BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTë ricikluara lajmet për rikthimin e masave anti-Covid dhe protestat masive në Australi

Të ricikluara lajmet për rikthimin e masave anti-Covid dhe protestat masive në Australi

Australianët nuk po protestojnë në shesh kundër vendosjes së masave anti-Covid. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale i përkasin dy viteve më parë dhe janë risjellë si aktuale, për të krijuar panik te qytetarët.

Një postim i shpërndarë në rrjetet sociale pretendon se në Australi njerëzit po protestojnë kundër mbylljes dhe rikthimit të masave anti-Covid. Veç kësaj, nëpërmjet këtyre postimeve ngrihet alarmi se kjo do të nisë shumë shpejt edhe në Shqipëri.

Në Australi 20 mijë persona protestojnë në sheshe për mos t’u vendosur mbyllje dhe vënia e masave prej Covid. Filluan të mbyllin njerëzit. Shumë shpejt fillon në Shqipëri, në fillim do fillojë në Itali në fillim të tetorit”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Nisur nga interesi që kanë ngjarje të tilla, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të zhvillimeve që pretendohet se po ndodhin së fundmi në Australi.

Nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove, zbuluam së në fakt pamjet i përkasin nëntorit të vitit 2021, ku australianët protestonin kundër masave të Covid që ishin në fuqi.

“Pamje të demonstratave masive në Melburn të shtunën (nëntor 2021), ku mijëra persona dolën për të protestuar ndaj bllokimeve të COVID dhe një projekt-ligj që do t’i jepte ekzekutivit fuqi të pacaktuara në raste emergjence – Protestat më të mëdha të Australisë ndër vite”-shkruhet krahas pamjeve të publikuara.

Këto pamje qarkulluan masivisht në mediat sociale në atë kohë. Ndryshe nga çfarë pretendohet në postimet që qarkullojnë në rrjetet sociale në vendin tonë, aktualisht nuk ka protesta në Australi për sa i përket çështjeve që lidhen me masat e Covid-19 si dhe ndonjë vendimmarrje të autoriteteve për të rikthyer masat anti-Covid.

Disa ditë më parë, në Australi u zhvillua një miting me rreth 20 mijë pjesëmarrës pro referendumit që do të zhvillohet në tetor në lidhje me përfshirjen e indigjenëve në kushtetutën e vendit si dhe krijimin e një organi këshillues për t’u ofruar banorëve aborigjenë të dhëna mbi politikat që prekin ata.

Australianët indigjenë, të cilët përbëjnë 3.8% të popullsisë, përballen me disavantazhe, duke përfshirë diskriminim, trajtim të pabarabartë shëndetësor e arsimor dhe shifra të larta të burgosjeve.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img