Pretendimi: Detektuesët e metaleve të aktivizuar në këtë video tregojnë se është “shtuar doza e metaleve në atmosferë.”

Verdikti: E pavërtetë

————————————–

Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në Facebook duket se tregon një grup personash duke drejtuar detektorë metalesh drejt qiellit. Aktivizimi i sinjalit të këtyre detektorëve sillet si provë e një konspiracioni, se “projektuesit e reduktimit të popullsisë kanë shtuar dozën e metaleve në atmosferë.”

Video është bërë e njohur online pas publikimit së saj në 12 prill të këtij viti në kanalin BitChute, i njohur për shpërndarjen e teorive konspiracioniste. Pretendohet se ajo është realizuar nga një grup aktivistësh në Kanada që hetojnë mbjelljen e kristaleve të kripës për të luftuar ngrohjen globale dhe lidhjen e saj të mundshme me gjurmët kimike në qiell.

Megjithatë, sipas ekspertëve që kanë analizuar këtë video, tingulli që detektorët bëjnë është si pasojë e interferencës së gjeneruar nga dhe mes tyre.

Gregorio Molina-Cuberos, profesor në departamentin e elektromagnetizmit dhe elektronikës në Universitetin e Murcia, tha për Maldita.es se këto pajisje i përngjasojnë radarëve të vegjël që gjenerojnë valë elektromagnetike. Falë një bobine, ato prodhojnë rryma induksioni në metale që formojnë valë të tjera elektromagnetike.

Alberto Najera, profesor i Radiologjisë dhe Mjekësisë Fizike në Universitetin e Castilla-La Mancha dhe drejtor i Komitetit Këshillimor Shkencor për Radiofrekuencat dhe Shëndetin (CCARS) shton se përdorimi i shumë gjeneratorëve të fushës elektromagnetike së bashku dhe në të njëjtën kohë i bën detektorët “të zbulojnë luhatjet në fushat që ata vetë gjenerojnë.”

“Ajo që ato po zbulojnë është një grup interferencash që po prodhohet nga vetë gjeneratorët,” tha Najera. Molina-Cuberos gjithashtu tha se “ato po detektojnë njëri tjetrin.” “Çfarë ndodh nëse ti vendos dy detektorë metali bashkë? Sinjalet që prodhohen nga disa, detektohen nga të tjerët.”

Molina-Cuberos shpjegoi më tej se mund të ketë grimca metalike në ajër, qoftë si pasojë e shkaqeve natyrore dhe shkaqeve artificiale. “Madhësia e grimcave në atmosferë është shumë e vogël, në rendin e një mikroni,” tha ai. Një mikron është sa një e njëmijta e milimetrit.

Megjithatë, në mënyrë që detektorët e metalit të ndiejnë prezencën e një objekti, ky i fundit duhet të jetë të paktën një milimetër.

Kështu, ajo që kjo video provon është se një tufë detektorësh metali në të njejtin vend dhe në të njejtën kohë janë krejt të padobishëm.