Video e tankeve ushtarake në rrugët e Philadelphia po përdoret nga konspiracionistët për të pretenduar se në ShBA po bëhen parapërgatitje për luftë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se kalimi i tankeve ishte pjesë e festimeve me rastin e Ditës së Flamurit dhe 248 vjetorin e ushtrisë amerikane.
—————————————————-
Javët e fundit, disa video që tregojnë lëvizje të mjeteve ushtarake në zona të banuara kanë ndezur frikërat dhe shpresat e konspiracionistëve për luftë.
Shfaqja e një avioni ushtarak që transporton stafin e Shtëpisë së Bardhë në qiellin e Kalifornisë përpara vizitës së presidentit Joe Biden në këtë shtet dhe lëvizja e tankeve në një autostradë në Idaho për të shkuar nga vendi i stërvitjes në hangarin ku mbahen zakonisht u interpretuan në internet si paralajmërues të një lufte apo inkursioni. Ndërsa lëvizja e automjeteve ushtarake pas një stërvitjeje në Montreal, të Kanadasë, u prezantua gënjeshtërt si të ishte në ShBA, me po të njejtat qëllime.
Këtyre i shtohet edhe një video që tregon disa tanke duke kaluar në rrugët e Philadelphia në ShBA.
Këto tanke parakaluan vërtet në rrugët e Philadelphias për të shkuar në vendndodhjen ku ata do të shfaqeshin për publikun, si pjesë e Festivalit të Vijave dhe Yjeve (Stripes and Stars Festival), i cili u mbajt në këtë qytet me rastin e Ditës së Flamurit, e njëkohësisht dhe 248 vjetorin e krijimit të ushtrisë së ShBA, më 14 qershor.
Dita e Flamurit në ShBA përkujton ditën kur flamuri me vija dhe yje u bë flamuri zyrtar i ShBA, më 14 qershor 1777. Në po të njejtën ditë, por dy vite më parë, në 14 qershor 1775, u krijua edhe ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një zëdhënës i Gardës Kombëtare të Pensilvanisë tha për Associated Press: “Ne zakonisht i shfaqim disa nga automjetet tona në eventet publike ku na kanë ftuar, për t’u dhënë pjesëtarëve të publikut mundësinë për t’i parë pajimet tona me sytë e tyre.”
Ndërkohë, një zëdhënëse për Gardën Kombëtare të ShBA tha për AP se nuk shfaqja e automjeteve ushtarake duke u transportuar nëpër vend nuk është e pazakontë, veçanërisht në këtë periudhë të vitit. Garda Kombëtare Ajrore dhe Ushtarake e ShBA bëjnë stërvitje të paktën një fundjavë në muaj. “Në verë shumë njësi mund të jenë duke bërë stërvitje të specializuara, por ky aktivitet është rutinë,” tha ajo.