BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookShpërthimi në Gjermani në kantier ndërtimi, jo në qendër tregtare

Shpërthimi në Gjermani në kantier ndërtimi, jo në qendër tregtare

Lajmi për një shpërthim në një kantier ndërtimi në qytetin e Hamburgut në Gjermani është përdorur nga mediat si karrem klikimesh, duke e lajmëruar ngjarjen si “shpërthim në një qendër tregtare”. Videoja origjinale përmes së cilës është shpërndarë lajmi, si dhe vetë lajmi në brendi të tij shpjegojnë se në fakt, shpërthimi ka ndodhur në një kantier ndërtimi.

Jona Plumbi

Shpërthim në një qendër tregtare në Gjermani, ka të plagosur” – ky është tituli i përdorur nga mediat shqiptare për të njoftuar një ngjarje të ndodhur në Hamburg të Gjermanisë, ku një re e madhe tymi u raportua përmes një videoje, ku dalloheshin edhe dy shpërthime zjarri.

Si ndodh rëndomë, lajmi është shpërndarë nga shumë media online, të cilat e kanë marrë atë “copy-paste” nga njëra-tjetra në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq, kanë zgjedhur një titull edhe më të ekzagjeruar, siç është rasti i OraNews që njofton se “Shpërthen qendra tregtare, dy të plagosur në Gjermani. Ja dyshimet e para.

Kushdo e ka hapur këtë lajm, me mendimin se do marrë informacion mbi një shpërthim të ndodhur në një qendër tregtare ku mund të ketë edhe emigrantë shqiptarë, ka kuptuar në fjalitë e para të lajmit se në fakt bëhet fjalë për një kantier ndërtimi dhe jo një qendër tregtare të hapur.

Dy shpërthime të fuqishme u regjistruan gjatë punimeve për ndërtimin e një qendre të re tregtare në Hamburg të Gjermanisë, duke lënë dy punëtorë me plagë të rënda. Imazhet e filmuara nga kalimtarët tregojnë dy shpërthime të njëpasnjëshme dhe një re të madhe tymi që përfshiu kantierin e ndërtimit, e më pas u shpërnda në mbarë qytetin.” – shkruajne mediat.

Lajmi është shpërndarë edhe nga mediat gjermane dhe ato ndërkombëtare që, ndryshe nga rastet në fjalë, janë kujdesur të informojnë me vërtetësi lexuesin që në titull.

Reuters – Shpërthime, shihet zjarr në një kantier ndërtimi në Hamburg

ABC.net – VIDEO: Explosion at Hamburg construction site

GulfToday – VIDEO: Shpërthime të shumta, zjarr në një kantier ndërtimi në Hamburg

Shpeshherë, mediat online përzgjedhin tituj duke i dhënë formën e karremit, me qëllim parësor mbledhjen e klikimeve dhe jo informimin e lexuesve. Kjo ndodh shpesh edhe me tema si kjo në fjalë, ku vihet në pikëpyetje siguria e qytetarëve të vendeve të ndryshme të botës.

Duke përfituar nga shtysa njerëzore e lexuesve për të kuptuar nëse ka shumë të lënduar, apo nëse shpërthimi ka qenë i qëllimshëm, media zgjedh një titull që nxit keqinterpretim, duke e sqaruar më pas në tekst të vërtetën, si rasti në fjalë.

Gjithashtu, ndryshe nga sa informojne mediat shqiptare, të cilat nuk referojnë burimin e informacionit, me një kërkim në rrjet zbulohet se mediat gjermane njoftojnë se për pasojë të shpërthimeve kanë mbetur të dëmtuar lehtë dy punonjës të kantierit të ndërtimit.

Sipas informacioneve të BILD, “pak para orës 17:00, një zjarr i madh shpërtheu në kantierin e ndërtimit të qendrës së re tregtare në Überseeallee. Në çatinë e ndërtesës shpërthyen bombola të shumta gazi. Më shumë se 100 punëtorë u evakuuan dhe u larguan nga vendi i ndërtimit. Sipas informacioneve të BILD, janë dy persona të lënduar lehtë”.

Përdorimi i titujve që nxisin klikime është një praktikë e përditshme në mediat shqiptare dhe jo vetëm. Shpesh herë ato përdorin tituj që nxisin emocione dhe shqetësim tek lexuesit me qëllim klikimin e lajmeve dhe mbledhjen e përfitimeve financiare nga këto klikime, pa e “vrarë mendjen” për shqetësimin që mund të shkaktojnë tek lexuesit që keqinformohen nga titulli i lajmit.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img