“Tigri 1” dhe “Tigri 3” ende me gjeneratorë të fikur

3377

Të ankoruara në gjirin e Vlorës prej 9 muajsh, dy anijet lundruese për prodhimin e energjisë elektrike nuk i kanë ndezur gjeneratorët për asnjë ditë, madje dy asetet nuk kanë kaluar as fazën e testimit. Procesi që duhet të kishte përfunduar në maj, është shtyrë sërish. Po ashtu, aktualisht mungon edhe lidhja e tyre me rrjetin e transmetimit të energjisë. Gjithsesi, për anijet që kanë 9 muaj me ‘gjenerator të fikur’ autoritetet edhe nëse nuk i ndezin asnjë ditë do t’i paguajnë Exelerate-Renco 68 milionë dollarë për qiranë dhe operimin.

Esmeralda Topi

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ende nuk i ka vënë në punë dy termocentralet lundruese të prodhimit të energjisë elektrike.

Anijet “Tigri 1” dhe “Tigri 3” u ankoruan në brigjet e Vlorës shtatorin e vitit të kaluar, por ende nuk ka një datë mbi shfrytëzimin e tyre.

Qëllimi kryesor i ardhjes së dy anijeve në brigjet e detit Jon ishte përmbushja e nevojës së vendit me energji, në kushtet e një krize energjetike globale.

Por, edhe pse kanë kaluar më shumë se nëntë muaj nga ankorimi i tyre në Triportin e Vlorës, dy termocentralet lundruese ende nuk janë vënë në punë, madje as nuk janë testuar sikurse u premtua.

Në fillim të vitit, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare tha për Faktoje se planifikonte një fazë testimi për dy asetet në fund të muajit shkurt, por verifikimet tona treguan se procesi u shty për në maj.

“Nga pala kontraktore parashikohet që faza e testimit- komisionit të realizohet në muajin Maj 2023.”, shprehej KESH në përgjigjen zyrtare për Faktoje.

Edhe verifikimet e mëtejshme tregojnë se afati u shkel për herë të tretë.

“Testimet për qëllime Komisionimi, janë propozuar të realizohen, sipas sistemeve, duke filluar nga java e dytë e muajit Qershor, duke filluar me lidhjen në rrjetin e transmetimit”, – pohon në një përgjigje zyrtare për Faktoje KESH, teksa thekson se Shoqëria “Excelerate dhe Renco” aktualisht është në fazën e realizimit të testimeve përpara komisionimit.

Edhe këtë herë, KESH nuk ka dhënë asnjë arsye mbi shtyrjet e vazhdueshme të procesit të testim-komisionimit të aseteve termike, por është mjaftuar vetëm me dhënien e një afati të ri.

Ndërkohë që ekspertët e fushës thonë se prodhimi nga këto anije tanimë nuk ka asnjë kuptim.

“Nuk besoj se do të vendosen në punë për një arsye shumë të thjeshtë, sepse çmimet e energjisë në bursë janë ulur dhe normalisht del më lirë të blihet energjia gjatë verës në bursë, se sa të prodhohet nga anijet. Sepse energjia në bursë po luhatet nga 60 euro deri në 90 euro megavati dhe nuk ka interes, sepse prodhimi nga këto dy TEC-e shkon dyfish në varësi të karburantit. Ndaj nuk e mendoj se do të vihen në punë së afërmi, ndërkohë që në vazhdim mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë”,- argumenton për Faktoje Azmer Duleviç, ekspert për energjinë.

Procesi i testim- komisionimit është tepër i rëndësishëm pasi përfundimi i tij, i hap rrugën pagesave që KESH duhet të bëjë ndaj konsorciumit Exelerate-Renco. Kontrata dyvjeçare parashikon një pagesë prej 63 mijë dollarësh në ditë për qiranë dhe operimine dy aseteve.

Kontrata parashikon që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të paguajë 68 milionë dollarë, edhe nëse dy anijet me emrin “Tigri 1” dhe “Tigri 3” nuk do të vihen asnjë ditë në punë. Kjo është fatura për qiranë dhe operimin.

45 milionë dollarë do t’i marrë kompania amerikane Excelerate Energy për qiranë dyvjeçare dhe 22.5 milionë dollarë firma Renco për ofrimin e shërbimit të operimit.  

Tre muaj për licensën e prodhimit

Ndonëse u morën me urgjencë në kulmin e krizës, çdo proces i aseteve është shoqëruar me zvarritje dhe shkelje afatesh.  Edhe procesi i licensimit të dy anijeve për prodhimin e energjisë nga Enti Rregullator mori 3 muaj kohë.

Teksa premtohej se dy anijet do të viheshin në punë në fillim të këtij viti, Enti Rregullator i Energjisë nuk e kishte licensuar KESH-in për këtë veprimtari.

Procedura e licensimit që u nis në 28 dhjetor të vitit 2022, u mbyll në fund të muajit mars të këtij viti.

27 mars,bordi i Entit Rregullator të Energjisë vendosi të licencojë shoqërinë KESH në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike, nga TEC-i lundrues i instaluar në Gjirin e Vlorës, për një afat 2-vjeçar, që do të nis pasi asetet të jenë operacionale dhe të kenë kaluar fazën e testim-komisionimit.

ERE lëshon një licencë për veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike deri në 30 vjet, por duke qenë se kontrata e qirasë për prodhimin e energjisë elektrike nga impianti termik Tigër 1 dhe Tigër 3, është nënshkruar për një periudhë 2 (dy) vjeçare, duke filluar ky afat nga data e komisionimit të veprës, pra kur asetet bëhen operacionale, ERE do të kushtoziohet nga ky afat në përcaktimin e vlefshmërisë së licencës.”, argumentohet në vendimin e Bordit të Entit Rregullator.

100 milionë dollarë fatura e naftës që do ‘ndezë’ TEC-et

Sigurimi i lëndës djegëse për të vënë në punë dy anijet lundruese në gjirin e Vlorës është një tjetër çështje ende e pazgjidhur, pasi KESH nuk ka arritur ta sigurojë atë për të nisur prodhimin.

Në fillim të muajit mars 2023, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare hapi procedurën për shprehje interesi për furnizimin me lëndë djegëse për prodhimin e energjisë eletrike nga dy anijet. Pas kësaj procedure, KESH planifikonte që hapi i radhës të ishte çelja e tenderin në muajin maj, afat i cili u shkel.

“Menjëherë pas përcaktimit të kushteve kontraktore për depozitimin e lëndës djegëse pranë Triportit Vlorë, do të iniciohet procedure e furnizimit e lëndës djegëse HFO (Heavy Fuel Oil)”,- thotë KESH në një përgjigje zyrtare për Faktoje për hapjen e tenderit për sigurimin e lëndës së parë, teksa nuk jep afat konkret.

Megjithatë, në regjistrimin e parashikimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike, procedura për “Blerje lëndë djegëse HFO për përdorim nga aseti gjenerues termik i përkohshëm” nuk është anuluar.

Burimi: Agjencia e Prokurimit Publik

Dokumentat e Agjencisë së Prokurimeve Publike tregojnë se fondi limit i tenderit është 10 miliardë e 267 milionë lekë, e thënë ndryshe më shumë se 100 milionë dollarë. Por mbetet për t’u parë se kur do të hapet procedura, që sipas KESH do të bëhet në bazë të Ligjit Shqiptar të Prokurimit Publik.

I vetmi tender i hapur zyrtarisht nga KESH lidhur me asetet termike është ai për depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e naftës, që do të përdoret nga anijet e instaluara në Vlorë.

Burimi: Agjencia e Prokurimit Publik

Tenderi që do të zhvillohet me procedurën e negocimit pa njoftim është shpallur në 19 maj dhe përcakton një fond limit 1.26 miliardë lekë ose rreth 12 milionë dollarë. Si kohë zhvillimi për tenderin në fjalë parashikohet muaji korrik.