BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAsnjë shenjë alienësh në njerëzit me grupin e gjakut 0 negativ

Asnjë shenjë alienësh në njerëzit me grupin e gjakut 0 negativ

Një artikull i botuar në portalin unikportal.com pretendon se shkencëtarët kanë zbuluar se “njerëzit me grup të gjakut 0 Rh negativ janë pasardhës të alienëve”. Verifikimi i “Faktoje” shpjegon se ky grup gjaku është pasojë e mutacioneve gjenetike evolucionare të drejtuara nga bashkëjetesa e njerëzve me një parazit, sigurisht tokësor.

———————–

Megjithëse në titull artikulli i referohet “shkencëtarëve”, në brendinë e tij bëhet fjalë për një ‘studiuese’ të quajtur Lara Starr dhe artikullin që ajo ka shkruar për “The Spirit Science”.

Një kërkim i thjeshtë në internet tregon se Lara Starr nuk ka publikuar asnjë studim në ndonjë revistë shkencore. Ndërkohë, The Spirit Science nuk është ndonjë publikim shkencor, por një faqe online, që duket se i dedikohet diskutimit rreth spiritualizmit.

Argumenti kryesor i Lara Starr është se “nëse të gjithë do të kishin evoluar me të vërtetë nga majmuni, të gjithë do të kishin të njëjtin lloj të gjakut.”

Dr. Khameeka Kitt nga universiteti Stanford shpjegon se gjaku Rh negativ është një tipar normal që shfaqet te disa njerëz dhe jo te disa të tjerë, njësoj si, për shembull, sytë bojëqielli apo flokët e kuqe.

Këto ndryshime në tipare vinë nga ndryshime të vogla mes ADN-së së individëve. Këto ndryshime vinë si pasojë e mutacioneve. Mutacionet në ADN ndodhin gjatë gjithë kohës dhe janë një nga mekanizmat themelore shtytëse të evolucionit të gjallesave.

Një hipotezë për evolimin e tiparit të gjakut Rh negativ është se ka evoluar si kundërpërgjigje ndaj një paraziti të dëmshëm për trurin e njeriut, sidomos të bebeve, që quhet Toxoplasma. Disa studime kanë treguar se personat me gjak Rh negativ janë më rezistentë ndaj efekteve të Toxoplasmosis.

Kjo hipotezë argumenton edhe faktin që ky tip gjaku gjendet më me shumicë (16%) tek personat me prejardhje kaukaziane. Bartësi i preferuar i Toxoplasmës janë speciet feline, të cilat kanë ardhur relativisht vonë në Europë. Në zonat e Afrikës dhe Azisë, ku këto specie kanë bashkëjetuar me njerëzit për më shumë kohë, popullatat kanë patur mundësinë të adaptohen me parazitin.

Një paralelizëm mund të bëhet me aneminë drapërocitare, një sëmundje që shkaktohet nga një mutacion ADN-je që prek qelizat e kuqe të gjakut. Personat me këtë sëmundje jetojnë deri në 40-60 vjeç.

Megjithatë personat që nuk e kanë këtë sëmundje, por janë thjesht bartës, janë rezistentë ndaj malaries. Në zona ku malaria mbizotëron, të qenit bartës i kësaj anemie, e si rrjedhojë rezistent ndaj anemisë, është një avantazh evolucionar, edhe nëse kjo do të thotë që ndonjë nga fëmijët e tu do të lindë me këtë sëmundje.

Me të njejtën logjikë evolucionare mendohet se mund të ketë evoluar edhe gjaku Rh negativ.

Sigurisht, teoria se grupi yt i gjakut ka ardhur si pasojë e bashkëjetesës së njerëzve me një parazit të bartur nga macet është më pak emocionuese se të mendosh që je pasardhës i krijesa të avancuara si alienët.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img