BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAktori Jamie Foxx nuk u verbua nga vaksinimi kundër Covid

Aktori Jamie Foxx nuk u verbua nga vaksinimi kundër Covid

Vaksinimi kundër Covid-19 nuk i shkaktoi paralizë dhe verbëri aktorit të ‘Hollywood’, Jamie Foxx. Pretendimet e paverifikuara u shpërndanë masivisht në rrjetet sociale, duke shërbyer si burim dizinformimi për lexuesit. 

Postime të shpërndara në Facebook pretendojnë se aktori Jamie Foxx ka mbetur i paralizuar, pasi ka marrë vaksinën e Covid-19. Artikulli i shpërndarë nga përdoruesit në rrjetet sociale i jep zë një lajmi të publikuar në mediat italiane mbi gjendjen e yllit të “Hollywood”.

Screenshot, postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Nga një kërkim online rezulton se shkak për qarkullimin e këtij lajmi të paverifikuar ishte A.J.Benza, një podcaster, i cili më herët ka punuar për “New York Daily News”. Më 30 maj ai deklaroi në një program se aktori mbeti pjesërisht i paralizuar dhe i verbër, pasi mori një vaksinë të Covid-19. Sipas Benza, aktori u detyrua që të vaksinohej, teksa po xhironte një film.

Për këtë deklaratë të bërë, ai pretendon se iu referua një burimi, i cili e kishte informuar se Foxx kishte pësuar mpiksje gjaku, duke i shkaktuar ishemi. Dhe sipas tij, kjo kishte ardhur pasi ylli i ‘Hollywood’ ishte vaksinuar.

Përfaqësuesit e Foxx thanë në një email për mediat e huaja se pretendimi i Benzës është “plotësisht i pasaktë”.  Foxx u shtrua në spital në prill, për një sëmundje të pazbuluar deri në atë kohë.

Vajza e tij Corinne Foxx deklaroi në një postim në ‘Instagram Story’ se prej javësh ai kishte lënë spitalin dhe ishte në shtëpi. Sipas vajzës, gjendja e tij ishte e mirë, mjaftueshëm për të luftuar ‘pickleball’ (një lojë e ngjashme me tenisin).

Një verifikim i fakteve nga “Healthfeedback.org” arriti në përfundimin se aktualisht nuk ka asnjë provë që aktori Jamie Foxx ka mbetur i paralizuar dhe i verbër për shkak të një mpiksje gjaku në tru pas vaksinimit kundër Covid-19.

Studime të shumta kanë treguar se rreziku i çrregullimeve të koagulimit të gjakut, si dhe problemeve të tjera shëndetësore, është shumë më i lartë pas kontraktimit të infeksionit Covid-19, sesa pas vaksinimit kundër tij.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img