BallinaFaktometerE PavërtetëQeveria ka shpenzuar para për “Parkun Eden”, ndryshe nga ç’deklaroi kryeministri

Qeveria ka shpenzuar para për “Parkun Eden”, ndryshe nga ç’deklaroi kryeministri

Qeveria ka ngarkuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit për zbatimin e një instalacioni me strukturë druri në godinën e Kryeministrisë të quajtur “Parku Eden” që parashikon edhe prodhimin e energjisë përmes paneleve diellore. Vlera e projektit është 431 milion lekë, por Kryeministri thotë se qeveria nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për asnjë lloj instalacioni. Ndryshe nga sa pretendon kreu i ekzekutivit, një verifikim i Faktoje, tregon se këtë vit Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka marrë 103.5 milionë lekë nga buxheti, ndërkohë që pritet të marrë edhe 407 milionë lekët e tjera vitin e ardhshëm.

Esmeralda Topi

“Së pari njëherë qeveria nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për asnjë lloj instalacioni në mjediset e Këshillit të Ministrave.”- deklaroi më 27 shtator Kryeministri Edi Rama, një muaj pasi Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte çelur tenderin për ndërtimin e një instalacioni me strukturë druri në oborrin e Kryeministrisë, të quajtur Parku Eden.

Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes në selinë e PS, 27 shtator 2022

 

“Qeveria ka ndërmarë një program të energjisë së rinovueshme diellore që do të shtrihet në të gjitha institucionet, duke filluar nga Kryeministria dhe nga të gjitha ministritë, dhe nuk bëhet fjalë për një vepër arti, bëhet fjalë për një projekt energjie të rinovueshme të kombinuar me krijimin e një mikroklime dhe të mjediseve të reja të punës për të cilat ka nevojë aty.”- sqaroi më tej për gazetarët Kryeministri Edi Rama.

Nisur nga debati publik që nxiti zhvillimi i këtij projekti në kulmin e krizës së çmimeve dhe asaj energjitike, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim nëse qeveria ka shpenzuar para për këtë instalacion.

Projektbuxheti i vitit 2023 që është miratuar në qeveri, tregon se ajo ka shpenzuar para, duke hedhur poshtë deklaratën e Kryeministrit Rama se qeveria nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për asnjë lloj instalacioni në mjediset e Këshillit të Ministrave.

E vërteta është se në programin e projekteve që klasifikohen si investime publike, Fondi Shqiptar i Zhvillimit merr nga buxheti i shtetit 407 milionë lekë për ndërtimin e instalacionit të drurit për vitin e ardhshëm si dhe 7 milionë lekë të tjera në vitin 2024. Po ashtu, ndryshe nga sa pretendon kreu i qeverisë, tabelat e projektbuxhetit tregojnë se këtë vit janë paguar 103.5 milionë lekë. E thënë ndryshe, Fondit Shqiptar të Zhvillimit i është vënë në dispozicion 20% e shumës totale të projektit nisur nga detyrimi ligjor që dikton ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.”

“Për angazhimet buxhetore shumëvjeçare, që lidhen me projekte të reja investimesh publike, gjatë vitit të parë të zbatimit të tyre nuk lejohet që në buxhetin e njësisë përkatëse të qeverisjes së përgjithshme të shpërndahen më pak se 20 për qind e vlerës së plotë të projektit përkatës.” – saktësohet në ligj.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka pezulluar përkohësisht procedurën e hapur për ndërtimin e instalacionit, por nuk e ka anuluar atë.

“Parku Eden” është projektuar nga studio “Precht” që është e specializuar në përdorimin e materialeve natyrale me ndikim të pakët në mjedis nën drejtimin e arkitektit austriak Chris Precht.

Në një përgjigje për Faktoje, Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën me dije se projekti përfshin ndërtimin e një strukture prej katër katesh, me funksione, pritjesh dhe ceremoniali dinjitoz, hapësira takimesh dhe mbledhjesh për delegacionet, në funksion të Kryeministrisë dhe institucioneve qëndrore të shtetit.

“Projekti i oborrit të Kryeministrisë, është një projekt unik, i ndërthurjes së përdorimit multifunksional, i modeleve të reja të ndërtimit me materiale ekologjike dhe qëndrueshmërisë mjedisore.” – shkruhet në përgjigjen e FSHZ-së për Faktoje.

Sipas FSHZ-së “Parku Eden” parashikon ta kthejë Kryeministrinë në prodhues energjie përmes instalimit të paneleve diellore në tarracë.

“Ndërtimin dhe mbulimin e tarracës së Kryeministrisë me 1,700 m2 panele fotovoltaike, që do të prodhojnë energji e cila në vlerën e tregut sot, është e barabartë me rreth 250 mijë Euro të ardhura çdo vit për 20 vitet e ardhshme. Pra, përveç kthimit të institucionit të Kryeministrisë “green” nga ana mjedisore, vetëm prodhimi i energjisë në 20 vite të ciklit të jetës, do të sillnin mbi 5 milionë Euro të ardhura, pa llogaritur trendin rritës që do ketë çmimi i energjisë në të ardhmen.”

Madje Fondi Shqiptar i Zhvillimit saktëson për Faktoje se përveç prodhimit, projekti do të zvogëlojë edhe nevojat e institucionit për energji dhe ujë.

“Aplikimin e një modeli zhvillimi dhe ndërtimi të qëndrueshëm, me materiale tërësisht ekologjike, me një sistem furnizimi me ujë që grumbullon dhe filtron për ripërdorim ujin e shiut, me ndriçim me eficiencë të lartë energjetike, dhe gjelbërim gjithëvjetor në të gjitha nivelet e strukturës që ndikon në uljen e shpenzimit të energjisë në godinë për ftohje në muajt e nxehtë.” – shkruhet në përgjigjen zyrtare të FSHZ.

Ky nuk është i vetmi ndryshim që Rama po i bën godinës së qeverisë. “Parku Eden” vjen pas heqjes së kangjellave, shtimit të instalacionit “Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë” si dhe vendosjes së instalativës me dritë në hyrje të godinës qeveritare. Por veç vendit, e përbashkëta tjetër e projekteve lidhet me polemikat dhe debatet në public, që i kanë shoqëruar këto ndryshime.

 

 

 

 

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img