Pretendimi: Ekspertja shpjegon studimin për rritjen e pensioneve me 100 mijë lekë

Vlerësimi: Jashtë konteksti

Lajmet për rritjen e pensioneve krijojnë gjithmonë interes tek lexuesit dhe përkthehen në klikime për mediat online. I tillë është dhe artikulli i publikuar më 16 prill nga portali shqiptari.net.

Rritja e pensioneve me 100 mijë lekë?! Ekspertja shpjegon studimin që po bëhet dhe kush perfiton, titullohet lajmi.  

Brenda 24 orëve të para të publikimit, ky titull është klikuar 44,546 mijë herë dhe kjo për shkak të ndjeshmërisë që sjell kjo temë për lexuesit shqiptarë.  

Lajmi i publikuar në 16 prill në portalin shqiptari.net

Më tej, nëse kërkon të mësosh përtej titullit bombastik, në tekstin e artikullit  kupton se në fakt nuk bëhet fjalë për rritje të pensioneve. Janë vetëm dy fjali të shkëputura nga një intervistë televizive që një eksperte për çështjet e ekonomisë ka dhënë në një emision mëngjesi në Vizion Plus

“Ekspertja e ekonomisë Eriola Hoxha ka folur për rritjen e pensioneve. Ajo ka treguar se qeveria po punon bashkë me Banken Botërore në një projekt për rritjen e pensioneve në vendin tonë.”, thuhet në tekstin shoqërues.

Sipas kërkimeve të “Faktoje” rezulton se komentet e ekspertes së pavarur të ekonomisë pasojnë një deklaratë publike të bërë nga Ministri i Financave Ervin Mete gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Ekonomik Kombëtar. 

“ Po diskutojmë me Bankën Botërore, të cilën e falënderoj dhe drejtuesin për analizën që po i bëjmë mbrojtjes sociale dhe sistemit të pensioneve në përgjithësi për të pasur mundësi edhe atje për të bërë një ndërhyrje reformuese, besojmë që shkon drejt këtij qëllimi të përgjithshëm që të kemi një rritje ekonomike sa më gjithëpërfshirëse dhe shpërndarje të mirëqenies.”shprehej ministri Mete më 28 mars. 

(Linku i videos këtu)

Bazuar në këtë deklaratë, ekspertja e ekonomisë Eriola Hoxha jep mendimet e saj mbi reformën e mundshme që paralajmëroi ministri. Në një moment të intervistës së saj, ekspertja sqaron se lajmet për rritje prej 100 mijë lekësh të pensioneve janë të pavërteta. 

Një sqarim i tillë nuk ka gjetur vend në citimet e artikullit të pasqyruar në portalin informativ duke nxjerrë nga konteksti lajmin përmes titullit tërheqës.

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin dhe keqinformimin.