Një citat i pretenduar i aktorit Robert De Niro në të cilin ai shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fajtorë për konfliktin në Palestinë po qarkullon në internet. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se nuk ka prova se De Niro ka dhënë ndonjëherë një deklaratë të tillë.

—————————-

Përshkallëzimi i konfliktit në Palestinë, si pasojë e të cilit kanë vdekur mbi 1000 persona, ka filluar të ngjallë dezinformim lidhur me konfliktin Izrael-Palestinë.

Në rrjetet sociale po qarkullon sërish një citat i pretenduar i aktorit amerikan Robert De Niro, në të cilin ai shprehet kundër Izraelit, dhe Shteteve të Bashkuara, lidhur me pozicionin e tyre në këtë konflikt.

“…Nëse ti kafshohesh nga një qen i egër i infektuar, kë do të fajësosh? Qenin apo të zotin? Patjetër që të zotin. Kështu… I gjithë faji bie në shpatullat e qeverisë së ShBA, sepse adoptuan dhe mbështesin një shtet si Izraeli,” pretendohet se ka thënë De Niro.

Çka vërehet fillimisht në këtë postim, është se atij i mungojnë disa elementë bazë reference, si koha kur është bërë publikimi, deklarata, apo intervista ku De Niro supozohet se ka thënë këto fjalë.

Ky citat ka të paktën 10 vite që i atribuohet Robert De Niros. Në disa raste, pretendohet se ai e ka dhënë këtë deklaratë gjatë një interviste në Fox News. Megjithatë, deri më tani, askush nuk ka mundur ta gjejë këtë intervistë.

Koalicioni pro-Palestinë, Stop the War, botoi në 2011 tërheqjen e një artikulli që pretendonte se De Niro kishte bërë deklaratën e mësipërme, pasi nuk ishte arritur të konfrimonte vërtetësinë e tij.

“Në pritje të një verifikimi nga një burim autoritativ se Robert De Niro e ka thënë citation për Gazën në një intervistë me Fox News, Stop the War e ka hequr këtë artikull nga faqja jonë. Do të rikthehet në rastin kur do të kemi një burim të verifikueshëm për citatin,” shkruante organizata, për artikullin që ende nuk është rikthyer në faqen e tyre.

Ndërkohë, Robert De Niro, në 2013, u takua në Jeruzalem me presidentin e atëhershëm të Israelit, Shimon Peres, për të marrë pjesë në festimet e ditëlindjes së 90-të të Peres.