.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashTeoria ruse për “bombën e pisët” gjen hapësirë në portalet shqiptare

Teoria ruse për “bombën e pisët” gjen hapësirë në portalet shqiptare

Lajmi mbi deklaratën e presidentit rus Vladimir Putin, i cili akuzoi Ukrainën për ndërtimin dhe përdorimin e mundshëm të një bombe radioaktive, me qëllim hedhjen e fajit tek shteti rus, ka gjetur pasqyrim të gjerë në media. Por një pjesë e mirë e lajmeve nuk japin një pasqyrë të qartë të situatës, duke i dhënë zë vetëm pretendimit të njërës palë, pa i ofruar lexuesve pamjen e plotë të ngjarjes. I tillë është rasti i lajmit me titull “Bomba e pisët – Harta e Kontaminimit” publikuar nga mast.al

Jona Plumbi

Gjatë ditëve të fundit zyrtarë të lartë rus kanë ngritur një akuzë për përdorim të mundshëm nga Ukraina të të ashtuaquajturës “bombë e pisët”. Akuza është përsëritur edhe nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili ka kontaktuar edhe zyrtarë të NATO’s për t’i informuar për këtë bombë që mund të shpërthehet nga Ukraina në territorin e saj, për t’ja ngarkuar më pas fajin Rusisë. Pjesë e kësaj narrative është bërë dhe një bashkëpunim i mundshëm me Britaninë e Madhe për të mundësuar teknologjinë e nevojshme për të lëshuar bombën.

Artikulli i publikuar nga portali “Mast.al” mbi këtë lajm i “shet” akuzat e Rusisë si fakte, pa i sqaruar lexuesit se presidenti rus nuk ka dhënë asnjë provë për të mbështetur pretendimin e tij. Njëkohësisht, kjo akuzë është mohuar nga Kievi por edhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian. Edhe diplomatë të lartë të Francës, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e quajtën pretendimin e Rusisë si një “pretekst që Moska të përshkallëzojë më tej luftën”.

Për më tej, artikulli citon në titull “Njerëzit e pistë dhe “bomba e pistë ukrainase”! Gjysma e Europës do të KONTAMINOHET (harta)” si dhe shoqëron shkrimin me një foto të një “harte kontaminimi” me burim Ministrinë e Jashtme ruse, ku tregohen hapësirat gjeografike ku mund të shtrihet efekti i një shpërthimi të mundshëm nuklear në Ukrainë.

Harta e publikuar në artikull

Ajo që artikulli nuk thotë është se, në fakt harta është publikuar nga Ministria e Mbrojtjes në Rusi, por jo për të ilustruar rastin e pretenduar të “bombës së pisët ukrainase” dhe jo në kontekstin e një “bombe të pistë”. Harta është publikuar nga televizioni shtetëror rus RT në 18 Gusht 2022, në kohën kur Rusia paralajmëronte mundësinë e një “Çernobili të dytë” për shkak të përplasjeve me armë pranë impjantit bërthamor të Zaporizhias.

Prej nisjes së luftës nga Rusia në Ukrainë, mediat online shpesh përdorin tituj të bujshëm me qëllim mbledhjen e klikimeve dhe jo ofrimin e informacionit të vërtetuar dhe të paanshëm. Mundësia e një përshkallëzimi të mundshëm të luftës, në përdorimin e bombave radioaktive është një temë e ndjeshme për të gjithë lexuesit, ndaj raportimi i plotë mbi çështjen është i domosdoshëm për të mundësuar një informim të saktë të publikut mbi atë çka po ndodh në të vërtetë.

Lajmi i publikuar nga mast.al me titullin e bujshëm “Bomba e Pisët – Harta e Kontaminimit” edhe pse bazohet mbi një deklaratë të presidentit rus Vladimir Putin, nuk jep një pamje të plotë të ngjarjes pasi lë pa përmendur kontekstin në të cilin zhvillohet ngjarja, përgjigjen e zyrtarëve ukrainas dhe atyre ndërkombëtar mbi akuzën e ngritur. Njëkohësisht artikulli riciklon një hartë të vjetër me qëllim “tronditjen” e lexuesve për një re të mundshme bërthamore dhe jo informimin e tyre.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img