Më 13 qershor, maturantët iu nënshtruan provimit të tretë të Maturës Shtetërore, atij të matematikës. Portalet shpërndanë artikuj se teza ishte publikuar 20 minuta para nisjes së provimit, por nga një verifikim i bërë rezulton se testi ka ‘rrjedhur’ pas nisjes së procesit.
Disa portale publikuan më 13 qershor një artikull, ku pretendonin se teza e matematikës ishte bërë publike në rrjetet sociale 20 minuta para nisjes së provimit të maturës shtetërore.
“Ndodh sërish! Del teza e matematikës 20 minuta para provimit të maturës (FOTOT)”-shkruan portali Reforma.
Screenshot, artikulli i publikuar nga portali Reforma
Në brendësi të shkrimit theksohet ndër të tjera se “Provimi është publikuar në rrjete sociale nga faqja ‘Studentët Denoncojnë’ për të tretën herë radhazi brenda kësaj mature”. Por si është e vërteta, teza është bërë publike para apo pas nisjes së provimit të matematikës?
“Faktoje” kontaktoi nëpërmjet Instagramit me faqen “Studentët denoncojnë”, për t’i pyetur në lidhje me kohën kur ishte bërë publike teza. Në përgjigjen e tyre, administratorët e faqes sqarojnë se testi ishte publikuar 15 minuta pas nisjes së provimit të matematikës.
Gjithashtu, ne pyetëm edhe përfaqësues nga organizata “Qëndresa Qytetare”, të cilët bënë të ditur se teza kishte mbërritur tek ata, 20 minuta pas nisjes së procesit të testimit për Maturën Shtetërore.
Lajmi për “rrjedhjen” e testit të matematikës u pasqyrua pothuajse në të gjitha mediat online dhe jo vetëm, ku theksohej se teza ishte publikuar 20 minuta pas nisjes së provimit.
Është e rëndësishme të theksohet koha kur është bërë publik testi sepse në rastin e parë, përgjegjësia do të binte mbi grupin e ngushtë që e ka hartuar tezën, gjë që e bën edhe më të rëndë shkelje.
Ndërsa në rastin e një publikimi pas nisjes së provimit, rrethi i personave që mund të kenë fotografuar tezën është shumë më i madh mes mësuesve dhe nxënësve. Në këtë version, dyshimet bien mbi kontrollin që është ushtruar ndaj maturantëve për përdorimin e celularëve dhe pajisjeve të tjera inteligjente gjatë provimit.
Testi i matematikës ishte i treti për maturantët, pas atyre të Anglishtes dhe Gjuhës Shqipe, të cilët po ashtu u shoqëruan me debate për daljen e tezave vetëm disa minuta pas nisjes së procesit. Kjo problematikë u publikua edhe nga Faktoje në një artikull që mban datën 7 qershor.