Shqipëria po përgatitet të legalizojë prodhimin e bimëve narkotike për qëllime mjekësore, në një kohë kur ende vazhdon kultivimi i paligjshëm dhe trafikimi i marijuanës. Shumica socialiste kundërshtoi disa vite më parë propozimin e politikanit socialist Koço Kokëdhima për legalizimin e saj. Por, sot ajo angazhohet ta miratojë ligjin brenda këtij sesioni parlamentar. Maqedonia e Veriut, që e nisi më herët këtë rrugë, nuk ka të dhëna optimiste. Ndërsa studiuesit pohojnë se legalizimi i kanabisit në Shqipëri mund të japë efekt bumerang, për shkak të informalitetit të lartë në ekonomi. Materiali u përgatit nga organizata Faktoje, në kuadër të një bashkëpunimi me Zërin e Amerikës.
https://www.facebook.com/zeriamerikes/videos/258287088592723/
Shqipëria mund të bëhet së shpejti vendi i katërt në rajon, pas Kroacisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, që ligjëron kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Nisma e socialistëve pritet të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar.
Kryeministri Rama e paralajmëroi nismën e tij gjatë një interviste televizive në fillim të majit e më pas në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca.
“Kemi thuajse një vit që po punojmë për këtë dhe për pak ajo do të jetë gati. Ne nuk bëjmë asnjëherë një punë të pakonsultuar me ekspertë vendas dhe të huaj dhe me ekspertë të huaj të nivelit më të lartë. Kështu që edhe për këtë draft kemi konsultuar ekspertë të huaj, ekspertë tanët, por gjëja kryesore që ne bëjmë dhe që na ka dalë një ndihmë e madhe është konsultimi me eksperiencat e të tjerëve. Ne nuk kemi ardhur këtu të shpikim asgjë. Kemi ardhur këtu të mësojmë sa më shumë nga të tjerët dhe të adaptojmë mësimet tona nga të tjerët, në kushtet e Shqipërisë. Kështu që, shumë shpejt drafti do të jetë gati dhe do të hapet pastaj për diskutim publik” – tha zoti Rama.
Qeveria e Shqipërisë pritet të paraqesë për diskutim publik projekt-ligjin në ditët në vijim, para se ta kalojë në parlament për votim.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, aktualisht drejtues i partisë Zgjidhja, ishte i pari që në vitin 2014 e propozoi publikisht ligjërimin e kanabisit mjekësor dhe atij për përdorim rekreativ.
Por propozimi i tij nuk gjeti atë kohë mbështetjen e shumicës socialiste. Madje, policia ndërmori një vit pas atij propozimi një operacion 2 javor për shkatërrimin e parcelave me kanabis sativa në fshatin Lazarat, aq sa u duk sikur kjo do t’i jepte fund vlerësimit të Shqipërisë nga ndërkombëtarët si prodhuese dhe eksportuese në masë e kanabisit.
Por agjencitë ndërkombëtare të antikrimit përsëri e vlerësuan Shqipërinë si një vend të kanabizuar në të gjithë territorin e vet edhe dy vjet pas aksionit në Lazarat.
Guarda di Finanza dhe DIA italiane, FRONTEX europian si dhe policitë e vendeve fqinje ringritën alarmin në raportet e tyre për kanabizim të Shqipërisë deri në nivele të pakontrollueshme.
Edhe Ministri i brendshëm, Saimir Tahiri, u akuzua për lidhje me grupet që kultivuan dhe trafikuan bimë narkotike.
Ndërsa sot, ligjërimi i kanabisit mjekësor pritet të bëhet fakt i kryer pas tronditjes ekonomike që sollën tërmeti i 26 Nëntorit dhe pandemia “Covid-19”.
Kryetari i Partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima, thotë se tashmë kjo është një nismë e vonuar, e cila mund t’i sillte vendit përfitime të ndjeshme ekonomike.
“Ne e kemi hapur këtë debat ndër të parët në rajon në vitin 2014. Vendet fqinje lëvizën relativisht shpejt. Shqipëria humbi shumë kohë. Ekonomia europiane dhe botërore e kanabisit medikal ka një prespektivë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ritmet e rritjes së saj, janë galopante. Shqipëria nuk e ka luksin të qëndrojë jashtë kësaj ekonomie. Unë kam mbajtur gjithmonë parasysh faktin që një ekonomi e mirë legale e kanabisit në Shqipëri, transparente, dhe jashtë kontrollit të trafikantëve, do të ishte një energji e pakorruptueshme për të luftuar mafien dhe ekonomine kriminale të Kanabisit” – tha zoti Kokëdhima.
Por politikanë dhe ekspertë të tjerë nuk janë të këtij mendimi. Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, thotë se kushtet e tanishme politike nuk e lejojnë ndërmarrjen e kësaj nisme një vit para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
“Unë kam dhënë kam qenë kundër faktikisht sepse mendoj që nuk është momenti që mund të bëhet. Pra, nuk jam në mënyrë kategorike kundër, në një moment tjetër mund të bëhet, por sot me këto probleme dhe me këtë qeveri nuk mund të jetë prioritet kjo punë. Cilët janë arumentet?!- E para kemi një Parlament jo të plotë, me 122 vetë, të cilët janë pjesë e mazhorancës. Kemi pushtet vendor, të gjithë të Partisë Socialiste, kështu që mendoj së në këto kushte nuk mund të ketë monitorim të këtj ligji, të vëshitirë. Por, nëse mendojmë se mund të ketë të ardhura në ekonomi, nëse ka argumenta për këtë punë, mund të diskutohet. Sot unë mendoj se nuk është koha që mund të kalojë ky ligj” – tha zoti Duka.
Ndërsa studiuesi Zef Preçi thotë se informaliteti i lartë në ekonomi nuk e ndihmon suksesin e kësaj nisme, madje ajo mund të sjellë edhe efekt “boomerang”.
“Mendoj se duhet parë në dy këndvështrime të ndryshme. Së pari, prania e kanabisit në ekonominë tonë kombëtare dhe roli i këtij burimi informal dhe kriminal parash dhe së dyti, përpjekjet e qeverisë për të shtuar të ardhurat buxhetore në periudhë krize. Mendoj se kjo është një përpjekje e qeverisë, ndoshta më shumë si një sinjal politik duke qenë se jemi në vit elektoral, pasi dihet që ekonomia shqiptare ka rreth gjysmën e saj informale. Do të thotë që pamundësia e qeverisë për të mbledhur taksat është evidente dhe futja e komponentëve të kësaj natyre do të deformojë, sipas mendimit tim edhe kulivimin e bimëve bujqësore, deri të çmimi i bukës mund të pësojë rritje për shkak të orientimit drejt fitimit” – tha zoti Preçi.
Maqedonia e Veriut e nisi këtë përpjekje 4 vjet më parë me shpresa të mëdha për fitime ekonomike, por sot optimizmi tek fqinjët e Shqipërisë është zbehur ndjeshëm.
“Mendoj se prishmëritë nuk janë arritur as për së afërmi. E them këtë nga shkaku se në vitin 2016 ky lloj biznesi u paralajmërua me pompozitet të madh, projeksionet ishin se brenda një viti do t’i sillte vendit një fitim të pastër prej 100 mln euro dhe se Maqedonia do të shndërrohej në një lloj superfuqie evropiane por edhe botërore në prodhimin e kanabisit. Kishte një eufori të themi në mesin e investitorëve dhe biznesmenëve dhe një pjesë e madhe e tyre vendosën të investojnë në këtë degë të re të biznesit në Maqedoninë e Veriut. Por, 4 vite më pas mund të them se pjesa më e madhe e tyre janë të dëshpëruar pasi nuk kanë arritur të kthejnë as për së afërmi investimin. Është një aktivitet që ende nuk është duke lulëzuar si duhet, ende nuk është duke hapur vende të reja të punës, ende nuk është duke reflektuar aq sa pritej në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut dhe nga kjo perspektivë kohore nuk mund të flasim për ndonjë impact social” – thotë gazetari investigative në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Neziri.
Liberalizimi i kanabisit mjekësor, për disa shihet si një nismë e vonuar që do t’i sillte Shqipërisë të ardhura të kënaqshme, por pjesa tjetër e konsideron si një nismë me rrezik të lartë që shkon në raport të zhdrejtë me situatën. Shqipëria vijon të konsiderohet si vend prodhues në masë i kanabisit nga agjenci ndërkombëtare që kanë në fokus kriminalitetin dhe lëndët narkotike; informaliteti ekonomik dhe brishtësia e institucioneve e shtojnë dozën e skepticizmit mbi nismën e paralajmëruar.