Pretendimi: Seriali The Simpsons dështoi kur parashikoi se Kamala Harris do të bëhej presidente e ShBA.
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————–
Pas fitores së zgjedhjeve presidenciale të Nëntorit 2024 në ShBA nga Donald Trump, në rrjete sociale qarkulloi pretendimi se, kësaj here, seriali vizatimor The Simpsons kishte gabuar kur kishte parashikuar zgjedhjen e Kamala Harris si presidente.
“Parashikimet” e serialit vizatimor The Simpsons rishfaqen herë pas here në media dhe rrjete sociale pas ngjarjeve të ndryshme të bujshme. Faktoje ka përgënjeshtruar këto parashikime disa herë më parë.
Edhe kësaj radhe, pretendimi se The Simpsons ka parashikuar fitoren e Kamala Harris në garën presidenciale të 2024 nuk është i saktë.
Pretendimi duket se bazohet në episodin 17 të sezonit 11, i titulluar “Bart to the Future”, që u transmetua fillimisht më 19 mars 2000. Në këtë episod, personazhi Bart Simpson sheh një vizion të të ardhmes në të cilën motra e tij Lisa, 38 vjeç, është zgjedhur “presidentja e parë femër heteroseksuale e ShBA” dhe po përpiqet ta nxjerrë vendin nga një krizë financiare.
Pretendimi se ky episod ka parashikuar zgjedhjen e Kamala Harris si presidente bazohet pikërisht në zgjedhjen e Lisa Simpson si presidente në të ardhmen. Ngjashmëria mes dy personazheve duket se bazohet vetëm në faktin që janë të dyja gra dhe janë veshur njëherë ngjashëm.
Këtu ngjashmëritë mbarojnë. Ndërsa presidentja Lisa Simpson është 38 vjeç, Kamala Harris është 60 vjeç.
Më tej, episodi vizatimor lë të nënkuptohet se Donald Trump ishte presidenti që kishte paraprirë zgjedhjen e Lisa Simpson, nga i cili ajo kishte trashëguar një krizë buxhetore. Ndërkaq, nëse Harris do të ishte zgjedhur ajo nuk do të paraprihej nga Trump, por nga Joe Biden i cili u zgjodh në 2020 pas mandatit të parë të Trump.
Megjithatë, më parë, seriali “The Simpsons” ka ‘parashikuar’ disa ngjarje, duke përfshirë këtu zgjedhjen e Donald Trump si president i ShBA në 2016, fituesin e një çmimi Nobel, dhe një grip të rrezikshëm që filloi në Azi, ndër të tjera.
Kjo, sipas vetë autorëve të serialit, nuk vjen si pasojë e ndonjë aftësie mbinatyrore për të parë të ardhmen por thjesht si pasojë e faktit që seriali ka mbi 700 episode dhe transmetohet që nga viti 1989. “Nëse bën më shumë episode për më shumë dekada se gjithë serialet e tjera, do të parashikosh më shumë gjëra saktësisht,” tha autori Matt Selman. Ndërsa Bill Oakley, një ish-skenarist i The Simpson, tha për The Hollywood Reporter se çfarë shihet nga disa si ‘parashikime’ të bëra nga seriali janë në fakt thjesht koinçidenca “sepse episodet janë aq të vjetra sa historia ripërsëritet. Shumica e këtyre episodeve janë bazuar në ngjarje të vërteta që kanë ndodhur në vitet ‘60, ‘70 ose ‘80.”