BallinaFaktometerE PavërtetëThirrje për armatosje nga një portal përmes profilit fals të Alfred Cakos

Thirrje për armatosje nga një portal përmes profilit fals të Alfred Cakos

Një lajm tërësisht i pabazuar në fakte, me thirrje antikushtetuese në përmbajtje dhe duke përdorur si referencë profile të rreme në rrjetet sociale është shpërndarë së fundi nga një portal online. Verifikimi i Faktoje gjeti se lajmi i publikuar nga Gazetaz jo vetëm është fals, por përmban elementë të veprës penale pasi bën thirrje të hapura për armatosje të popullsisë dhe nxit urrejtjen etnike.

 “Shqiptarët do të armatosen nga Izraeli dhe Amerika. Maqedonët do të joshen nga Serbia dhe Rusia. Në lojë do të futet Bullgaria për ta marrë gjysmën e Maqedonisë deri në Prilep, por surpriza do jetë Greqia, e cila dhe ajo do një pjesë të saj”. Kjo është vetëm një pjesë nga artikulli i publikuar në portalin Gazetaz,  i cili ia atribuon përmbatjen një postimi të shpërndarë nga një profil në Facebook që mban emrin Alfred Cako. Lajmi që ka qarkulluar së fundi mban titullin sensacional: “Alfred Cako shokon me postimin e fundit: Shqiptare Ar.matosuni, bleni ar.me, o sot o kurr ta bejme shqiperine Etnike”

Nisur nga ky lajm dhe impakti që ka te audienca, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim.

Janë disa elementë që të bëjnë të dyshosh mbi vërtetësinë e këtij lajmi. Së pari titulli me terma sensacionale të tipit “shokon”, si një formë për të tërhequr lexuesit. Gjithashtu vihet re që në titull ka gabime drejtshkrimore dhe shenja pikësimi të panevojshme. Veç këtyre, artikullit i mungon emri i autorit, por edhe data e publikimit, duke shtuar më tej dyshimet.

Lajmi i publikuar nga portali Gazetaz

Përdorimi i emrit të Alfred Cakos si personi që bën një thirrje të tillë, duket se ka  qëllim që të kapë një numër sa më të madh lexuesish, pasi konspiracionisti njihet për idetë dhe qëndrimet kontroverse dhe impakti te audienca është domethënës.

Mirëpo, nga verifikimi që Faktoje bëri rezulton se profili në Facebook, të cilit i referohet portali Gazetaz, nuk i përket konspiracionistit Cako. Është një profil fals që mban emrin e tij dhe ka mbi 4.6 mijë ndjekës në rrjetin social. Vlen të theksohet se postimet në këtë profil janë të shkruara me gabime drejtshkrimore.

Postimi i bërë në Facebook nga faqja false që mban emrin e Alfred Cakos

 

Profili fals në Facebook i Alfred Cakos

Faktoje kontaktoi zotin Alfred Cako, i cili shprehet se nuk e ka bërë një thirrje të tillë dhe se profili të cilit i referohemi është i rremë. Fakti që ky postim është shpërndarë nga një portal, duke u paraqitur si thirrje e tij, sipas Çakos e bën edhe më shqetësuese situatën.

“Nuk është faqja ime, nuk e di kush e ka. Është shqetësuese që merren këto postime dhe bëhen lajme në media”, thotë Cako për Faktoje.

Po të shohim faqen reale në Facebook të Alfred Cakos vihet re që postimet janë të shkruara korrekt nga ana gramatikore si edhe ka publikime nga përditshmëria e tij, por edhe linqe të daljeve të tij në mediat vizive.

Profili real i zotit Alfred Cako, ku shihet se ka mbi 39 mijë ndjekës

Thirrjet e publikuara, me gjuhë urrejtjeje dhe elementë të veprës penle

Nëpërmjet këtij lajmi, portali Gazetaz nxit urrejtje etnike dhe destabilizimin e rendit kushtetues, ndërkohë që bëhet thirrje me kontekst të qartë konflikti etnik.

Me poshtë po rendisim disa nga nenent e Kodit Penal që parashikojnë këto elementë të vepres penale siç janë thirrja për armatosje apo nxitja e gjuhës së urrejtjes.

Neni 222 dhe 223 Kodi Penal, thirrjet për armatosje dhe thirrje për veprime të dhunshme.

“Neni 265 në Kodin Penal, nën titullin ‘Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve’, parashikon që nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve, për shkak të racës, etnisë, fesë ose orientimit seksual, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja, me qëllim përhapjen e shkrimeve me përmbajtje të tilla, e kryer me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet”, përcaktohet në Kodin Penal.

Screenshot nga Kodi Penal

Përveçse është një vepër penale, nga ana mediatike përdorimi i gjuhës së urrejtjes krijon panik dhe jo në pak raste nxit reagimin e qytetarëve.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img