Në rrjete sociale po pretendohet se seriali vizatimor The Simpsons ‘parashikoi’ përdorimin e një arme energjitike që shkaktoi zjarre në Hawaii. Verifikimi i “Faktoje” shpjegon se mjeti zjarrvënës në episodin e The Simpsons nuk është një armë energjike, por reflektimi i dritës së diellit nga një statujë metali.
———————————————
Postime në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, pretendojnë se zjarret që vranë mbi 100 njerëz në Hawaii u shkaktuan qëllimisht me një armë energjitike, dhe se seriali vizatimor The Simpsons e kishte parashikuar këtë ngjarje.
Episodi nga i cili është marrë klipi i mësipërm u transmetua në 2016 dhe quhet “Monty Burns’ Fleeing Circus”. Në të nuk përmendet apo shfaqet ndonjë armë energjitike.
Ajo që po ndodh në klipin e mësipërm duhet rivendosur në kontekst. Siç mund të shihet këtu, në këtë skenë, një statujë e re e kompanisë Lard Lad po shfaqet për publikun në qytetin e Springfield. Megjithatë, menjëherë, statuja prej kromi shfaq një problem domethënës: drita e diellit reflektohet në sipërfaqen e saj aq fort sa i vë zjarrin qytetit të Springfield gati duke e rrafshuar.
The Simpsons – STATUJA SHKATëRRON SPRINGFIELD
Kështu, klipi që po qarkullon në internet i zhveshur nga konteksti në të vërtetë tregon një pasqyrimin e diellit në një statujë kromi që shkakton një zjarr në qytetin imagjinar të Springfield, dhe jo një armë energjitike që djeg Hawaii.
Zjarret vdekjeprurëse në ishullin Maui kanë frymëzuar një sërë teorish konspirative të cilat “Faktoje” i ka përgënjeshtruar këtu.