Spitali i Matit, që mbulon të paktën 30 mijë banorë ka mungesë të mjekëve në disa specialitete. Ajo që qeveria propagandon si plotësim të shërbimeve të munguara është ofrimi me patronazhim nga Tirana me mjek gjinekolog dhe një mjek që ka kryer një kurs dyvjeçar për shërbimin e kardiologjisë. Faktoje verifikoi situatën në në këtë spital, pas shqetësimit të ngritur nga deputetja e PD-së për qarkun e Dibrës, Dhurata Çupi. Spitalit të Matit i mungoi edhe skaneri gjatë periudhës së pandemisë, i domosdoshëm për pacientët e identifikuar me komplikacione për shkak të Covid-19.
————————————————————————————————–
Gjatë fjalës së mbajtur në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe Të Drejtat e Njeriut në fillim të muajit qershor, deputetja e qarkut Dibër, Dhurata Çupi ngriti shqetësimin për mungesën e mjekëve në spitalin e Matit.
“Është një hall i matjanëve, zonja zëvendësministre duhet të merrni masa urgjent që spitali i Matit të plotësohet me staf. Sot që po flasim, nuk ka gjinekologë. Sot që po flasim nuk ka kardiologë. Sot që po flasim nuk ka staf. Kjo është e turpshme nga ana juaj”, deklaroi deputetja demokrate.
Postimi në Facebook i deputetes, ku ndan edhe videon nga seanca e Komisionit
Nisur nga kjo deklaratë e deputetes demokrate, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Matit në lidhje me situatën në spitalin Bashkiak “Xhavit Mara” dhe nëse kishte mungesë të mjekëve gjinekologë dhe kardiologë.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Matit, 14 qershor 2022
Ne morëm një përgjigje nga Spitali i Matit më 24 qershor, ku theksohet se aktualisht shërbimi i gjinekologjisë po mbulohet me patronazhim nga një prej materniteteve në Tiranë.
“Në spitalin Bashkiak Mat aktualisht shërbimi i Obsetrikë-Gjinekologji mbulohet me patronazhim nga mjekët e Spitalit ‘Koço Gliozheni’, Tiranë. Pacientët shërbimin e marrin pranë Maternitetit të Spitalit Bashkiak Mat”, njofton zyrtarisht spitali i Matit.
Përsa i përket shërbimit të kardiologjisë jepet ky informacion:
“Në spitalin Mat shërbimi i kardiologjisë për rastet e lehta mbulohet nga një mjek i spitalit tonë që ka kryer një kurs në fushën e kardiologjisë. Jemi në proces të ardhjes së një mjeku intern që mbulon dhe shërbimin e kardiologjisë”.
Përgjigjja e Spitalit të Matit, 24 qershor 2022
Për të parë si ishte situata në këtë spital, Faktoje udhëtoi drejt Matit më 24 qershor, ku biseduam me banorë dhe drejtorin e këtij spitali.
Qytetarët me të cilët komunikuam na treguan se mungesat në personelin mjekësor janë të mëdha.
“Ka më pak se një muaj që kanë ardhur gjinekologët. Sjellin nga dy çdo dy javë dhe këto vetëm për lindje normale se po të ndodhë ndonjë gjë, nuk ka sallë operacioni. Populli këtu është duke vuajtur. Okulist nuk ka, vjen njëherë në javë një spital privat. Mblidhemi, regjistrohemi dhe bëjmë vizitat. Paguajmë lekë për të bërë vizitat”, thotë një e moshuar për Faktoje.
Spitali i Matit, 24 qershor 2022
Një zotëri rreth të 60-ve, i cili ka kryer një ndërhyrje në zemër dhe i duhet të bëjë rregullisht vizita mjekësore, tregon se është i detyruar që të udhëtojë drejt kryeqytetit për të marrë këtë shërbim mjekësor.
“Kardiolog nuk ka. Është njëri këtu, por vjen apo s’vjen një herë në javë nuk e di. Unë vizitat për zemrën shkoj i bëj në Tiranë, sepse kam bërë dhe koronare dhe detyrohem shkoj atje. Faktikisht po të ishte kardiologu këtu do më lehtësonte shumë”, thotë ai.
Spitali i Matit, 24 qershor 2022
Një tjetër e moshuar tregon përvojën në shërbimin e gjinekologjisë rreth 2 muaj më parë në spitalin Bashkiak të Matit.
“U bë vite që mungesa e mjekëve specialistë është një problem i madh këtu. Para dy muajsh lindi nusja e djalit. Kemi ardhur këtu dhe nuk kemi gjetur asnjë lloj mbështetje dhe jemi detyruar që të lëvizim, ta çonim drejt Tiranës”, shprehet ajo.
Spitali i Matit, 24 qershor 2022
Faktoje bisedoi edhe më drejtorin e spitalit, zotin Roland Meta në lidhje me mungesën e mjekëve gjinekologë, kardiologë dhe si mbulohen këto shërbime për pacientët.
“Mjekët obstetër për momentin mbulohen nga spitali ‘Koço Gliozheni’, mbulohet me patronazhim që do të thotë që ka 24 orë. Ndërrohen nga dy mjekë për çdo dy javë. Shërbimi i obsetrikës është i mbuluar aktualisht. Mjekët kanë ardhur në fillim të muajit”, sqaron ai.
Mirëpo, spitali nuk ka një anestezist dhe shërbimin e mbulon një specialist nga spitali Rajonal i Dibrës për ndërhyrjet e planifikuara.
Spitali i Matit, 24 qershor 2022
“Ne kemi anestezistin e Dibrës, nga Spitali Rajonal Dibër që vjen vetëm për operacionet e planifikuara. Në rastet që janë të vështira dërgohen drejt Lezhës, nëse nuk është anestezisti. Ndërsa për rastet që i planifikojmë për operacion, i kryejmë këtu. Gjatë këtij muaji kemi pasur 3 lindje normale. Kardiologjinë ne si spital nuk e kemi, vizitat bëhen nga një mjek që ka kryer një kurs 2-vjeçar në Tiranë, vetëm shikon EKG. Ndërsa rastet e tjera dërgohen drejt spitalit Rajonal Dibër ose në Tiranë.
Okulist dhe reamatolg ne nuk kemi si spital, nuk kemi as në strukturë. Ndërsa neurologun e kemi vetëm një ditë në javë”-shton drejtori, i cili pohon se shërbimet që ofrohen me koh të plotë janë: shërbimi i URL-së, kirurgjia, dermatologjia, nefrologjia, imazheria, endokrinologjia, ndërlhe që janë edhe dy mjekë pneumologë.
Zoti Meta sqaroi se gjatë periudhës së pandemisë në spital nuk janë bërë shtrime, por ato janë referuar drejt spitaleve Covid në Tiranë. Ai thekson se spitali nuk ka as skaner, ndonëse gjatë periudhës së Covid-19 nevoja për të ishte e madhe.
“Gjatë kohës së pandemisë ka pasur më shumë nevojë për pneumolgë, për shkak të problemeve nga Covid. Ne i kemi aparaturat për këto, përveç skanerit, ndërsa vizitat e tjera i kemi bërë.
Këtu te ne nuk ka shërbyer si spital Covid, i kemi dërgar drejt Tiranës rastet e rënda. Këtu vetëm janë diagnostikuar”, sqaron ai.
Në lidhje me mungesën e mjekëve specialistë në spitalin e Matit dhe si është menduar që të plotësohen këto boshllëqe, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Shëndetësisë. Deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje nga ky institucion.
Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 28 qershor 2022
Pavarësisht propagandimit nga qeveria se nuk ka mungesë mjekësh apo infermierësh, në fillim të korrikut, Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë ngriti alarmin se vendi është në krizë për personel shëndetësor me mungesa të mëdha të mjekëve dhe infermierëve.