Përdoruesit në rrjete sociale po shpërndajnë një kopertinë të revistës së njohur botërore “Time”, e cila flet për shtimin e vdekjeve të papritura, duke e cilësuar si sëmundjen e vitit. Verifikimet tregojnë se kopertina është e ndryshuar në mënyrë digjitale dhe nuk është publikuar nga revista në fjalë. 

Në rrjete sociale po qarkullon një postim që pretendon se revista e njohur Time i ka dedikuar një kopertinë shtimit të vdekjeve të papritura, duke e cilësuar si sëmundjen e vitit. 

‘Kjo është e vetmja kopertinë e që #Time duhet të publikojë për vitin 2022’., sugjeron një profil në Twitter (tani i njohur si X) fillim dhjetorin e vitit 2022, teksa ndan një kopertinë të ndryshuar në mënyrë digjitale të revistës së njohur botërore. Kopertina e modifikuar flet për shtimin e vdekjeve të papritura pas vaksinimit, duke e cilësuar si sëmundjen e vitit.

Njerëz të ndryshëm në rrjet e kanë marrë të mirëqënë faktin se “Time” i ka dedikuar një kopertinë vdekjeve të papritura. Kështu, fotografia e ndryshuar e kopertinës është ricikluar edhe këtë vit. 

‘Jane shtuar si shumë koheve të fundit vdekjet e “papritura”!! Po cili është shkaku nuk na e thonë ata qe para vaksinimeve na thonin benin vaksinen edhe shptoni jo vetëm jeten tuaj por edhe të te tjereve… “, shkruan ndër të tjera një profil shqiptar në facebook teksa ndan kopertinën e pavërtetë.

Revista e njohur “Time”, nuk ka asnjë botim në gjuhën italiane. Dhe ky është elementi i parë që tregon se njerëzit e kanë manipuluar në mënyrë digjitale përmbajtjen e kopertinës.

Po ashtu, nga kërkimet tona pranë faqes zyrtare të revistës së njohur Time nuk rezulton asnjë kopertinë me të njëjtën përmbajtje. 

Duhet theksuar se kopertina e ‘Time” është një nga më të përdorurat në internet dhe ekzistojnë shabllone të gatshme digjitale ku gjithkush mund të manipulojë pa patur ndonjë zotësi të theksuar titullin e tij të faqes së parë.