Trazirat në Gjermani pasojë e politikës në Eritre dhe jo emigrantëve të paligjshëm

568

Një video e përleshjeve të dhunshme në Shtutgart, po shpërndahet në rrjete sociale si rezultat i fluksit të emigrantët ilegalë të ardhur së fundi nga Afrika. Verifikimet tregojnë se dhuna në Gjermani është pasojë e përplasjes së komuniteteve eritreas të vendosura si azilantë prej viteve ’60-të në Gjermani.

Mijëra individë, kryesisht nga Afrika kanë mbërritur kohët e fundit në ishullin e vogël italian të Lampeduzas, duke rindezur debatin mbi qasjen e BE-së për trajtimin e imigracionit të paligjshëm. Në këtë kontekst, njerëzit në internet kanë shpërndarë video të ndryshme që kanë si qëllim përçmimin ndaj emigrantëve afrikanë dhe “vlerave të propaganduara” të integrimit të tyre në shoqëritë evropiane.

“Hordhitë afrikane të armatosura me gurë dhe shkopinj hekuri kryejnë shkatërrime në Shtutgart të Gjermanisë. Të plagosur shumë policë. Disa e quajnë këtë “pasurim kulturor.”, shkruan një përdorues i rrjetit social Facebook në Shqipëri teksa ndan një video që tregon përleshje masive mes qindra njerëzve në Shtutgart të Gjermanisë.

Postimi pretendon se njerëzit që shfaqen në këtë video janë emigrantë nga vendet afrikane. Video ka marrë qindra shikime.

E njëjta video e publikuar nga RadioGenoa, ka qarkulluar edhe në rrjete të tjera sociale, si Telegram, Tik-Tok apo Instagram, duke pretenduar se personat në protestë janë emigrantët e zbarkuar në Lampedusa. 

Kolegët tanë të verifikimi të fakteve në France 24 kanë verifikuar klipin në fjalë. Sipas këtyre verifikimeve, rezulton se video është xhiruar në Shtutgart të Gjermanisë në datë 16 shtator, dhe pasqyron ngjarjet e dhunshme të kësaj dite si pasojë e një organizimi kulturor të emigrantëve eritreas në Gjermani. Organizimi mbështetej nga grupe pranë presidentit eritreas, sipas konfirmimit nga Africa News.

Gjatë ditës, emigrantë të tjera eritreas, kundërshtarë të qeverisë, u grumbulluan për të protestuar kundër festivalit, si një shfaqje që promovon qeverinë që shtyp të drejtat e njerëzve në vendin e tyre. Përleshjet mes aktivistëve pro dhe anti-qeveritarë eritreas u bënë të dhunshme në disa momente, ç’ka solli edhe ndërhyrjen e policisë gjermane.

Një artikull nga Sud Ouest shpjegon se, qysh në korrik, një konflikt i ngjashëm kishte shpërthyer mes emigrantëve eritreas edhe në veri të Frankfurtit.

Që nga shpërthimi i Luftës së Pavarësisë së Eritresë në vitin 1961, rreth 25,000 eritreanë kanë kërkuan strehim në Gjermani, kjo edhe për shkak të lidhjeve historike mes dy vendeve. Midis 2013 dhe 2020, popullsia eritrease në Gjermani u rrit në 75,735.