Një video e shpërndarë masivisht në rrjete sociale nga faqja popullore JOQ, ngre dyshime të pabaza mbi spërkatjen e dyshimtë të rrugëve të Tiranës, duke aluduar për ndonjë skenar që synon infektimin e popullsisë.
“Çfarë po spërkatet nëpër Tiranë?” Ky është titulli që shoqëron një video të shpërndarë nga JOQ më 18 janar, që tregon pamjet e disa punonjësve nën logon e Bashkisë së Tiranës duke bërë spërkatje pranë një vendbanimi në kryeqytet.
Në video dëgjohet një bisedë e shkurtër mes një banoreje të zones, që duhet të jetë edhe autorja e filmimit, dhe punonjësve të Bashkisë Tiranë, mbi procesin në fjalë. Punonjësi sqaron qytetaren se po bëhet dezinsektim, por kjo e fundit ngre dyshime duke e vënë në dyshim përgjigjen e tij, duke qënë se jemi në periudhën e dimrit.
“Nëse është për mushkonja atëherë pse visheni deri në fyt?” – dëgjohet të thotë gjithë mosbesim banorja e pallatit, duke aluduar për ndonjë “spërkatje të qëllimshme për të mbajtur të sëmurë qytetarët”. Kjo ndoshta e lidhur me teoritë konspiracioniste që qarkullojnë në rrjet mbi origjinën e Covid-19, pasojat e pandemisë dhe vaksinimin e popullatës.
Kjo kuptohet edhe nga komentet që shoqërojnë videon, mijëra që e kanë ndjekur dhe qindra të tjerë që e kanë ndarë atë në rrjete sociale, me të njëjat dyshime mbi qëllimin e ‘spërkatjes’. Disa të tjerë shkojnë më tëj duke aluduar (shembull) se po lëshohen kimikate të rrezikshme për njerëzit.
“Faktoje” kontaktoi me Bashkinë e Tiranës për të sqaruar opinionin publik nisur nga ndjeshmëria e lartë që ka publiku, veçanërisht pas periudhës së pandemisë, ku përmes dizinformimit, portale të ndryshme përhapnin panik tek qytetarët.
Në një përgjigje për “Faktoje”, Bashkia e Tiranës sqaron se bëhet fjalë për një proces rutinë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike, (Dezinfektim, Deratizim dhe Dezinsektim) të vendstrehimeve dhe bodrumeve të ndodhura në pallatet e ndërtuara para viteve 90”.
“Pallati në të cilin është kryer filmimi ndodhet në rrugen “Marie Logoreci” Njësia Adminstrative Nr 3. Në këtë zonë janë 9 vendstrehime të cilat ndërlidhen me bodrumet e këtyre pallateve. Këto zona në mënyrë periodike janë objekt i punës sonë (me kërkesë të qytetarëve ose institucioneve, apo dhe si rezultat i planit tonë të punës për mirëmbajtje të vazhdueshme) për heqjen e ujrave me pompa ose autobote (sipas rastit) dhe në vazhdim kryejme shërbimin e DDD (Dezinfektim, Deratizim dhe Dezinsektim).”– thekson Bashkia e Tiranës duke na vënë në dispozicion edhe disa fotografi të shkrepura gjatë këtyre shërbimeve në vendndodhje të ndryshme të kryeqytetit.
Të njëjtin proces verifikimi do të duhej ta kryente përpara publikimit të videos së qytetares edhe JOQ, duke evituar që të krijohej një panik i panevojshëm.