj/femra, dominojnë abortet selektive

INVA HASANALIAJ

Aborti përbën një nga çështjet më të ndjeshme për shoqërinë shqiptare por gjithashtu edhe nga ato që kërkojnë një vëmendje më të madhe. Në datën 16 qershor 2018 deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu përmes një statusi në rrjetin social Facebook u shpreh se raporti i lindjeve meshkuj/ femra në vendin tonë ka arritur 110/100, kur ai duhet të jetë nën 105/100.

“Ne kemi arritur në 200 aborte për 1000 lindje (kjo vetëm për ato që deklarohen), me një dominim të fortë të aborteve selektive, që janë veçse akte kriminale. Kjo ka bërë që raporti i lindjeve meshkuj/ femra te ne të arrijë në 110/100, kur ai duhet të jetë nën 105/100” shkruan Shehu.

Aborti selektiv është një nga kategoritë e abortit që paraqet një ndërpreje të shtatëzanisë kryesisht, kur fëmija i palindur i përket gjinisë femërore dhe prindërit, për arsye nga më të ndryshmet, dëshirojnë të kenë një fëmijë të seksit mashkull.

Nisur nga deklarata e deputetit Tritan Shehu, “Faktoje” vendosi të komunikojë menjëherë me Ministrinë e Shëndetësisë për të mësuar informacione të mëtejshme mbi situatën që paraqitet në vendin tonë lidhur me këtë fenomen. Jemi përpjekur të komunikojmë përmes të gjitha mënyrave të mundshme me këtë institucion (e-mail, kërkesë e dorëzuar në zyrën e protokollit, telefon) por përveç faktit se nuk morëm asnjë përgjigje, arritëm në konkluzionin se kjo ministri në të shumtën e rasteve hesht ndaj kërkesave tona. Jemi në muajin janar dhe që prej muajit qershor nuk kemi asnjë komunikim nga ky institucion për kërkesat për informacion dërguar për këtë çështje.

Më tej kontaktuam me Institutin e Shëndetit Publik  i cili u përgjigj korrektësisht çdo kërkese për informacion. Sipas ISHP-së bazuar në sistemin e tyre të survejancës, gjatë vitit 2016 janë raportuar 5396 aborte, për 2017 janë raportuar 5279 aborte ndërsa për 2018 nuk janë mbyllur ende raportet. Përsa i përket të dhënave mbi abortet selektive ky institucion nuk i zotëron për dy arsye; së pari ky lloj aborti ëstë i paligjshëm dhe së dyti, skeda e abortit nuk përmban gjininë e fetusit.

ISHP-ja na siguroi gjithashtu edhe skedën e abortit që çdo mjek duhet të plotësojë pasi kryhet procedura.

Të gjitha skedat e plotësuara raportohen çdo tremujor në këtë institucion nga maternitetet e vendit si dhe spitalet private të liçensuara për ndërprerje të shtatëzanisë. Përkatësisht, dy spitalet private që mundësojnë këtë shërbim janë “Spitali Amerikan” dhe “Hygeia” të cilat kanë filluar raportimet prej fillimit të vitit 2018.

Abortet në vendin tonë, bazuar në legjislacionin në fuqi, kryhen vetëm në spitale të cilat janë brenda kritereve dhe rregullave të përcaktuara qartë në ligjin për ndërprerjen e shtatzanisë. Kjo do të thotë se kjo procedurë nuk kryhet në klinika private, të cilat nuk janë të licensuara nga Ministria e Shëndetësisë. Por pyetja që shtrohet është se kush i ndalon dhe si mund të ndalet një proçedurë e tillë në ato klinika të cilat ofrojnë këtë shërbim edhe pa qenë nevoja e një license?

Ndërkaq nga të dhënat që disponuam prej Institutit të Statistikave, një tjetër institucion të cilit iu drejtuam për të patur të dhëna, mësuam se ky raport jo vetëm që nuk qëndron 105/100 sikurse pohoi edhe Tritan Shehu por diferenca është rritur ndjeshëm që nga viti 1990, pra ka më shumë aborte selektive dhe si rrjedhojë më shumë meshkuj të lindur sesa femra. Respektivisht të dhënat që “Faktoje” filtroi nga raporti i INSTAT për numrin e meshkujve dhe femrave të lindura në Shqipëri që prej vitit 1990 janë:

Nga këto të dhëna përllogaritëm që raporti meshkuj/femra “favorizon” në mënyrë të vazhdueshme meshkujt.

Nisur nga të dhënat që “Faktoje” siguroi nga institucionet deklaratën e deputetit Tritan Shehu do ta kategorizojmë si “TË VËRTETË”.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img