BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookFevziu nuk hoqi dorë nga emisioni “Opinion”

Fevziu nuk hoqi dorë nga emisioni “Opinion”

Lajmi i shpërndarë nga portalet, ku pretendohet se moderatori Blendi Fevziu ka hequr dorë nga emisioni ‘Opinion’, nuk është i vërtetë. Faktoje verifikoi se portalet manipulojnë me titullin, duke dizinformuar lexuesit, me qëllim marrjen e sa më shumë klikimeve.

——————————————————————————————————————————–

Shumë ngjarje të pamenduara më parë mund të bëhen realitet, e megjithatë, disa gjëra nuk do të ndryshojnë edhe për shumë kohë: dielli do të vazhdojë të shfaqet në Lindje, borxhi publik i vendit do të rritet, ashtu si dhe Blendi Fevziu duket se do të vijojë të na përshëndesë ashtu si 20 vitet e fundit çdo të enjte në mbrëmje nga studio e emisionit të tij “Opinion”.

Duke shfrytëzuar emocionet e lexuesve të mësuar me këtë normalitet, disa portale kanë ndarë në 27 tetor lajmin e papritur për largimin e moderatorit Blendi Fevziu nga emisioni politik “Opinion”. Origjina e këtij lajmi është portali ‘tv-albania.com’, i cili nën titullin “Heq dorë nga ‘OPINION’, Blendi Fevziu bën atë që se kishim pritur, ja se ku do ta shohim”, ka mbledhur qindra klikime online.

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të artikullit, me qëllim informimin e saktë të audiencës. Nëse do të lexojmë lajmin në brendësi shihet se në fakt flitet për një tjetër projekt ku pritet të angazhohet zoti Fevziu, por nuk thuhet se ai do të heqë dorë nga emisioni ‘Opinion’.

Në këtë artikull, portali i referohet një postimi të bërë nga producenti Sokol Guga në Instagram, ku ky i fundit bën të ditur se është mjaft i lumtur që do të ndajë skenën me moderatorin dhe gazetarin Blendi Fevziu.

Postimi i Sokol Gugës në Instagram

Këtë herë do të kemi mundësinë ta shohim Blendin në një spektakël, ndryshe nga sa jemi mësuar prej vitesh duke e parë në Opinion”, shkruan portali ‘tv-albania.com’, duke lënë qartë të kuptojmë se Fevziu do të provojë një eksperiencë ndryshe, por pa hequr dorë nga emisioni politik. Ndërkohë zbulojmë se “Krishtlindje në Tiranë” është një spektakël që do të organizohet në dhjetor dhe mbledh figura të njohura të skenës dhe dashamirës të artit në periudhën festive.

Më tej, artikulli në fjalë flet për marrëdhënien e gazetarit me familjen, konkretisht me vajzat e tij. Gjatë një kërkimi të bërë në rrjetet e tij sociale, shihet se Fevziu nuk ka bërë asnjë njoftim për ndonjë largim të mundshëm nga emisioni Opinion.

Lajmi i portalit në fjalë manipulon audiencën me një titull të rremë, pasi teksti në brendësi nuk përputhet aspak me të. Artikuj të tillë bëhen me qëllim tërheqjen e sa më shumë klikimeve, edhe pse në këtë formë shpërndajnë informacione të rreme të lexuesit.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img