MERXHAN DACI
Agjencia amerikane e vlerësimit Standard&Poors ka publikuar një raport që e rendit Shqipërinë në 15 vendet e para, të listës së shteteve, ekonomia e të cilëve do dëmtohet nga koronavirusi i ri COVID-19. Këtë shqetësim e kishte artikuluar më herët edhe ish deputetja e PD Tabaku. Po çfarë do të thonë këto të dhëna për ekonominë shqiptare dhe a ka “dritë në fund të tunelit” sipas ekspetëve?
Në 25 mars ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku tha për News 24 se “mendohet se Shqipëria do të jetë në 15-shen e parë të 122 vendeve që do të preken më shumë ekonomikisht nga COVID-19”.
Ajo sqaroi për “Faktoje” dhe më pas bëri publike se i referohej raportit të fundit të Standard & Poors.
Sipas këtij raporti, Shqipëria bën pjesë në 15 vendet e para të listës me 122 vende që parashikohet të preken më shumë ekonomikisht në botë nga COVID-19.
Lista përfshin shtetet të cilat të ardhurat ekonomike i kanë të bazuara te turizmi dhe që pritet të kenë ndikim të pashmangshëm nga situata që ka krijuar COVID-19.
Skenari minimal për ndikimin në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë sipas S&P është një tkurrje prej 1,46%. Ndërkaq skenari maksimal i dëmit në PBB është një tkurrje prej 3,58%.
Shtetet e renditura nga përkeqësimi i rritjes së PBB-së
Në listën e 15 vendeve bëjnë pjesë edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor si Mali i Zi dhe Kroacia, të njohura për varësinë e ekonomisë së tyre nga turizmi, si një nga sektorët që do të preket më shumë.
Në vendet e para janë edhe shtete të Amerikës Qëndrore apo Karaibeve të cilat turizmin e kanë sektor parësor të ekonomisë.
Si t’i kuptojmë shifrat që parashikon S&P për Shqipërinë?
Sipas ekspertit të ekonomisë, Prof. Dr. Arben Malaj, njëherësh President i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje ky parashikim i S&P është bazuar vetëm tek efekti negativ në sektorin e turizmit, bazuar në të dhënat e kompanive të fluturimit të cilat aktualisht përballen me kufij të mbyllur.
Por sa të mëdha do të jenë efektet negative në ekonominë shqiptare?
Malaj tha për “Faktoje” se duke qenë se ekonomia jonë është një ekonomi e vogël dhe e hapur, kjo nënkupton që preket shpejt nga zhvillimet në vendet që janë partnerë kryesorë.
“Duke qenë ekonomi e vogël, një “teshtimë” tek partneret tanë tregtarë na krijon një tronditje jo të vogël.”
Edhe Malaj pranon se turizmi duket se do të ndikohet shumë nga COVID-19.
“Bazuar në strategjinë e zhvillimit të turizmit në Shqipëri 2019-2023, turizmi jep drejtpërdrejtë 8.5% të PBB-së dhe indirekt deri në 26.2%. Turizmi punëson direkt 93 mijë veta dhe indirekt rreth 291 mijë veta. Ndikimi i turizmit do të prekë bujqësinë e cila jep 18 përqind të PBB-së dhe në zonat rurale jetojnë 40 % e popullsisë. Numri i turistëve në një vit vlerësohet mbi 5 milionë persona dhe me rritje vjetore rreth 17-20%. Këta 5 milionë turistë kanë rritur kërkesën, që ka nxitur bujqësinë, agroturizmin dhe agrobiznesin”, tha Malaj për “Faktoje.
Ai shtoi se mungesa e kësaj kërkese në treg, nëse situata nuk përmirësohet ka një ndikim negativ të madh, për përballimin e të cilës qeveria duhet të përgatisë programe alternative.
“Në këndvështrimin pozitiv, qeveria duhet të përgatisë një paketë lehtësuese për turizmin, agrobinzesin dhe agropërpunimin”.
Sipas Malajt, në Shqipëri duket se sektori i eksporteve mund të jetë më i prekuri dhe me efekte negative si në rritjen ekonomike, në punësim dhe në deficitin që krijon në të ardhurat valutore. Këtu bëjnë pjesë kompanitë e eksportit të mallrave, industria minerale, fasonet por edhe industria e re e shërbimeve online.
Po ashtu, Shqiperia është përsëri në 15-she sa i përket përkeqësimit për likuiditetin e jashtëm, sa rrezik paraqet ky indikator?
“Goditja e turizmit mund të krijojë problem për të ardhurat në valutë që zenë rreth 47% të të ardhurave gjithsej nga eksportet. Qeveria shqiptare po del në tregjet ndërkombëtare për të emetuar një Eurobond, pra për të shitur një letër me vlerë të shtetit shqiptar dhe për të blerë euro, për të grantuar pagimin e borxheve të mëparëshme dhe krijuar likuiditete shtesë në ekonomi. Duke ditur sa e madhe do të jetë kjo shumë, por duke analizuar edhe historinë e eurobondeve të emetuara më parë nga shteti shqiptar, shpresoj që vendi ynë nuk do të gjendet në situatë të vështirë për të financiar ekonominë. Edhe në raportin e S&P evidentohet fakti që Shqipëria ka një pikënisje më të mirë se disa prej shteteve të tjera”, thotë Malaj.