BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTë pabaza deklaratat për përdorimin e pilotëve të pavaksinuar në samitin e Davos

Të pabaza deklaratat për përdorimin e pilotëve të pavaksinuar në samitin e Davos

Të pasurit nuk po përdorin pilotë të pavaksinuar ndaj Covid-19 për udhëtimet e tyre të biznesit. Deklaratat që pretendojnë një kërkesë të tillë ndaj kompanive të fluturimit rezultojnë të pabazuara në prova.

Në rrjetet sociale është shpërndarë masivisht një video, ku pretendohet se njerëzit më të fuqishëm në botë fluturojnë me pilotë të pavaksinuar.

Te fortet e botes fluturojne vetem me pilota te pa vksinum, pse?”, është ky postimi i shpërndarë krahas videos nga përdoruesit e Facebook.

Screenshot, postimi i shpërdarë në rrjetet sociale

Por, si qëndron e vërteta e këtij postimi? Gjatë një kërkimi në internet shihet se video në fjalë është shkëputur nga një intervistë e dhënë më 6 korrik 2022 nga Alan Dana, një ish-pilot i një linje ajrore ‘low-cost’ australiane dhe Maria Zeee, një aktiviste australiane e njohur për përhapjen në internet të lajmeve të rreme në lidhje me vaksinat kundër Covid-19.

Gjatë intervistës, Dana shpjegon se Josh Yoder, president i “US Freedom Flyers” ishte shprehur se kishte marrë telefonata nga kompani të mëdha për të pasur pilotë të pavaksinuar që të drejtonin avionët për menaxherët e tyre.

Kjo deklaratë e tij u ripërhap më 15 janar 2023 nga News Punch për të mbështetur lajmin se Forumi Ekonomik Botëror (WEF) punësoi vetëm pilotë të pavaksinuar  për udhëtimin e anëtarëve të tij në takimin vjetor në Davos (Zvicër), i cili u zhvillua në datat 16-20 janar të këtij viti. Por, ky është një lajm i rremë dhe është verifikuar nga kolegët e verifikimit të fakteve.

“News Punch” është një faqe e njohur për përhapjen e lajmeve të rreme për një sërë çështjesh të ndryshme.

Ndërkohë, të kontaktuar nga shumë kolegëverifikimit të fakteve, përfaqësues të Forumit Ekonomik Botëror kanë mohuar pretendimet e ngritura, se kanë kërkuar pilotë të pavaksinuar në takimin vjetor në Davos.

Ndërsa, më 15 janar 2023, nëpërmjet një postimi në Twitter, reagoi presidenti I kompanisë ajrore Josh Yoder, i cili hodhi poshtë deklaratat, duke theksuar se nuk kishte bërë deklaratën për ËEF që i atribuoet.  Ai u shpreh se ka deklaruar se disa biznesmenë e kishin kontaktuar me këtë kërkesë.

Megjithatë, ky pretendim i fundit nga Yoder është i paverifikueshëm dhe pa prova, pasi nuk ka pilotë apo kompani të tjera avionësh privatë që kanë bërë publikisht pretendime të ngjashme.

Për më tepër, është e rëndësishme të specifikohet se vetë Josh Yoder është i njohur për promovimin e teorive konspirative në lidhje me vaksinat kundër Covid-19.

Pretendimi i ngritur nga përdorusit e rrjeteve sociale është verifikuar edhe nga kolegët e “Facta.News”, të cilët kanë verifikuar edhe një sërë artikujsh të tjerë të rremë në lidhje me ndikimin e vaksinave të Covid-19 te pilotët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img