Tensioni i krijuar në veri të Mitrovicës pas sulmit me armë në Manastirin e Banjskës rindezi edhe njëherë retorikën propagandistike që nxit urrejtje etnike mes shqiptarëve dhe serbëve. Studiues nga Kosova dhe Serbia e shohin përshkallëzimin e narrativës si mjet për nxitjen e frikës dhe tensioneve në popullatë.
Retorika serbe
Prej 24 Shtatorit, kur 30 persona të armatosur u ngujuan në Manastirin e Banjskës dhe shkëmbyen zjarr me Policinë e Kosovës duke vrarë efektivin Afrim Bunjaku, në Serbi nisi artikulimi i retorikave politike që nxisin urrejtje etnike.
Ende pa përfunduar aksioni në Banjskë, presidenti i Serbisë Alexandar Vuçiç ngriti pretendime se sulmi ishte kryer nga serbët që jetonin në veri të Mitrovicës si rezultat i “terrorit që ushtron Albin Kurti ndaj tyre”. Edhe pse teza u përgënjeshtrua shpejt me pranimin nga Milan Radojçiç, nënkryetarit të Listës Serbe, të fajit për organizimin e sulmit, Vuçiç nuk e la me aq.
Tre janë tezat kryesore të Vuçiç kundër Kosovës dhe më specifikisht ndaj kryeministrit Albin Kurti.
E para dhe më e përsëritura është narrativa se “Albin Kurti kërkon luftë”, ndjekur nga teza se “Serbia nuk dëshiron luftë por ruan me vështirësi paqen e brishtë” dhe e fundit, që përsëritet edhe nga Rusia, se “Kurti po kryen spastrim etnik brutal ndaj serbëve në Kosovë”.
Përhapja e gjuhës së urrejtjes
Akuzat e ngritura nga Vuçiç pas sulmit në Banjskë, përpos kreut të qeverisë kosovare Kurti, shënjestruan forcat e policisë së Kosovës.
Vuçiç u mundua të nginte dyshime mbi përfshirjen apo jo të EULEX, misionit të BE-së, në aksionin e policisë së Kosovës në Banjskë, por u përgënjeshtrua publikisht nga EULEX.
Pavarësisht publikimit të informacioneve që rrëzojnë teza të ngritura në Beograd, përhapja e tyre nga politikanë të tjerë serb vijon ende.
Politika e brendshme serbe
Akuzat e Vuçiç u përsëritën edhe nga kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç.“Vijon terrori i Albin Kurtit ndaj serbëve në Kosovë dhe Metohi, plotësisht i pritshëm në përputhje me atë që thamë dhe atë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me muaj e thotë, terror dhe keqtrajtim ndaj serbëve në Kosovë dhe Metohi”, tha Brnabiç duke theksuar se Serbia ishte në kontakt të vazhdueshëm me KFOR dhe komunitetin ndërkombëtar.
Në fakt, KFOR ka njoftuar vazhdimisht prej 24 Shtatorit prezencën e tij në Banjskë dhe koordinimin e vijueshëm me Serbinë dhe Kosovën.
Misioni i KFOR në Kosovë përbëhet nga trupa paqeruajtëse të NATO-s, që prej vitit 1999 kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë. Sigurisht, kjo e pamundëson ekzistencën e një “terrori të vazhdueshëm ndaj serbëve në veri të Kosovës” si pretendon pala serbe.
Deklarata e sekretarit të përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg në 29 Shtator theksoi edhe njëherë mbikqyrjen ndërkombëtare të vazhdueshme të situatës në Kosovë.
“Misioni KFOR i NATO-s mban një prani të dukshme dhe në gatishmëri në mbarë Kosovën. Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së.
KFOR-i vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët relevante të interesit në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, Misionin e OKB-së në Kosovë dhe komunitetin diplomatik”. – deklarata e sekretarit të përgjithshëm mbi situatën në Kosovë.
Njëkohësisht, EULEX njoftoi Faktoje-n se jo vetëm ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me policinë e Kosovës gjatë aksionit në Banjskë, por se ky bashkëpunim po vijon.
“Misioni gjithashtu ka monitoruar dhe po vazhdon të monitorojë, aktivitetet e kryera nga autoritetet e Kosovës në lidhje me sulmin, siç janë hetimet, konfiskimet dhe bastisjet”. – EULEX për Faktoje, 28 Shtator 2023.
Aleatët e Serbisë
Pavarësisht këtyre fakteve, retorika e Vuçiç vijon të përsëritet edhe nga partnerët e tij jashtë kufijve.
Ivan Stoikovic, kryetar i Partisë Demokratike Serbe dhe përfaqësuesi i vetëm serb në parlamentin e Maqedonisë së Veriut tha se Kurti i urren serbët dhe ushtron terror ndaj komunitetit serb në Kosovë.
Kjo akuzë e përsëritur, që në asnjë rast nuk shoqërohet me argumenta apo fakte, mbështetet plotësisht edhe nga aleati i serbëve në lindje, Rusia.
Një njoftim i Ministrisë së Jashtme Ruse një ditë pas sulmit në Banjskë – kohë kur ende nuk ishte vërtetuar burimi i sulmit pavarësisht dyshimeve për përfshirje të politikës serbe – përfaqësuesja e kësaj ministrie Maria Zakharova përsëriti akuzat që ishin dëgjuar një ditë më parë nga presidenti Vuçiç.
“Nuk ka dyshim se gjakderdhja e djeshme është pasojë e drejtpërdrejtë dhe e menjëhershme e kursit të të ashtuquajturit “kryeministër” Kurti për të nxitur konfliktin dhe për të pastruar territorin e rajonit nga serbët.” – deklaroi Ministria e Jashtme Ruse në 25 Shtator 2023.
Ruajtja e paqes dhe “kërcënimi” serb dhe rus
Pretendimet e Vuçiç lidhur me qëllimet e Prishtinës dhe rolin e Serbisë në “ruajtjen e paqes së brishtë” në Kosovë përbëjnë edhe tezën më kontradiktore të politikës serbe. Kjo pasi vetë deklaratat e Vuçiç duket se bien ne kundërshtim me njëra-tjetrën nga dita në ditë.
Në ditën e ngjarjes në Banjskë, Vuçiç deklaroi se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës edhe nëse “i vrasin të gjithë” serbët. Pak më vonë Vuçiç tha se Serbia është e gatshme të vijojë dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Në një tjetër intervistë dhënë në 28 Shtator për Reuters, Vuçiç tha se një sulm si ai në Banjskë nuk i interesonte aspak Beogradit dhe se “Serbia nuk do luftë”. Ndërkohë një ditë pas kësaj deklarate, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Serbisë të tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën, pasi kishin vërejtur një “rritje të paprecedentë të prezencës së ushtrisë serbe”.
Vuçiç i mohoi pretendimet e SHBA-së për vendosje të trupave pranë kufirit me Kosovën gjatë një intervistë dhënë për CNN në 2 Tetor.
I pyetur se pse qeveria serbe zhvendosi më shumë trupa në kufi, Vuçiç tha se ushtria e Serbisë “e ndjek situatën në terren dhe ata i lëvizin forcat tona në një mënyrë që ata besojnë se mund të jetë më e dobishme dhe ata kanë operacionet e tyre dhe çdo gjë tjetër, por unë nuk kam nënshkruar asnjë alarm për ushtrinë tonë.” – tha Vuçiç.
Mohimi i shtimit të trupave u artikulua edhe nga Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriç.
“Sa i përket gjoja grumbullimit serb, e vetmja gjë që ekziston është tërheqja e forcave që kanë qenë atje prej vitesh – nga 7500 në minimumin historik prej 4000. Sepse ne jemi pala përgjegjëse, ajo që dëshiron paqen dhe përpiqet të shmangë gjakderdhjen e mëtejshme.” – shkruan Gjuriç në rrjetin social Twitter.
Po atë ditë, në 2 Tetor Ministri i serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç u raportua të ketë thënë se “nëse Forcat e Armatosura të Serbisë marrin një urdhër nga Presidenti i Serbisë si Komandant i Përgjithshëm, për të hyrë në territorin e Kosovës, Forcat e Armatosura të Serbisë do ta kryejnë një detyrë të tillë në mënyrë efikase, profesionale dhe me sukses”.
Të nesërmen e kësaj deklarate, në 3 Tetor, koordinatori për komunikime strategjike John Kirby deklaroi nga foltorja e Shtëpisë së Bardhë se trupat serbe kishin nisur të tërhiqeshin nga kufiri me Kosovën.
Duke përsëritur tezën politike të Vuçiç se shpërthimi i tensionit mund të parandalohet vetëm me krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe, Rusia përmes Ministrisë së saj të Jashtme foli gjithashtu për ‘luajtje me zjarrin që rrezikon Ballkanin’.
“Përpjekjet e tij [Kurtit] për të krijuar presion nga perëndimi mbi lidershipin serb përmes përshkallëzimit të situatës për të detyruar Beogradin të njohë “pavarësinë” e Kosovës janë një lojë e vazhdueshme me zjarrin, e cila, siç e shohim, është shumë e kushtueshme dhe sjell gjithë rajonin e Ballkanit në një prag të rrezikshëm.” – shkruante Ministria e Jashtme e Rusisë.
Qëllimi dhe efekti i narrativave
“Nxitja e frikës dhe tensioneve” – ky është qëllimi i narrativave të tilla në pikëpamjen e drejtuesit të Qendrës së Çështjeve Ndërkombëtare dhe Sigurisë (ISAC Foundation) në Serbi, Nikola Petroviç.
“Arsyet dhe qëllimi janë fare të thjeshta: ato [deklarata] krijojnë një perde tymi për autoritetet serbe dhe veprimet e tyre. Çdo kritikë ndaj Vuçiçit merr si përgjigje pretendimin se ajo është sulm ndaj Serbisë pasi Vuçiç është ai që e mbron Serbinë dhe nuk mund të jetë faji i tij pasi Kurti është fajtor për gjithçka.” – tha Petroviç për Faktoje.
Gazetari Fitim Gashi, njëkohësisht menaxher i projektit për Dezinformimin ne Ballkanin Perëndimor në median online në Kosovë S’bunker i quan deklaratat e politikanëve serbë si nxitëse të “ndarjes etnike përmes narracionit se serbët nuk mund të jetojnë me shqiptarët brenda shtetit të Kosovës”.
Gashi arsyeton se deklarata të tilla kanë më tepër ndikim në mesin e popullatës serbe, veçanërisht atë në veriun e Kosovës, për faktin se konsumojnë kryesisht lajme prej mediave të Serbisë, të afërta me partinë e Vuçiçit, që prezantojnë narrativë tjetër qoft për shtetin e Kosovës apo për vendimet që tentohet të zbatohen në veriun e Kosovës.
“Në rastin e Banjskës përpjekja për ta arsyetuar sulmin që u dënua gjerësisht edhe nga ndërkombëtarët me diçka që deri tash nuk është konfirmuar se po bëhet – pra persekutimi i serbëve – bëhet me qëllimin që të rritet revolta dhe rezistenca e qytetarëve të asaj pjese ndaj qeverisë dhe organeve të rendit të Kosovës”. – shpjegon Gashi.
Për hulumtuesin serb Nikola Petroviç “pjesa më e madhe e popullsisë i sheh këto deklarata si të ekzagjeruara, por se gjithësesi janë të trembur se skenare të tilla si ai i spastrimit etnik të serbëve të Kosovës, janë të mundshme. Kjo nxitet edhe më tej nga një numër aktorësh të tjerë në Kosovë”, vëren ai.
Duke theksuar se narrativa të tilla nuk janë diçka e re mes Kosovës dhe Serbisë, Petkoviç shprehet se ‘përsëritja e vazhdueshme dhe e shpeshtë e të njëjtave teza e bën të lehtë supozimin se pjesa më e madhe e popullsisë ose e beson atë [Vuçiçin], ose bindet pjesërisht se Kurti është armik i Serbisë dhe i serbëve’.
Gazetari Fitim Gashi i sheh situatat si ajo e 24 shtatorit në Banjskë si nxitëse të urrejtjes ndëretnike. “Narrative të tilla i kemi parë prej vitesh përmes të cilave zyrtarët e Serbisë tentojnë të krijojnë një frymë anti-qeveri. Fatkeqësia është se Beogradi në vazhdimësi ka instrumentalizuar serbët në veri për arritjen e qëllimeve politike”, shpjegon Gashi.
Përfundim
Sulmi terrorist në Banjskë riktheu narrativat dezinformuese që nxisin urrejtje etnike mes shqiptarëve dhe serbëve, artikuluar kryesisht nga politikanët në Serbi. Një pjesë e tezave të ngritura nga presidenti Aleksandar Vuçiç tashmë janë përgënjeshtruar, por mbajtja gjallë e tezave keqinformuese e ka gjithsesi ndikimin e saj mbi publikun në Serbi dhe Kosovë.
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dezinformiminit e Ballkanit Perëndimor
Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli