Një artikull i publikuar nga portalet, ku pretendohet se gazetarja e njohur, Ilva Tare po bën dicka të “pabesueshme” në SHBA, është thjesht një manipulim i audiencës. Faktoje verifikoi se lajmi nuk ka asnjë lidhje me titullin dhe portali duket qartë që ka abuzuar me qëllim tërheqjen e klikimeve.
Në janar të këtij viti, portalet kanë publikuar një artikull në lidhje me Ilva Taren, ku nëpërmjet titujve “bombastikë” flasin për një angazhim të “pabesueshëm” të gazetares në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“U largua nga televizioni pas 25 vitesh karrierë, s’do e besoni dot se çfarë pune bën Ilva Tare në Amerikë”, shkruan portali “Lajmi i Fundit”.
Screenshot, lajmi i publikuar nga portali
Nëse do të shohim më tej në brendësi të artikullit vihet re që pjesa më e madhe e faqes është e mbushur me reklama, ku çdo klikim mbi to përkthehet në përfitime financiare për portalin. Poshtë tyre ndodhet një pjesë e tekstit, që flet mbi jetën e gazetares së njohur Ilva Tare, pa dhënë detaje se çfarë po bën konkretisht gazetarja në SHBA.
Në këtë artikull, vihen re edhe gabime drejtshkrimore dhe shenja pikësimi të panevojshme, të bëra me qëllim nga portali për të mos u kapur nga motorët e kërkimit.
“Gazetarja Ilva Tare është ‘bërë e gjallë’ pas zhvendosjes përfundimisht në Amerikë. Në një postim në Twitter ajo bëri me dije se do të marrë pjesë në Samitin e rëndësishëm të demokr.atëve në SHBA”, shkruan ndër të tjera portali “Lajmi i Fundit”.
Në të gjithë këtë artikull nuk thuhet asgjë mbi punën e gazetares në SHBA dhe titulli ‘sensacional’ është bërë thjesht me qëllim për të tërhequr lexuesit. Në këtë shkrim, shihet qartë që nuk ka asnjë lidhje mes titullit dhe tekstit.
Në qershor të vitit 2021, Ilva Tare njoftoi largimin nga ekranet shqiptare pas 25 vitesh punë në televizion.
“Kemi kaluar shumë së bashku unë dhe ju… dhe tani është momenti që unë ta mbyll këtë kapitull, për t’i dhënë më shumë kohë familjes sime. Është koha të nis një kapitull të ri, në një stacion tjetër të jetës sime” – bëri të ditur Ilva Tare, rreth 2 vite më parë.
Ndërkohë, që prej vitit të vitit të shkuar, Ilva Tare është bërë pjesë e Këshillit të Atlantikut, Qendra për Europën. Nëpërmjet një postimi në Twitter, ajo njoftoi: “Jam e emocionuar të ndaj disa lajme personale: që nga 1 prilli, jo vetëm që jetoj në anën tjetër të Atlantikut, por kam filluar të punoj me Këshillin e Atlantikut në Uashington DC, ku do të lançoj serinë Balkans Debrief”.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin