Një verifikim i Faktoje për premtimet e zgjedhjeve vendore të 14 majit, zbuloi një fakt interesant. Kanditati fitues i mandatit të tretë në krye të Bashkisë Fier, Armando Subashi premtoi ngitjen e një tregu shumice për produktet bujqësore. Teksa tregu i ri i premtuar s’ka shenja të nisë këtë vit, në Fier ekziston prej 2016-s një treg i ngjashëm për të cilin bashkia ka paguar 84 mln lekë dhe që është thuajse pa tregtarë.
Jona Plumbi
Gjatë garës elektorale për zgjedhjet e 14 Majit, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, që kandidonte për një mandat të tretë e të fundit, premtoi ndërtimin e një tregu bashkëkohor për produkte bujqësore me shumicë.
“Synojmë që brenda vitit të parë të bëjmë të mundur ndërtimin e një tregu bashkëkohor për tregtimin me shumicë të produkteve bujqësore.” – dëgjohet të thotë Subashi në videon elektorale publikuar në 12 Maj.
Për të verifikuar këtë informacion u nisëm drejt Fierit për të parë situatën në terren. Në Fier, banorët na treguan se ka tashmë një treg publik, që ndodhet në hyrje të unazës së Fierit, në kryqëzimin e rrugës “Nuredin Aliu” dhe “Aulona”.
Nga jashtë tregu duket i braktisur.
Edhe pse dielli i ngrohtë lufton acarin e erës dimërore dhe data shënon 19 Dhjetor, më pak se një javë nga Krishtlindjet, tregtarët në tregun publik në Fier numërohen me gishtat e njërës dorë.
Një prej tyre është zonja Gjylso e cila shet gjela deti dhe pula.
Kur e pyetëm për tregun, Gjylso na tregoi se aty shet prej disa vitesh për të përballuar jetesën, pasi asaj dhe bashkëshortit nuk u del pensioni minimal që marrin.
“S’na dalin lekët ndaj vendosa, i thashë burrit do iki të shes pula. E njoh një zotëri që m’i jep falas dhe vij i shes këtu”. – na tregoi Gjylso ndërkohë që pastronte një pulë.
“Edhe me pagesat jam e rregullt, paguaj ç’do ditë” – tha me krenari zonja duke na treguar edhe faturat ditore që paguan për hapësirën e tregut që përdor.
hapsirën prej 3,466 m2 për të ndërtuar tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Si thuhet edhe në Vendimin e Këshillit Bashkiak, kontrata e lidhur me pronarin e truallit zgjat 10 vjet dhe Bashkia Fier ka vendosur të paguajë vlerën maksimale që lejohet me ligj, ajo prej 100 lekësh për m2 në muaj.
Prej shtatë vitesh Bashkia Fier paguan 4 milionë e 160 mijë lekë të reja qera në vit për një hapësirë të pashfrytëzuar. Sipas kontratës, pagesa do vijojë të kryhet edhe për tre vite të tjera.
Në vitin 2016, vetë Armando Subashi që shpalli tenderin për ndërtimin e tregut publik për produktet bujqësore dhe blegtorale me fond limit 45 974 536 lekë pa TVSH. Fitues i kontratës u shpall ALB-STAR me ofertë prej 45 713 656 lekësh pa TVSH.
Investimi i bashkisë Fier nuk duket të jetë kthyer. Dëshmi është vetë mungesa e tregtarëve.
Sot, shtatë vite pasi dha 84 milionë lekë të reja për tregun publik në Fier, në pritje për të paguar qiranë edhe për tre vite të tjera për tregun pa tregtarë, Armando Subashi dhe Bashkia premtuan një tjetër treg publik në Fier.
(54,856,387 lekë me TVSH ndërtimi + 29,114,400 lekë qera në 7 vjet)
Për të kuptuar në çfarë faze është Bashkia me planin e saj për ndërtimin e tregut që sipas Armando Subashit pritej brenda vitit, kërkuam informacion pranë Bashkisë Fier.
Kjo e fundit, pasi refuzoi të japë informacionin për disa javë radhazi, në shkelje të të gjitha afateve ligjore për dhënien e informacionit publik, na informoi:
“Bashkia Fier është në fazë studimi për ngritjen e një tregu bashkëkohor të produkteve bujqësore”.
Nisur nga këto informacione publike dhe verifikimi në terren, pretmimin e kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi për ndërtimin brenda vitit të një tregu bashkëkohor, e konsiderojmë të pambajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.