BallinaFaktometerPa kategoriVdekja e mbretëreshës së Britanisë frymëzon konspiracionet

Vdekja e mbretëreshës së Britanisë frymëzon konspiracionet

Aludimet se mbretëresha Elizabeth kishte vdekur prej kohësh dhe lajmi u mbajt i fshehtë nga “elitat” rezulton i pabazuar në fakte. Në rrjet po qarkullojnë ditët e fundit “prova” të ndryshme për të mbështetur këto dyshime, por që në fakt, mbeten ende në kuadrin e teorive konspiracioniste. 

Patris Pustina

Ngjarje madhore si vdekja e mbretëreshës së Britanisë zakonisht u japin krahë teorive konspiracioniste që fillojnë rishfaqen si kërpudha pas shiut. Kështu, pas 9 shtatorit 2022, ditës kur u shpall publikisht ndarja nga jeta e saj, në rrjet po qarkullojnë fakte të ndryshme që aludojnë për një vdekje të paralajmëruar apo edhe të programuar prej kohësh.

Faqja e Facebook me titullin Rezistenca, një faqe që propagandon teori të ndyshme konspiracioniste, postoi në të njëjtën ditë që u bë publik lajmi, faqen e një libri që ‘parashikoi’ vdekjen e mbretëreshës në vitin 2022. “Më nisën këtë foto nga një pjesë libri ku qënka “parashikuar” vdekja e Mbretëreshës në 2022. Të tjerë thonë që ajo ka kohë që ka vdekur por dje e shpallën të tillë”, thuhet në postimin që shoqëron librin.   

“Faktoje” verifikoi më tej përmbajtjen e librit në fjalë që ka shërbyer për të ushqyer teoritë konspiracioniste edhe në shumë vende të tjera. Kjo faqe e shkëputur ka disa ditë që qarkullon gjerësisht edhe në rrjetin ndërkombëtar

Një përkthim në shqip i tekstit përshkruan: “Kjo strofë nuk do të vijë si e papritur për popullin britanik dhe ka nënkuptime të gjera. I pari është që mbretëresha Elizabeth II do të vdesë, rreth 2022, rreth moshës 96 vjeç, pesë vite më pak se nëna e saj.”

Teskti në fjalë i përket librit të vitit 2008 të autorit britanik Mario Reading, të titulluar “Nostradamus: The Complete Prophecies for the Future” (Nostradamus: Të Gjitha Profecitë për të Ardhmen). Reading njihej si një interpretues i parashikimeve të astrologut të famshëm francez Nostradamus. Autori Reading ka shkruar vërtetë se mbretëresha do të vdiste në 2022, por kjo nuk është mjaftueshëm për ta quajtur këtë “parashikim”, dhe jo thjesht rastësi, siç ishte edhe një postim i gushtit në Tëitter që ‘parashikoi’ gjithashtu vdekjen e mbretëreshës. Në fakt postimi në fjalë ishte edhe më specifik se Reading, duke përfshirë edhe datën ekzakte të vdekjes, 8 shtator 2022. Megjithatë, autori i postimit sqaroi se ‘parashikimi’ ishte në të vërtetë thjesht rastësi. Sigurisht në moshën 96-vjecare të një personi ka më shumë gjasa që shanset për ndarjen nga jeta të një personi të jetë më të larta. 

Çfarë tjetër ka ‘parashikuar’ Reading në interpretimet e tij të ‘profecive’ të Nostradamusit? Hilary Clinton do të jetë 68 vjeç në 2015 dhe në mandatin e saj të parë ose të dytë si presidente e ShBA (fq. 69). Hilary Clinton kandidoi për presidente e ShBA për herë të parë në 2016, zgjedhje të cilat nuk i fitoi. “Parashikime” të tjera të dështuara të Reading përfshijnë një sulm terrorist biokimik në portin francez Agde në 2021, dhe daljen e Britanisë nga BE në 2060. 

Për krahasim, seriali komik i animuar amerikan “The Simpsons” ka parashikuar zgjedhjen e Donald Trump si president i ShBA në 2016, fituesin e një çmimi Nobel, dhe një grip të rrezikshëm që filloi në Azi, ndër të tjera. Kjo, sipas vetë autorëve të serialit, nuk vjen si pasojë e ndonjë aftësie mbinatyrore për të parë të ardhmen por thjesht si pasojë e faktit që seriali ka mbi 700 episode dhe transmetohet që nga viti 1989. “Nëse bën më shumë episode për më shumë dekada se gjithë serialet e tjera, do të parashikosh më shumë gjëra saktësisht,” tha autori Matt Selman. Kështu, edhe ‘parashikimet’ mbi vdekjen e një figure kaq të mirënjohur sa mbretëresha Elizabeth II, janë aq të shumta sa, statistikisht, një grusht prej tyre do të ishin detyrimisht të saktë. 

Parashikimi i Nostradamusit apo Reading mund të jetë një bast i fituar për një shkrimtar që provon fatin në disa “ruleta njëherësh”, por nuk është një provë për të mbështetur tezën e dytë të faqes Rezistenca, aty ku flitet për një vdekje të mëhershme të mbretëreshës dhe mbajtjes së fshehtë të lajmit. Vetëm tri ditë përpara ndarjes së saj nga jeta, më 6 shtator, mbretëresha u shfaq publikisht për të takuar kryeministren e re britanike Liz Truss, në rezidencën verore mbretërore në Skoci. Kjo shfaqje, në momentin e mandatimit të kryeministres së re, është një provë e përgëzueshme për të rrëzuar teoritë e një vdekjeje të hershme. 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img