Të keqinterpretuara provat e “inskenimeve” të NASA për udhëtimet në hapësirë

344

Pretendimet se NASA ka inskenuar pamje nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor, i cili është në fakt bosh, janë të rreme. Verifikimi i “Faktoje” vendos në kontekst ‘provat’ që sillen për këtë pretendim.

——————————

Në rrathët konspiracionistë po qarkullon një video që pretendon se NASA përdori “teknika Hollivudiane” dhe hile të ngjashme për të inskenuar video të astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.

Video përmban komente të bëra nga një banor i Orlando, Florida, gjatë dëgjesave publike të Komisionit të Kontesë Brevard, në 4 prill 2023.

Qendra Hapësinore Kennedy e NASA ndodhet në Kontenë Brevard, në Florida.

Personi në fjalë i kërkoi komisionit të hetonte NASA. Ai pretendoi se agjencia hapësinore kishte përdorur simulime nënujore, teknika si “green screen dhe realitet virtual” për të “mashtruar publikun që ka astronautë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor…Nëse ata janë vërtetë atje lart, pse po përdorin teknika Hollivudiane për të falsifikuar filmimet?”

Video e mësipërme pretendon se disa filmime nga stacioni hapësinor tregojnë astronautët duke tërhequr tela të fshehur që të duken sikur janë në një ambjent pa gravitet. Gjithashtu pretendon se “flluska ajri” mund të shihen në disa klipe të astronautëve duke pluskuar jashtë stacionit, duke provuar kështu që këto pamje janë xhiruar në fakt nën ujë në një studio filmash, dhe jo në hapësirë.

Zëdhënësja e NASA Sandra Jones tha se 269 njerëz nga 21 vende kanë vizituar stacionin hapësinor dhe ai ka patur vazhdimisht ekuipazh që nga viti 2000. 

Astrofizikanti i universitetit Harvard, Jonathan McDowell, tha për Associated Press se “materialet që shihni në NASA TV të filmimit live të ekuipazhit në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor janë qartazi legjitime.” 

Ai tha se pjesa e videos që supozohet se tregon nja astronaut duke tërhequr fijet që mbajnë lart kolegun e tij ka më shumë gjasa të tregojnë në të vërtetë thjesht astronautin që po rregullon një kabëll mikrofoni apo kufjesh gjatë një interviste me kamera.

McDowell shpjegoi gjithashtu se radiooperatorët amatorë shpesh flasin me astronautët në orbitë. Lëvizjet në radiofrokuenca, që njihen si efekti Doppler, që dallohen gjatë këtyre komunikimeve provojnë se astronautët janë shumë lart mbi sipërfaqen e planetit.

Joshua Colwell, shkencëtar planetar, tha se pamjet e astronautëve me kostum hapësinor duke punuar nën ujë nuk dëshmojnë se pamjet nga hapësira janë inskenuar.

Në fakt, pamjet tregojnë seanca trajnimi gjatë se cilave astronautët përgatiten për kushtet e zero gravitetit që do të hasin në hapësirë.

Ai shtoi se flluskat nënujore të ajrit që pretendohet se shfaqen në disa video të astronautëve duke punuar jashtë stacionit hapësinor ka shumë gjasa të jenë grimca pluhuri ose akulli. “Flluskat e gazit që lëvizin përmes një lëngu nuk ndjekin një rrugë krejtësisht të drejtë kur ngrihen drejt sipërfaqes,” tha Colwell. “Ato që duken në video nuk lëvizin në vija paralele, por përhapen nga një pike e përbashkët origjine, dhe lëvizin me shpejtësi konstante dhe në vija krejt të drejta.”

Për momentin, ekuipazhi i Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor përbëhet nga 7 astronautë. Pamje fotografike dhe filmike nga puna e tyre shpërndahen shpesh për publikun në Twitter.